Home / Kulture / Ngjashmëritë e të kundërtave…

Ngjashmëritë e të kundërtave…

Nga Rudolf MARKU

1.
George Orwell dhe Evelyn Waugh janë ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letersisë angleze të shekulli të njezetë. Të dy të lindur në vitin 1903, në një shtresë pak a shumë të rehatshme të shoqerisë së obsesionuar klasore të Anglisë. Rrallë mund të gjesh shkrimtarë më të ndryshëm nga njëri tjetri se sa G.Orwell dhe E. Waugh. Në jetën dhe në fatin e tyre letrarë dhe njerëzor. Në bindjet e tyre politike dhe në temperament. Waugh arrin që të ngjitet në shkallët më të larta të shoqërisë angleze, ndersa Orwell zgjedh shpesh herë që të jetojë si një njeri barbon,tramp, si një protestë ndaj shoqërisë konvencionale dhe hipokrite. Waugh, për nga bindjet politike, është shkrimtar me bindje të djathta, mik i ngushtë me të birin e Winston Churchill, Randolph, dhe më vonë njëri ndër shkrimtarët dhe intelektualët e brezit të famshëm të inteligjences angleze që u konvertuan në katolicizëm gjatë viteve ‘30-’40 ( T.S Eliot, G.K. Chesterton, Graham Green, Ronald Knox, Hilaire Belloc). George Orwell, në të kundërt, është një shkrimtar ateist, me bindje socialiste, i majtë, i akuzuar madje prej shokëve të vet fanatikë të Luftës së Spanjës si trockist. Waugh u bë i famshëm që në moshen 23 vjeçare, në një kohë kur Orwell përpiqej të siguronte bukën e gojës duke punuar nëpër restorante dhe klube banale të Parisit dhe të Londrës, duke fshehur me kujdes nga njerëzit përreth dëshiren e vet për t’u bërë shkrimtar. Orwell kutërbon dhe vishet si një endacak i pastrehë. Megjithatë ai në ditarin e vet sqaron se në të vertetë nuk është endacak,halabak, por ka vendosur vetë që të jetojë mes halabakëve, të pastrehëve, që të jetojë pa u larë dhe pa u kujdesur për veten, për të njohur në lëkuren e vet varfërinë dhe mjerimin, vetëm e vetëm që të mund të çlirohet nga paragjykimet klasore. Shënon në ditarin e vet ai që do njihet disa vite më vonë si shkrimtari anglez George Orwell ‘’kur jeton në një dhomë më halabakët dhe të mjerët e uritur dhe kur pi çajë nga e njëjta kanaçe e ndyshkur dhe që bie erë urine, atëherë ti ndjen se ke provuar më të keqen, dhe kësisoj nuk trembesh se ke për t’u gjëndur në një situatë më të vështirë se kjo,,…(të dhënat janë marrë nga libri autobiografik i George Orwell). Në kohën kur Evelyn Waugh është pranuar dhe përshendetur si një shkrimtar i talentuar, Orwell ka nisur të shkruajë një libër për restorantet dhe klubet e Parisit. Jo një libër guidë turistike. Libri i Orwell është një libër që përshkruan hollësisht përvojen e hidhur të vetë shkrimtarit të ardhshëm gjatë dy viteve në Paris, duke punuar në kuzhinat e ndyra, të pista,duke larë pjatat e darkave të klientëve të pasur, ose duke punuar si portjerë dyersh hotelesh. Libri që do titullohet më vonë ‘’Down and Out in Paris and London,, është në fakt libri i parë që botohet nën emërin George Orwell (1934).
Waugh konvertohet në katolicizëm. Reagimi i rretheve intelektuale është i jashtëzakonshëm. Me naivitetitin më të madh, ai naivitet që është burim sarkazme dhe humori të pashoq për Evelyn Waugh, shumë gazeta shkruajnë: ‘’nuk arrijmë që ta kuptojmë se si një shkrimtar tellësisht i talentuar dhe shkrimtari më modern i kohës mund të konvertohet në Katolicizem!..’’
Në të kundërt, Orwell është ateist. Pas një martese të shpjetë, ai me të shoqen vendosen në një vend të humbur. Gruaja përgaditë dreken dhe dëgjon gjithë kohes rrahjet e tasteve të makinës së shkrimit, tek Orwell shkruan librin ‘’ Road to Wigan Pier,,. Ndodh pastaj ajo që quhet Lufta Civile e Spanjës. Është një luftë që sherben si Parathënia e Luftës së Dytë Botërore. Ushtria e Frankos merr ndihma të konsiderueshme nga Hitleri dhe Mussolini, ndersa Republikanët mbështeten fuqimisht nga Stalini. Për Orwell-in nuk ka asnjë dilemë se cilin krah do mbështes.Në vend të muajit të mjaltit, Orwell vendos të shkojë në Spanjë.. Nuk ka para për biletë. Partia Komuniste Britanike i siguron bileten, ca para udhëtimi dhe letra rekomandimesh. Sapo arrin në Spanjë, shkon në Barcelonë ku i bashkohet Partisë së Punëtorëve të Unifikimit Marksist (POUM). Shumë nga anëtarët e Partisë janë të rinj analfabetë dhe pa asnjë përvojë ushtarake. Orwell-it, i cili ironikisht ka dijeni ushtarake nga Corriculum i Eton College, i jepet një vend i parëndësishem drejtuesi. Lufton trimërisht.
Në Barcelonë ai vë re se të vrarët e krahut të tij nuk qenë të vrarë domosdoshmërisht në frontin e Luftës. Në shumë proçesione funerale, Orwell vë re se të vrarët janë vrarë pas shpine, ose ekzekutuar nga shokët e tyre si jo të denjë për doktrinen staliniste. Komunistët përpiqen të marrin frenat e qeverisë Republikane. Shumë nga shokët e Orwell-it janë zhdukur a janë nëpër burgje. Pasaporta britanike nuk i garanton jetën. Ashtu siç nuk ja ka garantuar jeten të vrarëve. E megjithatë, me trimërinë dhe ndershmërinë e jashtëzakonshme që ka, kthehet në Front. Aty dhe plagoset për vdekje. Një plumb ja përshkon fytin, gati duke ja prekur arterien carotike, gjë që do t’i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nuk mund të flas. Madje pas kësaj, zëri i tij do të jetë krejt i ndryshëm. E mjekojnë në fushen e betejes, dhe pastaj e hedhin në një ambulancë të mbushur plot me të vdekur e të plagosur. Përfundon në një spital të qyetitit të vogël Lerida, pranë Barcelones. E shoqja nxiton t’i bashkohet. Në Spital e konsiderojnë të paaftë për Luftë. Sapo e merr veten, këmbëngul që të shkojë në front. Komunistët kanë fillura masakrat në masë kundër POUM, partisë marksiste ku aderon Orwell. E quajnë të paligjshme, revizioniste, fashiste, kolaborocioniste. Anëtarët e saj i arrestojnë dhe i ekzekutojnë pa gjygj. Spitali ku kishte qënë i shtruar Orwell bastiset nga gjashtë policë komunistë. Në Barcelonë Orwell ecen i kujdesshëm që të mos e arrestojnë ata me të cilët ka luftuar. Shkon në Hotelin Continental ku e prêt e shoqja. Ajo, me ta parë, nxiton t’i hidhet në qafë me një afeksion teatral; duke i pëshpërit në vesh-Duhet të zhdukemi nga këtu! Sytë e saj të frikësuar thojnë gjithëçka. Orwell ka kohë që të paralajmërojë dy oficerë francezë, të kërkuar dhe ata nga policia Komuniste. Dy ditë më vonë dhoma e hotelit ku ka qëndruar e shoqja kthehet me kokë poshtë nga komunistët, të cilët janë të interesuar për Orwellin. Marrin ditarët e tij, të gjithë dorëshkrimet dhe librat. E shoqja arrin të fsheh pasaporten. Bashkohen në Konsullaten Britanike në Barcelonë. Me çmendurinë e vet për të ndihmuar deri në fund të tjerët, del nga Konsullata për të ndihmuar një shokun e vet, Georges Kopp, në burgun e Barcelones. Kopp i kërkon që të shkojë në Ministrinë e Luftës që të mund t’i marrë ca shkresa zyrtare. Orwell shkon atje, dhe atje e njohin. Vrapon mes plumbash që t’i shpëtojë arrestimit. Konsullata britanike i pajisë me bileta për në Francë, dhe pas qindra peripecishë, duke u shtirë si turistë anglezë, Orwell dhe e shoqja e tij arrijnë në Paris.

