Home / Aktualitet / Musine Kokalari-Ikonë e opozitës antikomuniste, shkrimtare, prozatorja e parë në historinë e letrave shqipe

Musine Kokalari-Ikonë e opozitës antikomuniste, shkrimtare, prozatorja e parë në historinë e letrave shqipe

Nga Sadik BEJKO-

(10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983)

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tijj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.
Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e kishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”.
Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ata ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj.
Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945 botoi librin e tretë “Sa u tund jeta”.
23 janar 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit. U dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, pas burgut, e internuan në Rrëshen, ku punoi në ndërtim derisa doli në pension me gjysmë page.
Në vitet ’70 Pen Klubi italian nëpërmjet OKB-së kërkoi lirimin e M. Kokalarit. Kërkesës së OKB për lirimin e saj, diktatori shqiptar iu përgjigj: Qenka gjallë ajo vrroma.
Në vitin 1981, Musineja sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983 ndahet përgjithmonë nga jeta.

2. Gjyqi

Musine Kokalari u gjykua si drejtuese e socialdemokratëve në procesin ndaj anëtarëve të Koalicionit Demokratik, një formacion i përbërë dhe nga monarkistë, nga grupi i rezistencës etj. U akuzuan se kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të Frontit Demoktatik të dhjetorit 1945 deri në organizimin e opozitës, që edhe këta të kishin të drejtën e fjalës, të drejtën të shpalosnin programet e tyre. Të drejta që u mohuan.
Musineja (opozita) kërkuan ndihmë te përfaqesitë e atehershme diplomatike perëndimore në Tiranë, por dhe prej tyre u refuzuan.
Procesi gjyqësor zhvilluar nga 17 – 30 qershor dha vendimin më 2 korrik 1946. Musineja (arrestuar më 23.1.1946, liruar nga burgu më 8.10.1961) u dënua me 20 vjet burgim.
Në gjyq ajo nuk i pranoi akuzat. Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga gjyqtarët dhe nga prokurori. Ju mohua fjala e mbrojtjes para gjyqit.

3. Kredo intelektuale

Intelektuale antikomuniste e paepur, ajo moralisht mbetet ikona më e ndritur e opozitës shqiptare për kohën e diktaturës. Me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë, në gjyq ajo e formuloi kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste që të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

Fjalë që mund të gdhendeshin në bronz në një memorial të saj.

4. “La mia vita universitaria”…..

Antropologu Mauro Geraci në bashkëpunim me Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, (Simonetta ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje e mendime të shtuara,) kanë botuar në Itali një punim kritik të ditarit-roman të Musine Kokalarit,. “La mia vita universitaria”.
“Jeta ime universitare”, përkthyer shqip, (2016) është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditari u shkrua në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës së saj studentore. Libri, një përvojë e M. Kokalarit, një rrëfim, sjell me detaje përjetimet, ngjarjet deri dhe dashurinë e saj për një djalë italian.
Këto vitet e fundit është deklasifikur dosja formulare ky dokumentohet përndjekja nga Sigurimi e Musine Kokalarit.
Vepra e saj letrare është botuar në dy vëllime.
Është nderuar me dekorata të larta prej shtetit të sotëm shqiptar.

5. Dëshmi mbi fundin tragjik:

C’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”…. “Këtu, (në spitalin onkologjik) kuptova një gjë. Për mua, jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”.

6. Epilogu

“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje”.

Një Nesibe Dobi nga Gjirokastra, poete me një poezi shqip në dorëshkrim, shkruar me alfabet arab, njihet si shkrimtarja (poetja) e parë grua në letrat shqipe.

Musine Kokalari ka qenë shkrimtarja, prozatorja e parë e letërsisë shqipe, shkrimtare me tre libra të botuar që me gjalljen e saj.

Check Also

Gabimi i tij i kushtoi humbjen skuadrës, Xhaka u kërkon falje tifozëve të Arsenalit

Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka u ka kërkuar falje tifozëve për gabimin që i kushtoi skuadrës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × three =