Home / Kryesore / NGJASHMËRITË E POETËVE. SHTEGTIMI I MOTIVEVE DHE FIGURAVE

NGJASHMËRITË E POETËVE. SHTEGTIMI I MOTIVEVE DHE FIGURAVE

Idajet JAHAJ-
                                           -për Ali Asllanin-
Shpesh poetët ngjajnë. Ose mund të themi: kanë ngjashmëri. Vëren tek ata edhe motive të afërta, edhe figura stilistike të njëjta. Kjo ngjashmëri shikohet edhe në objektet apo sendet e natyrës që ata zgjedhin për shprehje, edhe në dukuritë e përbashkëta të universit njerëzor. Psh. në natyrë, objekti kozmik hënës. Jo më kot një poet lindor thoshte dikur: “Hëna- skllave e shkrimtarëve”. Natyrisht objektet e makrobotës janë për çdo shkrimtar e poet, por mënyra e përdorimit tek disa përngjan. Dielli është i kudondodhur në vargjet e poetëve. Bile, siç është në gjithësi, edhe në poezi ai është metaforë e madhërishme. Po kështu edhe mozaiku i figurave të tjera stilistike, apo larmia e motiveve.
Në të tilla spikat edhe Aliu ynë. Po ç’ngjashmëri ka ai me disa nga poetët e tjerë të mëdhenj? Po përmendim disa, pa pretenduar se e shterojmë këtë temë.
Me Lasgushin
Ata ngjajnë aq shumë, saqë duket se janë sivëllezër të një motivi. Shpesh edhe në stilistikë. Të dy në qendrën e universit të tyre krijues kanë vashën, apo vashat në përgjithësi. Është ajo që dridh emocionet e zemrës së tyre, që dikton figurat, që përflak horizontet e kënaqësisë dhe imagjinatës. Përndriten vazhdimisht dhe këtë zjarr e pasqyrojnë në lirikat e ndjera të poezisë aq të veçantë. Regëtimat e tyre, psherëtimat, brengat e ndarjes, shijimet nëpër kohë, mejtimet, dëshirimet…janë të ngjashme. Lagushi është më i shtrirë në lirikat e tij, Aliu më i koncentruar. I pari u drejtohet më shumë objekteve të makrobotës, Aliu- atyre të mikrobotës, për të shfaqur poezinë. Por gjithsesi janë nostalgjikë të brengosur të kohës së artë të shkuar.
Lasgushi:
Dashuri që mbete pas,
Luleja me erë,
Pse më shkon si dritë plot gas
Nëpër shpirt të mjerë?
Aliu:
… Dashurin’ e shkretë/ më të madhin det;
…Moshë o moshë që mbete pas ,
…Zemra digjet ylyver/ mendja vete asaj pas…-
dhe numëron brengat e kujtimeve të shkuara.
Lasgushi:
Bukuria, bukuria,
Më pat puthur mu në ballë,
Pik’ e lotëve të mia
Vetëtin si gur i rrallë.
Aliu :
Dashuria, tungjatjeta,
Midis çiftit të selitur,
Është e ëmbël shumë e shkreta,
Është gosti nga qielli zbritur!
Lasgushi:
Ju më lini të flas unë,
T’ ju them fjalë vjershërie;
… Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjie…
Aliu:
… I dhash shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie…
…Do t’i ysht me magji stili, gropëzat e faqeve.
Fjala “magji” ndrit si misionare bukurie.
Fjala “mall” është shumë herë i përdorur tek të dy. Gati si një personazh. “Dashuria-heu, ky mall i ri! “- piskan si para një zbulimi Lasgushi. Në fakt dashuria ishte e vjetër sa Adami e Eva, por poeti bën lebetinë e tij për këtë haré të gjendjes shpirtërore të njeriut të emancipuar në këtë truall. Dhe është mrekulluar ashtu si para ndriçimit të faqeve të një rubini a diamanti.
Aliu:
… Ah, ky mall, ky mall i çmendur, që më bën të flas përçart!
… Më urdhëron i shkreti mall/ të këndoj aty, këtu;
Dashuria për vashën i lebetit, por edhe i hyjnizon në shpirt. U mbjell në zemër rrënjët e yjeve. “Më urdhëron i shkreti mall”,- thotë Aliu në fillim të poezive të tij. Le kështu të nënkuptohet epopeja e ndjenjave dhe stisjes së tyre me art. Të dy këta do ta lëronin thellë me vargje këtë epos. Do të bëheshin Prometejtë e lirikës intime në brezat e kësaj toke, e cila rrit “vashëzat- shtojzovalle”, siç thoshnin ata.
Shpesh përmendin kohën e shkuar, trishtimin për dritën e dikurshme. “Përqafimet që më s’ janë”- thotë Lasgushi. “ Për kujtimet që më s’ janë”- thotë Aliu. Sigurisht që ata e kanë lexuar veprën e njëri-tjetrit, mund edhe të jenë ndikuar, por më i nënvizuar është fakti se edhe format e shkrimit e vargut e të figurave shtegtojnë. Po ashtu edhe larmia apo romantika e përjetimeve dhe e kohëve.
Të dy nënvizojnë tingëllueshëm psherëtimën e madhe për vashëzat, ndriçimet e këtyre yllesave. “Haj, o dorë e vashës, haaaaaj”, shkruan njëri dhe tjetri. Të dy kanë art magjepsës, tingëllues, fin. Aliu përdor më shumë vargun 16- rrokësh, si për të zgjatur psherëtimën e tij lënguese. Lasgushi përdor 8, 10 e 12- rrokëshin. Lulet e tyre poetike zbukurojnë planetin e poezisë shqipe. Dhe kështu do të mbeten përjetë, me kristale drite. Ata janë “Omer Khajamë” të këtij trualli…