2.
Po në atë kohë kur Orwell lufton kundër Frankos,Hitlerit dhe Musolinit, Evelyn Waugh interviston Musolinin në Etiopi.Waugh nuk ka as dhe simpatinë më të vogël për fashizmin, por Musolini i duket një njeri interesant,tërheqës,energjik dhe elokuent.Me fillimin e Luftës, kërkon me këmbëngulje që të rregjistrohet ne Front. E refuzojnë për shkak të miopisë së avancuar dhë për shkak të shëndetit. I kërkon mikut të vet,djalit të kryeministrit Churchill që të ndërhyjë e ta dërgojnë në Front. Shënjëtori Orwell për herë të parë bëhet xheloz: ’’si nuk ndodh kurrë që një shkrimtar i majtë të bëj atë që bën shkrimtari i shquar Evelyn Waugh?..-i shkruan një miku të vet. Ka parasysh se dy shkrimtarë të njohur , W.H.Auden dhe Christopher Isherwood, ikin nga Anglia vetëm e vetëm nga frika e Luftës. Të dy janë shkrimtarë me ndikime të thella marksiste. Waugh caktohet me trupat britanikë në Kroaci. Njihet nga afër me marshallin Tito,takimin me të cilin e paraqet me një humor të shkëqyer. Tito është për Waugh ’’Aunty Tito,,-një lloj halle e dhjamur. Partizanët jugosllavë janë patetikë, provincial,mashtrues,barbarë dhe pretenciozë.Merr pjesë në një lloj festimi partizanësh ‘’një lloj përzierjeje këngësh në gjuhën ruse, serbo-kroate,dhe në një gjuhë tjeter që besohet se është anglisht…Ata që këndojnë janë të gjithë të dehur. Vijnë pastaj vallet ose ato çfarë supozohet të jenë valle…Pastaj një skeç ku një partisan i plagosur vret 100 gjermanë, dhe një grua me pamje shtrige qe flet për emancipimin e gruas…derisa një lloj komandanti më afrohet e më thotë: Ju angleset keni Luftën, ne jugosllavet kemi Artin e madh!,,. Me atë vezhgimin e prehtë,Waugh e kupton se pas pretendimit liberal të Titos fshihet kërcënimi barbar i një njeriu të etur për pushtet. Është i pari që vëre krimet që komunistët jugosllavë kryejnë kundër kishes katolike dhe klerit në përgjithësi,duke rrafshuar në mënyrën më të panevojshme kisha dhe katedrale dhe duke burgosur priftërinj. Shkruan një raport të hollësishëm për Foreign Office, raport që ka mbetur i fshehur për 60 vite me rradhë në arkivat secrete, ngase politikes së jashtme britanike nuk i interesonte asnjë keqkuptim me marshallin Tito.

