Policia e Tiranës bëri me dije nëpërmjet një njoftimi se u arrestua një person me inicialet A. Gj, 60-vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
I arrestuari, që rezultoi të ishte këngëtari i njohur Aleksandër Gjoka, në një vend ku mjafton një kontroll rastësor dhe mund të arrestohen me dhjetëra persona për të njëjtën arsye, ka ngjallur jo pak habi për dashamirësit e shumtë të artit.
Sipas policisë arrestimi i tij u bë pasi më datën 23.12.2019, rreth orës 00.15, pra fill pas mbarimit të festivalit të Këngës në RTSH, është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4 në rrugën “Sotir Caci”, duke drejtuar mjetin veturë, tip ‘Chevrolet”.
Nuk bëhet e qartë nëse Aleksandër Gjoka ka qenë në festival, apo ka qenë duke pirë në ndonjë lokal, megjithatë dyshohet se ai ka fyer policët gjatë kontrollit.
Policia tha se ai u prangos për faktin se u kap i dehur në timon. Megjithatë, Aleksandër Gjoka, njihet prej vitesh si pijedashës dhe nuk ka qenë ndonjë surprizë për blutë e kryeqytetit, arrestimi i tij.
Ajo që e bën edhe më mister prangosjen e një prej këngëtarëve më të mirë të vendit tonë është fakti se shokët dhe kolegët e tij më të ngushtë, me të cilët shoqërohet shpesh, nuk kanë reaguar ende mbi arrestimin e Aleksandër Gjokës.
“Pas testimit me aparat “Drager”, nga shërbimet e Policisë Rrugore rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l”.
Materialet i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” .
Marrë nga NOA