Home / Aktualitet / Nga Xhovan SHYTI/ LEFTER ÇIPA, POETI I FUNDIT I RILINDJES KOMBËTARE

Nga Xhovan SHYTI/ LEFTER ÇIPA, POETI I FUNDIT I RILINDJES KOMBËTARE

Pas mesnatës të së mërkurës, saktësisht rreth orës 01.15′, poeti Lefter Çipa, i cili prej dekadash përcolli nëpërmjet krijimtarisë së tij frymën kombëtare dhe dashurinë, pas vuajtjesh dhe lengatash fizike, ndëroi jetë. Iku për tu rikthyer një ditë, do të ishte fraza përcaktuese më e përshtatëshme, pasi me gjithsa la pas Lefter Çipa i përket përjetësisë.

Ai ishte ndër të fundit e plejadës së kombëtaristëve rilindas që u përpoq të ndikonte sadopak në konsolidimin dhe ruajtjen e identitetit. Gjë që e ndesh në të gjithë krijimtarinë e tij, duke përfshirë edhe lirikat frymëzuese, ku gjen sa frymën naimiane, atë çajupiane, deradiane etj.

Me krijimtarinë e tij, me vargjet e mrekullueshme që të mbërthejnë e nuk të lëshojnë për asnjë çast, Lefter Çipa, është pa dyshim një Robert Bërns shqiptar, vargjet e poezive të të cilit këndoheshin masivisht nëpër ambientet publike.

Foto: Lefter ÇIPA në rininë e vet.

Krijimtaria e “shtërgut të fundit” rilindas, siç do ta portretizonte i ngjashmi i tij Lasgush Poradeci, po të ishte në këtë jetë, për autorësi mban pasaportë shqiptare për tematikë del jashtë kufijve kombëtarë, për faktin se në të mbartet shpirti i delirë i njeriut gjithërruzullor.

Edhe pse pak javë më parë Presidenti i Republikës i akordoi poetit Lefter Çipa, titullin e lartë të  shumëmerituar “Nderi i Kombit”, kjo sërish është shumë pak krahasuar me atë që ai i dha Shqipërisë, flamurin kombëtar të së cilës prej dekadash e ka shpalosur në terracë të shtëpisë së vet në Himarë, si një sfidë ndaj gjithë agresorëve që synojnë çkombëtarizimin.

Në pamundësi për ti sjellë të plota qindra mijërat e vargjeve të lena trashëgim nga Lefter Çipa, po sjellim më poshtë strofa të shkëputura, të nxjerra nga dedikimet që poeti ia bë atdheut dhe frymës kombëtariste.

Shqipëri,
ç’ bukuri ke,
Si flori
në kadife…

….  

… Dritë nëpër penë,
Nëpër pushkë flakë;
Tre burra që qenë,
Tre burra të lartë.

(Dedikuar tre vëllezërve Frashëri}

…..  

Ç’ po fryn era e Flamurit,
Sytë e pushkëve gëzojnë;
Trimat si vala e lumit
Nëpër luftëra kalojnë…

….. 

Male, gërxhe dhe lugina,
Mbushur plot me lapidarë;
Atje prehen djemt’ e bijat
Që jetojnë e janë të gjallë…

 ….. 

Shqipëri, shqiponjë e shkruar,
ty të mbron populli vetë;
Brezat me gjak të kulluar,
rriten dhe shkojnë përpjetë.

Ja ku janë radhë-radhë
brezat e flakës së kuqe,
Në çdo vepër dorën kanë,
tokës mëmë i mbjellin lule.
Mbjellin lule, mbjellin dritë,
zotër të Shqipërisë janë;
Shkulin net’ e mbjellin ditë,
Lart më lart e ngrenë kalanë.
Kala me breza çeliku,
Çelik nga tradita bërë,
Të mart’ të keqen armiku
Se neve na ke më këmbë

….. 

…O i gjalli ndër të gjallë,
O i ëmbli për shqiptarë!

Janë dy vargje që Lefter Çipa ia kushton poetit të madh gjithëkombëtar Naim Frashëri, por që, në fakt i përkasin të gjithë atyre që, sikurse ai, e shkrin jetën për të mbajtur gjallë shpirtin e rilindur të atdheut.

Dhe më së fundit po sjellim vargjet e fundit të poetit, të lena si një epitaf optimizmi i pashuar.

Në foto: Poeti Lefter Çipa me bashkëshorten, në drekën e fundit.

SHJPIRTI IM NË AMANET

Ikën zogjtë, ika unë,

Lamtumirë o miq e shokë,

Do shkoj atje ku kam punë,

Do sdhkoj në një tjetër botë.

….. 

Andej do jem për vite,

S’dihet sa vjet do largohem,

Veç mos më thoni se vdiqe,

Se një ditë prap do kujtohem.

…..

Do kujtohem të vij prapë, 

T’ju takoj me ju të çmallem,

Dhe në mbetsha m’atë anë,

Do ngjallem, për ju do ngjallem.

…..

Dhe një mal të kem mbi vete,

Dhe të kem një mal me gurë,

Shpirti im me amanete,

Do vij shpejt të puth flamurë.

…..  

Të shikoj shtizën e lartë,

Që kanë merak kurtbetlinjtë,

Prandaj shokë do vij prapë,

Do vij prapë.., ndonjë ditë!

/Arberianews.net

Check Also

COVID/ Një variant i ri më vdekjeprurës po alarmon ekspertët

Varianti i koronavirusit i identifikuar në Kaliforni, është më infektues sesa lloji origjinal i virusit, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × two =