Home / Aktualitet / Ndahet nga jeta mjeshtri i madh, dirigjenti Milto Vako/ Arti shqiptar në zi

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh, dirigjenti Milto Vako/ Arti shqiptar në zi

Mbrëmjen e djeshme, ka ndërruar jetë dirigjenti shqiptar prof. Milto Vako. Pa ndonjë sëmundje të veçante, gjendja e tij shëndetësore kohët e fundit filloi të dobësohej. Njoftimi i TOB: Me hidhërim të thellë Teatri i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit Milto Vako. Ai është një nga emrat e nderuar të artin shqiptar në fushën e dirigjimit koral. Mjeshtri u diplomua në Konservatorin “Cajkovski” në Moskë si dirigjent kori dhe u specializua më pas në Konservatorin e Parisit. Aktiviteti artistik i tij nisi dekada më parë si mjeshtër i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Si drejtues i korit të AKVP, sëbashku me trupat ai arriti suksese të cilat kanë mbetur në memorien e publikut brenda dhe jashtë vendit edhe sot, ndër të cilat do të veçonim midis të tjerash: fitues i “Gjerdanit të Artë” të AKVP në Dijon të Francës. Si mjeshtër kori i TOB përgatiti me profesionalizëm korin e TOB në vepra si “Mrika”, (1966), “Heroina”, (1967), “Skënderbeu”, (1968), etj. Është një ndër themeluesit e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku së bashku me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë shkollës së muzikës shqiptare. Autor i një seri përpunimesh e krijimesh origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese në fondin e literaturës klasike korale shqiptare. Prej vitit 1990ai ushtroi detyrën si pedagog në Fakultetin e Muzikës së Universitetit të Arteve. Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOB shpreh ngushëllimet më të ndjera, familjes, bashkëpuntorëve dhe miqve të shumtë të artistit të madh, Milto Vako. Disa detaje rreth Milto Vakos… Milto Vako u lind në Pogradec në 30 mars 1930. Kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952. Në vitet 1953–1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku diplomohet si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokollov. Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohësisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik. Në 1964-1968 punoi si dirigjent në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në 1968-1973 është udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në 1973 dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira. Në 1975 arrestohet nga regjimi komunist dhe dënohet për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982. Pas burgut, deri në vitin 1991 punon si punëtor në ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Në vitet 1991–1993 kthehet pedagog në Akademinë e Arteve. Ndërsa në vitet 1993-2001 ishte shef i katedrës së kantos e dirigjimit. Nga 2001 e deri më sot është pedagog i katedrës së kantos dhe dirigjimit. Ka themeluar dhe drejtuar koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ka dhënë me dhjetëra koncerte si brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Është autor i shumë teksteve dhe mban titullin profesor, si dhe “Artist i merituar”. Përzemërsisht, stafi i Shtypi.net , i shpreh ngushëllimet familjes, bashkëpuntorëve dhe miqve të shumtë të artistit të madh, Milto Vako.

Check Also

Fitorja e Biden nuk ka më dyshime, zotohet Donald Trump

Presidenti Donald Trump u zotua se do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë brenda 4 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × two =