Home / Kryesore / Ndoshta poezia më e bukur në botë e shkruar për dashurinë!

Ndoshta poezia më e bukur në botë e shkruar për dashurinë!

LI PO (701- 762)

I njohur gjithashtu dhe Li Bai apo dhe me emrin e japonizuar Rihaku, është poeti kinez i shekullit të Tetë,Dinastia Tang, ndër më të njohurit në Botë. Ezra Pound është i pari që e përktheu në anglisht dhe e popullarizoi poezinë e tij në Perëndim. Përkthimi ynë është bërë sipas përkthimit të Ezra Pound i cili mbetet dhe përkthimi më i mirë në gjuhën angleze dhe ndoshta më i miri se çdo përkthim. Vetë kjo poezi mbahet, me të drejtë, ndër poezitë më të bukura të dashurisë në botë.

GRUAJA E TREGTARIT TË LUMENJËVE: LETËR

Kur ende i mbaja flokët shtrirë drejtë mbi ballin tim,
Unë luaja përpara Portes kryesore,
duke mbledhur lule.
Ti vije hipur me këmbalka bambuje,
duke u shtirë sikur i jepje kalit,
Ecje pranë vendit ku unë rrija, duke luajtur me kumbullat e mia blu.
Dhe pastaj shkuam të jetonim në fshatin Chòkan,
Dy fëmijë të vegjël, pa njohur se ç’janë antipatia a dyshimi.

Katërmbëdhjetë vjeç u martova me ty, Imzot.
Kurrë nuk qeshja, duke qenë se isha e ndrojtur.
Me kokën poshtë, vështroja veç në drejtim të mureve.
Edhe kur ma thërrisnin emrin, 1000 herë, nuk e ktheja kokën pas.
Pesëmbëdhjetë vjeç pushova së qëni e ngrysur;
Dëshiroja veç që pluhuri im të përzihej me tëndin,
Përgjithmonë e gjithmonë e gjithmonë.
E përse duhej të kujdesesha që të dukesha më e bukur?

Gjashtëmbëdhjetë vjeç ti u nise,
Shkove në Ku-tò-en, duke ndjekur Lumin me gjire të shtjellëta,
Dhe kanë kaluar pesë muaj që kur ke ikur.
Sipër pemëve majmunët bëjnë atë zhurmën që shpreh keqardhje.

Kur u largove, këmbët i pate tërhequr zvarrë.
Tek Porta myshqet janë shfaqur kudo, gjithëfarë myshqesh;
Tepër të dendur që të mund të pastrohen e të hiqen mënjanë!
Gjethet këtë herë u rrëzuan herët nga era;
Fluturat dy nga dy edhe në Gusht janë në ngjyrë të verdhë,
Mbi barin e Kopshtit Perëndimor.
Kjo gjë më shkakton dhembje. Po plakem!

Po qe se ti vjen përmes ngushticave të Lumit Kiang,
Të lutem, më bëj me ditë para kohe
Dhe unë do vijë që të bashkohem me ty
Aq larg sa ç’është Chò-fù-Sa.

Check Also

VIDEO-SKANDALI / Doktoresha e njohur e QSUT futet live në Facebook dhe bën denoncimin e fortë!

Doktoresha e njohur e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, Monika Fida, ka bërë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 1 =