Home / Kulture / Nga cikli “Mirënjohje të Vonuara”/ Rudolf Marku

Nga cikli “Mirënjohje të Vonuara”/ Rudolf Marku

Nga Agron TUFA-

Mendoj gjëja më e drejtë që mund të bëjë njeriu është jo vetë të mos harrojë me qenë mirënjohës, por ta shprehë mirënjohjen. Për fat të keq na ndodh shpesh të mos u japim zë mirënjohjeve, ndonëse njerëzit që na kanë bërë mirë, na kanë ndihmuar e kanë qenë dashamirës me ne janë të shumtë. Rudolf Markun e njihja përmes krijimtarisë poetike që në shkollë të mesme: kisha lexuar rregullisht cikle të tij poetike tek “Drita” e “Zëri i rinisë” dhe pa dyshim vëllimet poetike “Sërishmi”, “E dashur” etj. Disa poezi i dija (e i mbaj mend dhe sot) përmendësh. Ka qenë qershor i vitit 1990 kur unë dhe miku im më i ngushtë asokohe, Gjekë Marinaj, hymë për herë të parë në Lidhjen e Shkrimtarëve me qëllimin të takojmë Rudolfin. Me vete kishim nga një tufë poezish të shkruara me dorë. Kishim besim apriori se do të na ndihmonte Rudolfi, poezitë e të cilit, sikundërse të Ilirjan Zhupës, Preç Zogajt, Mimoza Ahmetit apo prozën e B. Mustafait e analizonim me Gjekën në detaje, diskutonim deri natën vonë në Shkodrën e asaj kohe. Në Lidhje e ndeshëm Rudolfin duke zbritur shkallët nga kati i dytë, i lehtë, i hajthëm, me një veshje më shumë sportive sesa zyrtare. Isha me uniformë ushtari. Ndjeja siklet (e kam urryer atë uniformë) dhe në momentin kur do hynin në kafen e lidhjes s’di pse më shkrepi se me atë uniformë nuk ia vlen të ulesh për të biseduar mbi poezinë. Ia lashë poezitë e mia Gjekës që t’ia përcjellë Rudolfit, duke e lënë të hutuar. Dhe dola e prita jashtë. Gjeka më tha se ia kishte lënë Rudolfit poezitë, se aty kishin qenë dhe Zija Çela e Bardhyl Londo. U kthyem në Shkodër me shumë besim se do të na botojnë. Kam përshtypjen se cikli poetik i Gjekë Marinajt u botua në “Drita” në fillim të shtatorit 1990 dhe fill pas festimit të atij botimi, filloi historia tjetër, e përndjekjes, siç më thoshte Gjeka dhe s’kisha pse mos e besoja, përsa ai fliste hapur kundër regjimit, aq sa më trembte. Kush e mban mend, në atë cikël ka qenë botuar një poezi tejet e guximshme e problematike për kontekstin politik – poezia “Kuajtë”. Më vonë atë poezi e kanë lexuar studentët në tribunat e mitingjeve të dhjetorit 1990. E kam dëgjuar vetë. Para se të arratisej Gjekë Marinaj në tetor 1990, shumë më parë, aty nga fundi qershorit, kam marrë një letër nga Lidhja e Shkrimtarëve në repartin ushtarak ku sherbeja asokohe, në Juban të Shkodrës. Tani më vjen keq se si shumë gjëra të tjera të rëndësishme edhe atë letër nuk kam mundur ta ruaj. Letra ishte nga Rudolf Marku dhe analizonte dy linja të të atyre 25 poezive që kisha dërguar dorazi përmes Gjekës. Përveç vlerësimit që më emocionoi, Rudolfi më sugjeronte që këto dy linja – njëra me katrena të rimuara dhe tjetra me varg të lirë, t’i zhvilloja paralelisht. Më premtonte se një cikël prej tyre do botohej në “Drita” (më vonë vërtet u botuan). Ishte një stimul e ngjallje e madhe vetëbesimi ajo letër në atë stinë të thatë për fillimet e mia letrare. Në tetor 1990, në prag të Konferencës Kombëtare të Talenteve të Reja, degët e Lidhjes nëpër rrethe zgjidhnin përfaqësuesit. Dibra kishte refuzuar përfshirjen time, kuptohet, për shkaqe biografie, ndonëse një vit më parë kisha botuar një cikël poetik te “Zëri i rinisë”, që kishte fituar çmim kombëtar. Në përzgjedhjen e talenteve përfaqësues të Shkodrës qe dërguar Rudolf Marku, i cili bëri një evidentim të hollësishëm të zërave të rinj poetikë ku për mua dha vlerësime që më bënë të skuqem nga emocioni. Në Konferencën e Talenteve të Reja në Korçë më përfshinë me përfaqësinë e Shkodrës. Tre vite më vonë, tashmë pas rënies së komunizmit, isha redaktor përgjegjës i faqeve letrare të “Zërit të Rinisë”. Si pasojë e një polemike që kisha me një shkrimtar socrealist të ish sigurimit dhe me një pinjoll të ish bllokut (të dy nuk jetojnë më) u sulmova nga një bandë e paguar prej tyre (qershor 1993). Në pikun e tensionit, kur redaksia (në faqen veriore të hotel “Dajti”) ishte e rrethuar nga këta halabakë që kërcënonin, vjen Rudolf Marku (asokohe deputet i PD) për të sjellë, në mos gaboj, tekstin e poemës “Toka e shkretë” të T.S. Eliot, të cilën sapo e kishte përkthyer… I çmeritur nga ajo skenë, Rudofi mori në telefon Agron Musarain, që ishte shefi i Policisë. Brenda ditës kapoja i tyre arrestohet dhe dërgohet në Komisariatin nr 3. Historia më tej përfundon me të luturat e rixhatë e kapos për ta falur. Janë dhe raste të tjera të dashamirësisë dhe xhentilesës njerëzore të poetit Rudolf Marku. Sigurisht, dikush mund pyesë: çfarë rëndësie shoqërore kanë këto kujtime të tua personale? Dhe unë them: mirënjohja është vlera më fisnike, që nuk duhet harruar në xhunglën e vlerave të sotme. Unë bëj pjesën time për përvojën që më takon, pavarësisht personave apo rrethanave. Dhe do ta bëj edhe për njerëz të tjerë, shkrimtarë apo jo shkrimtarë qofshin. Më mirë se këto radhë do të vlenin vargjet e nobelistit Josif Brodskij kur thotë: “Dhe nëse gojën s’ma kanë mbushur ende me baltë/ vetëm mirënjohja do të kumbojë prej saj”

Check Also

Fotografi shumë të rralla, që tregojnë Notre Dame në vitet 1800

Guri i parë i Katedrales së Notre-Dame, në Paris, u vendos nga Papa Aleksandri III, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 1 =