Home / Aktualitet / “Ne s’kemi ujë të pimë, ata duan të vadisin misrin”, përplasen keq fshatrat ‘rivalë’ në protestë banorët e Kuçovës

“Ne s’kemi ujë të pimë, ata duan të vadisin misrin”, përplasen keq fshatrat ‘rivalë’ në protestë banorët e Kuçovës

Teksa banorët e fshatit Lumas kishin shkuar për të protestuar kundër ndërtimit të ujësjellësit pranë njësisë administrative të zonës, ka pasur një degjenerim të dhunës dhe përplasjes mes grupeve të ndryshme të qytetarëve. Në të njëjtën kohë pranë njësisë kanë shkuar banorët e disa fshatrave të tjerë që janë pro ujësjellësit, dhe në final janë përleshur mes tyre.

Punonjësit e policisë po tentojnë të shuajnë konfliktin mes grupeve të ndryshme të banorëve, ndërkohë që në vendin ku po mbahet protesta janë të pranishëm dhe punonjës të Bashkisë së Kuçovës, që duket se po nxisin më tej dhe konfliktin.

Policia ka vendosur një kordon të gjatë për të ndarë banorët e fshatrave të ndryshme, ndërsa thirrjet trishtuese të të dyja palëve janë të njëjta: Duam ujë! Thirrje që dëgjohen ende në Shqipërinë e vitit 2021.

Banorët pro ujësjellësit:

“Ne duam që të kemi ujë, duam ujësjellësin, ata e duan për të vaditur, ne nuk kemi ujë që të pijmë”

“Ne nuk kemi ujë, jemi shumë fshatra, jemi llafosur me deputetin dhe na kanë thënë që do të na sjellin ujë. Kemi folur me deputetin Bardhyl Kollçaku, dhe na e ka premtuar ujin”.

“Jam banor i fshatit Koritzës, nuk ia dalim dot të mbushim ujin me bidona, ata vadisin misër”.

Historia për ndërtimin e ujësjellësit vijon prej disa muajsh në fshatrat e Kuçovës, ku banorët e Lumasit kërkojnë që ai të mos ndërtohet duke marrë ujin e burimit të Sinecit që është edhe atraksion turistik për zonën.

Protestat e tyre kanë qenë pothuajse të përditshme, ndërkohë që janë ndeshur dhe me dhunën e policinë dhe heshtjen e institucioneve lokale.

Nga ana tjetër janë dhe banorët e fshtrave Vodëz apo Krekëz, të cilët thonë se duan ujë në shtëpitë e tyre, dhe kërkojnë që ujësjellësi të vijojë sa më shpejt.

Duke qenë se shteti është i pafuqishëm, ose më mirë të themi inekzistent në dhënien e zgjidhjes së këtij konflikti që vazhdon prej disa muajsh, përplasjet mes fshatrave kanë kulmuar në përdorimin e dhunës gjatë paradites së kësaj të enjteje.

Protesta e banorëve të Lumasit është përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, ku 5 prej banorëve kanë hyrë në grevë urie, dhe kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të Policisë Ardi Veliu, pasi sipas tyre është ai që ka urdhëruar efektivët në Kuçovë që të ushtrojnë dhunë ndaj tyre.

Janë rreth 5 mijë persona që do të furnizohen me ujë nga ujësjellësi i ri, që po ndërtohet nga Bashkia e Kuçovës, por prishja e burimit të Sinecit, sipas banorëve të Lumasit është me pasoja të rënda për jetën e tyre, dhe e vetmja zgjidhje që do iu mbetej në këtë rast ishte të braktisnin shtëpitë e tyre.

Check Also

Plagosje me armë zjarri në Lezhë, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar

Një i plagosur me armë zjarri ka mbetur në Lezhë. Autori i dyshuar Xhulio Vokrri, ka plagosur 25-vjeçarin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eight + eight =