Home / Histori / Ndikimi i agjenturës jugosllave në zgjedhjet e para në Shqipëri (1921)

Ndikimi i agjenturës jugosllave në zgjedhjet e para në Shqipëri (1921)

Nga Hasan BELLO –
Në mars të vitit 1921 në Shqipëri u organizuan zgjedhjet e para parlamentare. Ndërsa Këshilli Kombëtar (siç quhej parlamenti në këtë periudhë), me 78 deputetë u mblodh më 21 prill 1921. Këto zgjedhje kishin një rëndësi të madhe për shqiptarët.
Ato konfirmonin aspiratat kombëtare dhe tregonin se populli ynë kishte fituar pjekuri politike për të ndërtuar institucione demokratike. Por krahas grupimeve të brendshme që ishin në kristalizim e sipër, një ndikim të nëndheshëm do të ushtrojë edhe agjentura jugosllave. Kjo për shkak se rivaliteti italo-jugosllav për të dominuar skenën politike shqiptare kishte arritur kulmin.
Në Konferencën e Paqes, që ishte mbajtur menjëherë pas luftës në Paris, në vitin 1919, delegacionet e të dyja shteteve ishin përpjekur të shkëpusnin sa më shumë koncensione nga shteti shqiptar. Prandaj, si për Italinë ashtu dhe për Jugosllavinë kishte një interes jetik elita parlamentare që do të drejtonte Shqipërinë. Sipas një raporti të hartuar nga një oficer i shërbimit sekret jugosllav lidhur me zgjedhjet e vitit 1921: “Ato zgjedhje kushtuan shumë dhe një pjesë i ka financuar shërbimi ynë, mirëpo jo drejtpërsëdrejti përmes tij, por përmes njerëzve tanë në Shqipërinë e Veriut.
Luftën kryesisht e kemi zhvilluar kundër Iliaz Vrionit dhe përkrahësve të tij”. Kjo për shkak se Iliaz Vrioni, i cili do të zgjidhej kryeministër, konsiderohej si mbështetës i politikës italiane. Megjithëse ai do të ndërmarrë hapa për normalizimin e raporteve me Beogradin dhe Athinën, theksin do ta vinte tek çështjet kontestuese dhe në largimin e trupave ushtarake jugosllave nga kufiri shqiptar.
Por a pasqyrohej ndikimi jugosllav tek deputetët shqiptar? Kjo nuk është e lehtë të konfirmohet. Më tepër ajo duket tek qëndrimet që ndonjëri prej tyre mbante në raport me çështjen e Kosovës. Kështu, edhe sot e kësaj dite mbetet e njohur deklarata e deputetit Stavro Vinjau: “Ne nuk kërkojmë nga Serbia Kosovën, atë dhe shqiptarët e saj ja kemi falun…Vetëm kërkojmë t`i respektojë si njerëz e jo t`i therin si berra”.
Në një replikë që Hasan Prishtina do të zhvilloi në parlament më 18 korrik 1921 me deputetin Spiro Koleka do të deklaroi: “Zoti Koleka tha se Kosovasit (deputetët kosovarë), lipset të marrin parasysh interesin e Shqypnies e jo vetëm të Kosovës. E siguroj zontinë e tij që e marrim parasysh interesin e Shqypnies. Zotni e tij thotë që kosovasit të rrinë urtë…, por Zontia Juaj nuk e din shka do me thanë serb”.
Sidoqoftë, ndërhyrja jugosllave për mbështetjen e kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e vitit 1921 konfirmohet dhe nga raportet e oficerëve të shërbimit sekret, që merreshin me Shqipërinë. Prandaj, nuk është çudi që ashtu si jugosllavët në çdo zgjedhje të kenë vepruar edhe italianët, grekët apo shtete të interesuar politikisht për Shqipërinë.

Check Also

BB: Pandemia fundosi Shqipërinë, vendi më i varfër në Rajon

Pandemia Covid -19 dhe tërmeti i 26-nëntorit 2019 e bënë me agresive varfërinë në Shqipëri. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × four =