Home / Aktualitet / Ndërroi jetë nga sëmundja e rëndë, familjarët i plotësojnë ëndrrën Astrit Osmanit

Ndërroi jetë nga sëmundja e rëndë, familjarët i plotësojnë ëndrrën Astrit Osmanit

Astrit Osmani lindi më datë 28/12/1957 në Vlorë dhe ndërroi jetë më datë 11/11/2020 në Tiranë. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në qytetin e Vlorës, me familjen e përbërë nga dy prindërit, motra dhe tre vellëzërit. Nga adoleshenca e deri në fund të jetës së tij, ka qëndruar në Tiranë, ku edhe krijoi familjen e tij me bashkëshorten dhe një vajzë të vetme.

Ai  përfundoi dy studime të larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë dhe në Fakultetin e Ekonomisë, të cilat i shërbyen për të shfaqur vlera të larta profesionale në fushën juridike dhe ekonomike.Gjatë karrierës së tij, Astrit Osmani ka ushtruar veprimtari të ndryshme, si angazhimi me sipërmarrje private, punësimi në poste në administratën shtetërore dhe poste drejtuese, si dhe ushtrimi i profesionit të lirë të avokatit.

Nga viti 1994 deri në vitin 1997, ai ka punuar si Menaxher në një kompani private. Në vitin 1999 u emërua Drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Ali Demi (i njohur si Institucioni i Riedukimit të Grave ose ndryshe Burgu nr. 325 Tiranë), post të cilin e mbajti deri në vitin 2002. Po në këtë vit, u emërua Drejtor i Drejtorisë së Administratës dhe Financës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe qëndroi në këtë funksion deri në vitin 2007.

Me largimin nga funksionet shtetërore, prej vitit 2008 e deri në vitin 2019, ushtroi profesionin e avokatit, si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë. Më së shumti, Astriti siguronte mbrojtje ligjore në fushën civile, duke realizuar jo vetëm përgatitje aktesh, por edhe përfaqësim në gjykatat e vendit tonë. Së fundmi, në vitin 2020, ushtroi për disa muaj detyrën e juristit në Njësinë Administrative Krrabë të Bashkisë së Tiranës.

 

Por jo vetëm kaq, pasi Astriti ishte mjaft i dedikuar ndaj formimit profesional dhe vazhdimisht u angazhua në trajnime. Ai ka qenë Themelues dhe Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës “Bashkimi i Vlerave Intelektuale”, që prej vitit 2008. Gjithashtu, ai ka marrë pjesë në seminare të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Komiteti i Helsinkit, seminare trajnuese të certifikuara nga USAID dhe ABA CEELI, si dhe në seminarin e parë kombëtar “Edukimi Global i Karakterit për një Kulturë të Paqes”.Gjatë kohës që mbajti postin e Drejtorit të Burgut, ka hartuar Rregulloren e Parë për Institucionin e Riedukimit të Grave nr. 325 Tiranë, në vitin 2001. Një vit më pas, është certifikuar për “Lidership” nga Instituti i Studimit të Opinionit Publik” dhe në vitin 2006, u certifikua në trajnimin me temë “Arbitrazhi”, të zhvilluar në Egjipt.

Përsa i përket dëshirës së Astritit për të lënë pas dijet e njohuritë e tij të përvetësuara gjatë jetës, ai shkroi librin “Superego e Seksit të Ndaluar”, si një psikoanalizë juridike, botuar në vitin 2013.

Në vitin 2017, kur ishte në moshën 60 vjeçare, u frymëzua nga nostalgjia për vendlindjen dhe dëshira për të dokumentuar origjinën dhe jetën e tij. Prej gati dy vitesh, ju dedikua kërkimeve e studimeve për gjetjen e rrënjëve të gjyshit të tij Profesor Xhevdet Kofina, i cili mbante titullin “Mësues i Merituar” dhe “Mësues i Popullit”. Për të, Astriti zhvilloi intervista me njerëz të ndryshëm, gjeti materiale e dokumente të arkivuara, si dhe pasqyroi fotografi të vjetra. Duke marrë shkas nga aludimet mbi prejardhjen e fisit Kofina, ai arriti të mbledhë të dhëna për këtë fis, si dhe për ndodhi e ngjarje të së shkuarës.

Të gjitha këto, së bashku me historikun e familjes e jetës së tij, Astriti i hodhi në letër me dëshirën e madhe për të botuar një libër, të cilin e titulloi “Origjina Hebraike e Fisit Kofina – Familja dhe Jeta Ime”. I gjithë materiali përfundoi së shkruari dhe viti 2020 e gjeti duke bërë redaktime e saktësime. Për fat të keq, në fillim të nëntorit të vitit 2020, Asriti u sëmur rëndë dhe më datë 11 nëntor, ndërroi jetë, duke lënë pas një tronditje të madhe tek familjarët, miqtë e të afërmit. Për të pëmbushur dëshirën e vullnetin e tij, si një premtim i shprehur për tu mbajtur, vajza e tij Eges arriti të realizonte botimin e librit në dhjetor të vitit 2020. Sipas dorëshkrimit të Astritit, ky libër shërben si homazh për brezat paraardhës të fisit Kofina, si dokumentim i origjinës e jetës, si dhe si respekt për të kaluarën, që është burim frymëzimi për një të ardhme më të mirë. Për fat të keq, Astrit Osmani nuk mundi të mbajë në duar veprën e tij. Megjithatë, dëshira e tij u përmbush në vigjilie të ndërrimit të viteve.

Check Also

Qytetarët grumbull para spitalit të Shkodrës. Asnjë reagim nga institucionet

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë në protokollin e masave antiCovid ka dhënë urdhrin për ndalimin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seven − two =