Gjykata Kushtetuese është plotësuar me 7 gjyqtarë pas emërimit të Sonila Bejtjas dhe ka njoftuar se nga Janari i vitit 2021 do të nisë menjëherë punën për shqyrtimin e padive që presin prej vitesh për një vendim.
Në njoftim, theksohet se do të kenë prioritet veprimet e nevojshme përgatitore për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese.
“Pas plotësimit të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë të rinj, z. Altin Binaj, z. Përparim Kalo dhe znj. Sonila Bejtja, dhe krijimit të trupës prej 7 gjyqtarësh, sot, më 29.12.2020, u zhvillua Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila ra dakord që në ditët e para të muajit janar të vitit 2021 të mblidhet për të shqyrtuar çështjet që sipas ligjit i përkasin për kompetencë Mbledhjes së Gjyqtarëve, si dhe për të kryer veprimet e nevojshme përgatitore dhe organizative për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
(A.M/Faxweb.al)