Home / Aktualitet / NGASHËNJIMI TURBULLUES I POLITIKËS…

NGASHËNJIMI TURBULLUES I POLITIKËS…

Nga Xhevair LLESHI

Kuajt e shoqërisë së sotme jemi ne!…

Si? Pse nuk ma vunë emrin Hitit? Domethënë fre! Jo, më mirë, se nuk do ta shijoja çastin kur ta rrëmben era, nuk do t’i shihja muskujt që shfryjnë, ngashënjimin e tij para natyrës që është i pafund. Ngashënjimi? Jo, M’Fal-M’Fal, një gëzim turbullues s’e rrëmben dot dhe nuk je në gjendje ta bësh me krahë. Vrapi i çmendur i një kali hitit ka qenë dhe është fluturim, ai zgjohet tani para një bote me vringëllima virusesh, vërtet, por që nuk është më në shërbim të tjetërkujt. Si ne. A erdhi ky vit i madh dhe ne gjetëm veten? Kjo liridalje madhështore dhe kjo rilindje në gjirin e natyrës të zgjon një ndjesi mrekulluese, që e harbon shpirtin, të rrëmben dhe ti godet në shenjë, gjen binjakun e lirisë së vërtetë, duke iu drejtuar origjinës sate ontogjenike, thelbit që rri i fshehur si margaritar në fund të shpirtit. Një kalë! Një kalë pra! Kuajt e shoqërisë së sotme jemi ne, që ditëm të kapim çastin. Kuajt e mendimit tonë! T’i bëjmë tonat pronat që na janë grabitur… Zgjohu, njeri, zgjohu dhe shikoje të vërtetën në sy. Aty fle guximi i çartur dhe ngadhënjimi i madh. Aty! Por a ke sy ta shohësh? Po deshe eja me mua të shkojmë bashkë në pyllin e Divjakës, një pyll si ky ku kemi ardhur është, se ky tash e tutje do të jetë pylli ynë, apo jo? Dhe të shohim kuajt hergjelé. Rrinë në tufë, hanë në ecje e sipër, i japin furi erës, bëjnë seks kur u vjen koha e tyre pa pyetur kënd, flenë si gjithë kuajt në këmbë, tremben kot fare dhe nisin vrapin e madhërishëm. Era ua ngre jelet që duken se do të shkojnë në lartësitë e pafundme të qiellit, muskujt në vrap e sipër bëhen një vrull i paparë dhe energji fisnikërore. I sheh të harbojnë me një koreografi që vetëm një shpirt i lirë mund ta zotërojë. Kali edhe i egër është fisnik! Sa vë dorë njeriu ai zbutet, bëhet fare i urtë, por jo dorëlëpirës. Sikur e ndien se njeriu është një fuqi tjetër, për të i mbinatyrshëm…
Unë i kam parë dhe i kam shijuar kuajt hergjelé në gjithë magjinë e tyre të mahnitshme. Edhe kur hyn lukunia e ujqërve për t’i rrafshuar. Ta shohësh ngardhosjen e tyre, harbimin, egërsimin, qëndresën, durimin dhe forcën madhështore. Ujqit nxirrnin para syve të kuajve dhëmbët e tyre të egër e të unshëm, kurse ata si një bllok i vetëm me veshët e pilluar, në mes mëzat dhe pelat dhe në ballë, anash e në fund burrat, kuajt! T’i shohësh! Po këtu a ka kuaj hergjele, po më pyet? Jo, më duket, por këtu ka bletë, pemë, fruta, vreshta, ullishta e ç’të kërkosh e gjen! Ne i gjetëm! Sot kemi ardhur për provokim, të hapim dyert. Duket se sot nuk jemi kuajt, po ujqërit. Të shohim, po u mbrojtën si kuajt, duhet të kthehemi pas, do të mjaftonte kërcënimi. Këtu ka njerëz që punojnë, pronë deputetësh… M’Fal-M’Fal, harrova të të them se luftimin në bllok hititëve që shpartalluan gjithë ushtritë e botës, nga zakoni i kuajve e kanë marrë! Pastaj t’i shohësh ujqit e mjeruar, me bisht