3.
George Orwell është autori i librave të famshëm dhe të njohur botërisht ‘’Animal Farm,, dhe ‘’1984,,, libra që kanë kontribuar në rrëzimin e rregjimeve komuniste dhe totalitare. Dhe të mendosh se janë libra të shkruar nga një shkrimtar që ka vënë jeten e vet në rrezik për mbrojtjen e socializmit dhe të marksizmit. Libra që e kanë kaluar, secili veçmas, tirazhin e 30 milionë kopjeve vetëm në botimin në gjuhën anglisht. Orwell nuk pushoi deri në fundin e jetës duke marrë në mbrojtje autorët e rrezikuar, sidomos ata që ishin të kundërt me pikëpamjet e tij. Orwell është i pari që mbron romancierin Waugh nga sulmet e komunistit D.S.Savage. Dhe në historinë e letersisë angleze ka mbetur e famshme mbrojtja që i ka bërë G. Orwell shkrimtarit P.G.Woodhouse-një shkrimtar që adhurohej nga Waugh-kur ai akuzohej në Parlamentin anglez për koloboracion me gjermanët; Waugh është autori i romaneve ‘’ The Brideshead revisited,,,’’ A handful of dust,, ,‘’Vile Bodies,, dhe ‘’ Scoop,, romane që pranohen si kryevepra të letersisë moderne. Gjatë jetes u takuan vetëm një herë, kur Waugh shkon dhe e sheh Orwell-in në shtratin e vdekjes, në fundin e vitit 1949. Vetë Evelyn Waugh do jetojë dhe 16 vite të tjera pas vdekjes së George Orwell. Të dy shkrimtarë me pikëpamje politike, fetare, sociale dhe me shije letrare diametralisht të kundërt. Por të bashkuar në krijimtarinë e tyre me anë të talentit të madh, me ndershmërinë e tyre të jashtëzakonshme, me vetëdijen e rrezikut të zhdukjes së vlerave shpirtërore në një botë të obsesionuar nga pasuria, financa, materia; të bashkuar kundër totalitarizmit dhe padrejtësisë, në mbrojtje të qënies njerëzore dhe vlerave shpirtërore; të bashkuar në mbrojtjen e traditave të mëdha të qytetërimit njerëzor dhe qëllimeve të mëdha të këtij qytetërimi; të bashkuar në Komunitetin e lartë të Artit letrar, ku zilia, pikëpamjet politike, mëritë janë të përjashtuara. Për shumë kohë edhe në boten anglo-saksone është besuar, nga shumë kush, se Waugh dhe Orwell e përjashtojnë njëri-tjetrin. Tani besohet se Waugh dhe Orwell janë dy shkrimtarë me të njejten fytyrë dhe koha jonë ka nevojë më shumë se kurrë për të dy. Për shkrimtarët si George Orwell dhe për shkrimtarët si Evelyn Waugh. Për të na kujtuar se Arti i Madh është Arti i bashkimit te vlerave me te larta njerezore ne nje bote ku shpesh këto vlera përbalten në një spektakel me duartrokitje të bujshme. Per te na kujtuar dhe ne, shkrimtarve shqiptare, se sa e domosdoshme qenka per t’iu dalur zot shkrimtarve tane, sidomos atyre qe nuk jane gjalle, prej balt-hedhesve profesionist te shoqerise shqiptare.

Check Also

Yehuda Amichai (1924-2000)

Bardhyl LONDO- Poeti me i madh izraelit dhe nje nga me te medhenjte boterore i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eleven − 5 =