Home / Kryesore / Nga libri ” Njerëz me dritë”/ Burri i tramundanave në brigjet me “re dhe gurë”

Nga libri ” Njerëz me dritë”/ Burri i tramundanave në brigjet me “re dhe gurë”

Nga Lefter ÇIPA –
Vendlindja është lindje dhe mosvdekje. Prandaj s’ka vdekur Petro Marko, se kërkoi rilindje atje ku lindi. Mbetet i lindur dhe i pavdekur se ia ktheu vendlindjes dashurinë me vepër të përjetshme. Trashëgimia e vendlindjes është vërtetësia e origjinës për brezat që do vazhdojnë e do vijnë dhe do ruajnë vyrtytet e njeriut. Të thënat e Petro Markos për vendlindjen, Dhërmiun në veçanti dhe Himarën në përgjithësi, por edhe për Vlorën e Labërinë më gjerë, e tejkalojnë jetën e gurit në vendlindjen e tij. Jam i sigurt dhe e them me besim të besuar se krijimtaria e tij do lartohet e do u shfaqet brezave si gurët, si ujët e detit dhe si malet e Vetëtimave mbi kulmin e shtëpisë së tij në Dhërmi.
Petro Marko ishte zog stuhie, jo zog ferre. Ai u madhua nëpërmes tramundanave të jetës dhe e qëlloi me pëllëmbë fatin e tij. Hëngri inat me fatin dhe nuk iu qas me zvarritje fatit siç bëjnë zakonshëm njerëzit e zakonshëm.
Petrua e zmadhoi zemrën e dashurisë dhe vrenjti ballin si re mbi det, sa herë dhe kurdoherë që ndokush guxoi ta rëndonte.
Jeta i hodhi mbi supe brrucën gjithë njomështi të halleve dhe brengave. I hodhën ngricë mbi vatrën e zjarrit, por prush e bëri zemrën dhe shpirtin. Ngrohu të tjerët dhe këdo që e quajti njeri, ndërsa harroi t’i bënte pak prush vetes së tij.
Në veprën letrare të Petro Markos dalin modelet burrërore të bregasve. Të bregasve që dijnë të luftojnë, të bregasve që dinë të mërgojnë, të bregasve që dinë të kthehen, të bregasve që dinë të lundrojnë mbi tallaz dhe bunacë, të bregasve që dinë të këndojnë dhe të bregasve që dijnë të logasin. Të tillë letërsi, për vendin dhe gurin e tij, vetëm Petro Marko ka bërë për Dhërmiun dhe Dritëro Agolli për Devollin e tij. Prandaj Petro Marko është bërë tani e për gjithë jetën që do vijë një gur-shkëmb në anë të detit shqiptar.
Petrua i mori në pëllëmbë të dorës gjithë lufërat e njeriut kundër njeriut, të sistemeve dhe qeverive kundër njeriut. Me atë pëllëmbë e mposhti fatin e tij duke bërë një fat të përjetshëm për veprën madhore.
Petrua është burri i Bregut të bukur që, si askush tjetër nga njerëzit e penës në Breg, u bë këngë e i bëhen këngë. Se në shpirtin e tij behar të pa mbaruar fluturoi shpirti atdhetar, ëngjëlli shqiptar i bekimit dhe dëshirave, që kthehet sa herë mërgon dhe që gjelbëron sa herë mbillet. Prandaj, te koka e Petros sot e përgjithnjë do të jetë i ndezur qiriri dhe i gjelbëruar ulliri.
Kënga dhe deti do bëjnë lojën dhe duelin e jetëgjatësisë pranë emrit të Petro Markos, shkrimtarit bregas të tramundanave, të brigjeve me re dhe gurë.
Nga libri ” Njerez me drite”
Botimet M&B, Tirane 2021
(Publikohet per here te pare)

Check Also

Ngjarja në Elbasan, delegacioni i BE: Hetim të shpejtë

Delegacioni i BE në Tiranë reagon pas ngjarjes së sotme në Elbasan ku një person …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

six + 17 =