Me Omer Khajamin
Poeti i madh iranian, shekuj më parë, duket se ka ndikuar ndjeshëm te Aliu. Këtë e dëshmon edhe vetë kur thotë: “Është vetëm kënga e Omer Khajamit”. Ai “ka ditur dhe e ka bindur” poetin tonë. Vargu famshëm i Omerit “Zbrazni kupa…” ka ndikuar tek ai. Këtë lejtmotiv e dëshmon në frymën e poezive të tij. I përsërit tingullin, ndonëse jo gjithherë si poeti i Lindjes. Sepse jeta, në fakt nuk është vëtëm “verë e puthje”, nën tymin e mejhanes. Jeta ka vektorët e saj për të gëluar si e tillë, e kjo pasqyrohet edhe te Aliu. “Çupa, çupa,- thotë ai,- do t’ ju pi në kupa”. Por kjo nënkupton së pari bukurinë magjike të vashës shqiptare, kësaj luleje magjike të rracës. A nuk është shprehja popullore: “Ai (ose ajo) është për t’u pirë në kupë”? Pra, jo gjithherë si koncepti i Omerit të Lindjes.
Aliu vazhdon:
… Trup për kupë që s’ ka të dytë”!
…Gjithë ditën kupa mbush,
Gjithë natën kupa zbraz…
Dhe nënvizon pëlqimin e tij: “ verë, vajzë e lule”… Po edhe kjo është ndikim i parardhësit të vet. Në fakt jeta nuk ta ofron këtë lehë parajse. Por poeti i le shfrim imagjinatës poetike. Sidoqoftë ai vijon të thurë penelata të arta për bukurinë femërore.
Me Emineskun
Me poetin e madh rumun, të gjysmës së dytë të shek. XIX, Aliu ka disa ngjasime, të cilat konsistojnë në formë e vargut, në mjetet shprehëse e në motiv. Në një poemë të tij shkruan për dy të rinj që u ndanë tragjikisht, por u ribashkuan nga zjarri i zemrave:
Do të flisnin, pëshpërisnin edhe më, po nuk durojnë,
Se me radhë njëri-tjetrin në të puthura mbulojnë…
(poema “Këlini”)
Aliu:
E pra, eja e t’ ja nisim, atë këngë ta përsërisim,
Ti me bizë e un’ me buzë, të punojm’ e të qëndisim…
“Doli hëna? Hëna ngrihet madhështore dhe e artë” (Eminesk), ndërsa Aliu “ Vidi, vidi pëllumbeshë/ është e juaja hëna, hëni“! Të dy përdorin objekte të mëdha ta natyrës. Të dy spikatin nër kumbimin e vargut 16- rrokësh, si edhe në vargje të tjerë.
Me NAIMIN
Duket sikur krejt eposi lirik i Aliut është nënvizim e shtjellim i vargut të famshëm naimian për dritën intime:
“Balt’ e pluhur do të bëhem,
Të më shkelë këmb’ e saj”!…
Naimi i ka kënduar vashëzës në mënyrë sentimentale të skajshme, gati duke u vetëflijuar për ‘të. Kjo gjendje delirante shihet shpesh edhe në vjershat e Aliut. Por Aliu nxjerr nga pena e tij një tog vargjesh si grushte floriri, për të dritëzuar Vashën. Dhe vijon duke përsëritur disa herë tingullin e të madhit Naim: “Pashë pjeshkëtë në fletë/Pa m’u mejtua gjiri yt”…
Aliu:
… Un’ u bëra pal’ e pet’
… Ku do shkelë këmb’ e saj, loti im do jetë i huaj…
… Këmba jote aq e lehtë, aq e shpejt’ e aq ngadalë,
Sikur flutur, sikur fletë, sikur shkumë, sikur valë…
Dhe vazhdon:
Atë lot që më ka hije, kur në këmb’ të tua bie,
… I dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmb’ e saj…
Tamam sikur është shkëputur e zhvilluar një copëz NAIMI dhe ndriçon në liqenin e drittë sentimental të Aliut.
Me Nolin
Ngjashmëria duket sidomos në figurat stilistike si aliteracioni, etj. “Dif’ dragoi i Dragobisë/ Trim tribun’ i vegjëlisë”(Noli). Ndërsa Aliu: “Shtatë kate paskish qielli, shtatë ngjyra ylyveri/ shtatëdhjetë e shtatë zjarre kishte syri që më theri/. Përsëritja e “sh”-së (gjashtë herë) jep fishkëllimën e një habie… Aliu ka aliteracione të shumta që ua kapërcejnë shumë e shumë poetëve të tjerë.
…………………………………………
Poetët e mëdhenj ngjajnë. Poetët e vegjël kopjojnë. Të mëdhenjtë plugojnë, secili arën e vet poetike. Dhe i qëndrojnë kundruall parajsës. Ata e lexojnë njëri-tjetrin, bëjnë asimilim krijues. Motivet dhe figurat shtegtojnë.
Edhe Aliu ynë, ndonëse shpesh i lënë në hije, si nga mentaliteti prapanik i një faze të caktuar të komunitetit, ashtu edhe i shtetit (injorant të asaj kohe, në këto fusha të ndjeshmërisë),- ai ndriçoi me arsenalin e vet origjinal, të papërsëritshëm,të dritshëm, duke u rreshtuar kështu krah lirikëve të mëdhenj të botës si Rumiu, Khajami, Eminesku, Esenini, Lasgushi e të tjerë…

Check Also

Sot përballja e fundit Trump-Biden

Sot do të mbahet përballja e fundit në sallën e Belmont University në Tenessy, mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 + ten =