Home / Aktualitet / Neritan Sejamini për Uran Kostrecin: Ai u hakmor duke jetuar

Neritan Sejamini për Uran Kostrecin: Ai u hakmor duke jetuar

Uranin e njoha në vitin 1988. Sapo ishte vendosur në Elbasan, pas 20 viteve burg dhe 5 viteve internim. Jetonte në një kasolle të vogël, në fundin e oborrit të Didije Biçakut.

I fshehur pas Kinoklubit Metalurgu, larg syve të njerëzve, oborri ishte kthyer në një kopësht me lule nga Xhevdet Jolldashi, pasionat lulesh: rreth 400 metra katrorë të hijeshuara me bar, lule me ngjyra të ndezura dhe një vijë uji që bënte zhurmë të ëmbël. Ishte një oaz në mes të shkretëtirës gri të qytetit të pllakosur nga papunësia dhe mjerimi i viteve të fundit të komunizmit.

Në një cep, në fund të kopshtit, me leje të Didijes, Urani kishte ndërtuar “koliben” e tij, siç e quante ai—një kasolle jo më shumë se 3-4 metra katrorë, me mure dërrase, çati teneqeje dhe dysheme prej trualli të ngjeshur.

Atje e takova për herë të parë Uranin. Më la aq shumë mbresë, sa u ktheva tek ai përsëri, e përsëri, e përsëri.

Urani ishe “armik” dhe ishin shumë të paktë ata që mund të guxonin të shkëmbenin dy fjalë me të, ndaj për mua ai kishte gjithë kohën e botës. Më tregonte me orë të tëra për martirët e pushkatuar e heronjtë e burgjeve komuniste, për patriotët e harruar, për ata që deshën Shqipërinë, por jo komunizmin.

Më së shumti më fliste për poezi, për sonetet e Dantes që i adhuronte, ndaj dhe shkroi vetëm sonete.

Me një makinë shkrimi, që u kisha marrë fshehur prindërve, për muaj të tërë hodha në letër vargjet që Urani kishte krijuar në burg, duke i ngulitur në kujtesën e tij.

Aty hodhëm në letër për herë të parë Epopenë e Karkalecave—parodinë që tallej e përçmonte Enver Hoxhën e komunistët si karikaturat njerëzore që ishin. Hodhëm në letër dhjetra sonete e lirika të mekullueshme, që Urani riprodhonte nga kujtesa, për dashurinë, prindërit, atdheun, patriotët shqiptarë.

Ishte një realitet surreal, paradoksal: një kasolle ku flitej e shkruhej letërsi antikomuniste, nën hijen e rëndë të Kinoklubit Metalurgu ku interpretohej letërsia komuniste; një “burgaxhi” që ishte njeriu i vetëm i lirë në qytet; një njeri i vetmuar që jetonte në një kopësht të vërtetë lulesh, ndërkohë që shqiptarët po zbulonin se Shqipëria e tyre “kopsht me lule” ishte në të vërtetë një shkretëtirë.

E gjitha ngjante me një drejtësi poetike: Urani kishte triumfuar mbi të keqen dhe kishte gjetur kuptimin e jetës duke mbetur gjallë.

Nuk e harroj asnjëherë ngazëllimin e syve të tij kur tregonte si e hodhën një herë në birucën e izolimit, në mes të dimrit, thuajse lakuriq e pa batanije, por ndërsa dergjej në çimenton e ftohtë e ndjente vdekjen pranë, e mbanjti veten gjallë duke i thënë se nuk do i jepte kapterit mizor kënaqësinë ta shihte të vdekur.

Urani e mposhti të keqen duke jetuar.

Pas rënies së komunizmit, edhe pse i lirë, edhe pse i nderuar, edhe pse me mundësi, ai zgjodhi prapë të jetonte në “kolibe”—në një dhomë të vogël në mes të Tiranës—duke shkruar sonete e kujtime.

Nuk urreu kurrë, nuk e qasi asnjëherë ndjenjën e hakmarrjes.

Ai u hakmor duke jetuar. Ne shpirtin e tij ruajti veç dashuri.

Check Also

10 viktima në autobusin me shqiptarë, Basha: Trishtim i thellë nga tragjedia

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave nga aksidenti tragjik që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 + 6 =