Home / Kryesore / NDOSHTA KUJTOHEMI PËR ATË QË JEMl, PËR TË NDËRTUAR ÇKA DUAM TË KEMI

NDOSHTA KUJTOHEMI PËR ATË QË JEMl, PËR TË NDËRTUAR ÇKA DUAM TË KEMI

Poeti Fatos ARAPI do të vinte në jetë në një ditë korriku si sot, në vitin 1930 të shekullit të kaluar, atje në brigjet mes Jonit e Adriatikut, që i përjetësoi për plot 60 vjet në poezitë e tij. Poet i niveleve europiane, vargjet e tij të pakrahasueshme janë një shtegëtim i përhershëm drejt Njeriut.
Dritë pastë!
Libri i fundit që kam në dorë prej Arapit është libri “Kujtohem që jam”, libër i shkruar me një fisnikëri që rrallëherë poetët dhe shkrimtarët që jetuan në kapërcyellin mes dy epokave e kanë patur dhe e kanë!!! Asnjë poet tjetër shqiptar nuk e ka bërë me aq ndershmëri dhe sinqeritet autoportretin dhe mea culpa-n e vet.
“Personalisht, duke parë nga jeta ime 65 vjeçare sot, jetën e krijimin tim, unë pranoj ndershmërisht se në krijimtari i kam paguar haraç, dhe ndonjëherë jo të vogël, diktaturës së egër shqiptare, – por më është dashur të mbijetoja, unë nuk luftoja me pushkë, me pushkë luftoi Vllasi, unë më trim se ai nuk kisha për të qenë kurrë, e Vllasi mbeti baltrave e prrenjve të Kavajës, dhe unë s’po ia gjej dot eshtrat as sot. Unë luftoja me penë, isha vetëm një poet fillikat, dhe më shumë nuk mund të bëja. Kam bërë aq dhe atë që kam mundur. As babain e as vëllain tim nuk e kam turpëruar. Në qoftë se i kam bërë ndonjë padrejtësi Shqipërisë, Shqipëria e ka të lirë gjykimin e saj, por Shqipëria ama, e jo lamashët.” (1)
Në vitin 2008 Arapi do të ishte i pari dhe i vetmi poet shqiptar që do të fitonte Kurorën e Artë në mbrëmjet e poezisë strugane. Golden Wreath Medal, një nga çmimet më prestigjozë në botë në fushën e letrave ishte fituar më parë nga emra të tille emblematikë të botës poetike si: W. H. Auden, Joseph Brodsky, Allen Ginsberg,Pablo Neruda, Eugenio Montale, Ted Hughes, Yehuda Amichai, Seamus Heaney, Tomas Gösta Tranströmer etj, etj. Ja si do të shprehej akademiku Todorovski, më 5 shtator 2008, me rastin e marrjes së këtij çmimi kaq shumë të rëndësishëm dhe askurrë të reklamuar në Shqipërinë tonë: “Puna e Arapit lartësohet natyrisht mbi kohërat dhe mjedisin ku ai vendoset dhe të cilit i drejtohet. Fatos Arapi është ekzemplari i një poeti, një autori krijues, autonomia autoriale e të cilit, e shprehur në nivelin dhe statusin e pozicionit më natyror, i ka mundësuar atij poezi dhe mendime të pambaruara nga çdo lidhje me konvencionet estetike dhe veprimet e stilit. “Një pishtar i ndezur para muzgu” është vargu i fundit i poezisë së tij “Unë jam shumë modern”. Unë thjesht do të them, u çudita, u befasova shumë këndshëm kur lexova këtë varg. Atje, Arapi rrëfen pse është shumë modern. Thuhet gjithashtu se “tragjedia është një atdhe i vërtetë i poeteve” dhe “Unë hyra në tragjeditë e ardhshme të lirisë shumë kohë më parë […] Sepse është ky shkëlqim, në mes të atij shkëlqimi që mrekullitë e një fjale të bukur përmbajnë në ditët e sotme. Fatos Arapi është këtu për të ndriçuar plotësisht hapësirat tona të ndriçuara dhe për të zbukuruar këtë zonë të këndshme”.

Check Also

Shifrat e fundit/ 3 viktima nga COVID-19, ja sa raste të reja u shënuan gjatë 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike shifrat e fundit përsa i përket situatës së koronavirusit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 3 =