ndër shalë e duke vrapuar të tmerruar, ndërsa pas tyre hergjeleja madhështore nën trokun që mund të përjetësonte botën. Po mos harro, ne jemi kthyer në kuaj dhe kemi triumfuar, jemi shpirt i lirë, nuk na sundon kush. Dhe vjen pastaj harbimi në Karabashtë e në det, duke i ngritur si shi stërkalat e ujit. Duket që s’i ke parë! Hyn brenda furishëm energjia më e madhe shtazore e botës, me gëzimin madhështor të shpirtit të lirë. Edhe dashuria e tyre mbetet një art më vete. Ua ka dhënë natyra me tepri. Lodrat e tyre janë pa fund. Shija e jetës është një apogje më vete. Akti i lindjes është një fantazmagori e rrallë. Mëzi i vogël bie në këmbë dhe pas një turbullimi disa sekondësh ia ther vrapit edhe ai. S’ka kohë për të pritur më. Jeta e tyre e lirë është një vrap i pafund. A nuk është ky një simbol? Por unë doja që të kishte mbi shpinë shalën. Vetëm shalën, pa yzengji e me frerë të lirë. Diçka që i përket natyrës, jetës. Gjithçka tjetër është nën këmbët e kalit. Dhe e gjithë kjo, ta them unë, Kap Ça T’Kapësh-i, duhet bërë e gjitha me kujdes, por e shoqëruar me shqyerje dhëmbësh, me dokumente, me firma, le të jenë me fuqinë dhe frikën e armës… Pas nesh vijnë taksidarët, gjobëvënësit, paçka se s’janë shpirtrat e lirë të vërtetë. Do t’u vëmë edhe atyre shenja dalluese të veçanta, pa erëkëndje, përndryshe na pjell belaja, se do t’u falin njerëzve të tjerë, sidomos tek ata ku mungon shpirti i lirë, që të eglendisej disi me veten dhe u jep qoftë edhe pak ngehje, liri të vogël, pak shpirt tjetër. Pikërisht kjo nuk më pëlqen, prandaj dhe unë kam kërkuar shpirtin e lirë. Se njeriu i do të gjitha, edhe madhështinë, edhe ëndjen e vobektë. Aty, madje, ngec dhe ngec keq. Sepse gjërat e vogla i japin fuqi të madhes dhe njeriu di ta arrijë fuqinë e madhërishme që i fal liria. Të tillë e zgjodha mjetin dhe ky mjet më shërbeu për t’u dhënë ngjyrë, pak lirizëm dhe në të tërën një energji të parrëfyeshme. Merr vesh, M’Fal-M’Fal? Aty duhej të ishte drama dhe orgjia, prandaj dhe është, befasia dhe e vrullshmja, tronditja dhe ngashënjimi, forca dhe përhumbja, fjetja dhe zgjimi, lëkundja dhe shpërthimi, uji që rrjedh dhe shkëmbi, lodhja dhe vrulli i pafund. Me një fjalë aty duheshin dhe janë të gjitha. Dhe druhem mos ka shumë elegancë, me një dorë që vetëm sa e prek vendin ku ngulet kunja ime, pika që vendos unë, prona e re që do regjistroj unë, që nesër të kthehet në mjet, fuqi, në perceptim dhe të rrezatojë fantazinë time. E pra, nuk jam kot! Imagjinata ime e ka parë që më përpara dhe mendimi im do ta realizojë patjetër. Se çdo gjë fillon si lojë, aq më tepër krijimi. Krijimi? Dëgjon si i erdhi frymëzimi të ziut Kap Ça T’Kapësh? Ndaj duhet të ecim me shumë vendosmëri në këtë punë!…

Fragment nga «Brenga»… Ah, ç’të bën politika!…

Check Also

A e ka zbuluar Basha patronazhistin e PS? Kryedemokrati e zbulon për herë të parë

“Jo se kam zbuluar, është fundi, tregon se ku ka përfunduar Republika e Shqipërisë. Tregon …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × three =