Home / Opinion / Nard Ndoka, qylaxhiu dhe shakaxhiu me i suksesshëm politik

Nard Ndoka, qylaxhiu dhe shakaxhiu me i suksesshëm politik

Nga Vangjel SAKO-

Që në politikën shqiptare ka vite që disa syresh hiqen si profesorë të saj, por që në realitet nuk njohin “a” e politikës kjo tashmë nuk do shumë mend të kuptohet. Hynë aty në ato vite të para të tranzicionit kur paraja ishte letër dhe me të blije gjithçka edhe kryetarllëkun e kujt partie të doje dhe madje atë e krijoje edhe nga e para. Firmat e anëtarësisë i blije lehtësisht paçka se shumë nga ata firmëtarë kishin zhgarravitur edhe për nja tre a katër parti të tjera dhe pa dyshin edhe ishin paguar. Kanë ngelur si dopio gjashta në politikën shqiptare lojtarë që jo në superiore nuk duhet të luajnë, por as në kategorinë e dytë nuk ka trajner që i fut në formacion. Por ata, me intuitën e tyre tërësish injorante dhe dalë boje, gjejnë shtigje dhe vetëafrohen dhe fatkeqësisht jo modestish në rreshtat e parë të formacioneve politike apo të përzihen në masën e gjerë të militantëve, por në krye fare, në poste drejtuese. Dhe pasi e sigurojnë atë vend, nuk mjaftojnë thjesht të bëjnë të diturin, por fillojnë edhe tallin mender bythën me kë t’u dalë përpara. Kanë aftësinë e lindur që hera herës përmes shakasë dhe humorit, por hera herës dhe me seriozitet të tepërt të të çojnë në kanalin e injorancës së tyre dhe pastaj aty të mundin me përvojën që tashmë kanë fituar në këtë fushë. Duke kaluar vitet mësojnë edhe të bëhen oratorë politikë dhe të japin mend edhe nga politika, ekonomia dhe në çdo fushë të jetës. Nuk mjaftojnë të gënjejnë militantët e tyre sepse këta u duken pak por kërkojnë të gënjejnë një popull të tërë. Dhe më vjen shumë keq ta pohojë që në shumë raste janë edhe të suksesshëm. Siç janë të suksesshëm në këtë Shqipërinë tonë të sotme shumë gjëra fallco. Doni një shembull tipik? Nard Ndoka. Erdhi si erdhi në kryet të partisë së tij është zotësi më vete që në asnjë mënyrë nuk duhet t’ia mohojmë, por ai u skalit në humorin shqiptar me ndodhinë me diplomën e shkollës së lartë. Ma kanë treguar njerëz që kanë qenë në ato moment brenda zyrës së tij. Dikush nga militantët e tij të shkathët dhe që ai e mbante pranë dhe e ushqente mirë, kishte bërë sevap dhe i kishte nxjerrë kryetar Ndokës diplomën e shkollës së lartë dhe shkoi t’ia bëjë dhuratë në zyrë (ishte koha që po të kishe pak lekë xhepi nxirje jo vetëm një diplomë po disa madje edhe titull shkencor). Kënaqet me pamjen e jashtme të dhuratës Ndoka dhe e hap e kontrollon brenda. Bindet që është diplomë e shkollës së lartë dhe dëgjohet tek flet i habitur: shumë mirë keni bërë o çuna po unë nuk kam mbaruar as shkollën e mesme! U detyruan çunat që në atë kohë të turbullt të tranzicionit shqiptar t’i bëjnë edhe një diplomë të shkollës së mesme se në të vërtetë një dy vjeçare kishte mbaruar. Dy vjeçare, dy vjeçare, por Nardi ka vite që është kryedemokristiani në politikën shqiptare. Jo vetëm kaq, por ka meritën që edhe të ndërrojë krah politikë e të bëhet deri ministër. Në vendin tonë ka intelektualë me dy e tre fakultete reale, me tituj shkencorë e me disa gjuhë të huaja dhe sapo afrohen në zyrat e partive dëbohen nga vetë drejtuesit me frikën se nesër do t’u zënë vendet. Vazhdon tradita e monizmit. A nuk ishte Enver Hoxha vetë që nuk kishte përfunduar asnjë universitet dhe i çoi në gijotinë të gjithë kolegët me disa universitete? Krahasimi nuk është i plotë sepse vërtet Enveri nuk kishte mbaruar asnjë universitet akademik, por kishte notën 10 në universitetin e jetës, me të cilin mposhti çdo kundërshtar. Lexonte shumë dhe bënte debat me specialist të mirëfilltë në fusha të ndryshme, ndonëse ndonjëherë edhe me gabime. Ndoka dhe shokët e tij as në këtë universitet nuk janë kalues sepse u është dhënë mundësia për të qenë në drejtim të institucioneve të vendit dhe asnjë arritje pozitive nuk lanë pas. E përfytyroni dot miq e shokë dhimbjen që ndjente një mjek i zoti në specialitetin e vetë kur udhëzimet për punën i merrte nga ministër Ndoka? Përfytyroni një drejtues me përvojë në një institucion mjekësor që në një mbledhje me ministrin parashtron problemet që ekzistojnë dhe jep edhe mendim profesional për zgjidhjen e tyre dhe ministër Ndoka që tund kokën dhe shprehet se do ta shikojmë këtë situatë dhe e kalon në kalendat greke. Njoh me dhjetëra demokristianë që janë ku e ku nga niveli profesional dhe njerëzor krahasuar me Ndokën, edhe në aftësitë drejtuese që janë pajtuar me këtë status quo dhe e bëjnë kryetarin e tyre të mendojë se nesër atij i takon edhe një monument mermeri. Atij t’i rrojnë aforizmat me mendësi fëminore si “po s’pati diell do të bjerë shi”, “ose Rama ose Luli do t’i fitojë zgjedhjet”, “e kundërta e ditës është nata” e të tjera të ngjashme si këto. Është e dhimbshme të mendosh se edhe pas gati 20 vjetësh vegjetimi të tij do të na duhet ta shikojmë përsëri në sallën e Parlamentit meqë ai ka siguruar një kontratë paraprake me drejtuesin e opozitës për të qenë në listat fituese në Shkodër. Demokristianët janë të shumtë në numër dhe padyshim që votat kësaj partie do t’ia japin, por do të ndjeheshim më rehat sikur t’ia jepnin këto vota një djali të tyre që di më shumë se Nardi dhe kësaj partie do t’i japë një hov më të madh drejt demokristianëve europianë. Ata drejtues politikë (dhe jo vetëm Nardi ynë) që kanë patur mundësi të shfaqin aftësitë dhe mundësitë e tyre drejtuese dhe këtë e kanë bërë me mangësi të theksuara nuk ka përse të riciklohen më sepse më e shumta kanë bërë një hap më përpara kur të tjerë me aftësi më të mëdha kanë bërë kilometra në zhvillim. Vendi ka nevojë për drejtues që ecin me hapin europian dhe këta nuk mungojnë edhe midis demokristianëve.

PS: Qysh sot më filloi dhimbja e kokës kur po përfytyroj që në Parlamentin e ardhshëm më shumë se për projektligje do të diskutohen hedhje – pritjet e batutave midis kryeministrit Rama dhe kryetarit të demokristianëve Ndoka.

Check Also

“Armatosja” e lajmit dhe fajtori i madh i kohës sonë

Nga Nina L. KHRUSHCHEVA – NEW YORK – Në vitin 1940, me Britaninë që qëndronte …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 5 =