Home / Analize / Multilateralizmi kundrejt Izocionalizmit

Multilateralizmi kundrejt Izocionalizmit

Pa mëdyshje mund të thuhet se turi i fundit i vizitave të Këshilltarit të Shtetit dhe Ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi në disa vende kryesore të Europës, ndër të cilët përfshiheshin shtyllat e Bashkimit Europian (BE), Gjermania dhe Franca, ka qënë një ndër ngjarjet që do të bëjë histori sepse diplomacisë botërore iu rikthye normalitetit nga takimet virtuale në ato ‘ballë për ballë’ në përpjekjen globale për të frenuar pandeminë COVID- 19 dhe për të kapërcyer pasojat e krizës dhe rimëkëmbur botën në një situatë të re.

Shefi i diplomacisë kineze bëri vizita zyrtare në 5 vende të kontinentit europian duke i filluar takimet me zyrtarët më të lartë të Italisë, fqinjës së Shqipërisë, për ti vazhduar ata në Hollandë e Norvegji, dhe për ta përfunduar turneun me bisedimet në Francë dhe Gjemani nga 25 gusht deri më 1 shtator 2020. Edhe një shikim i thjesht i itinerarit gjeografik të këtij turneu 8-ditor tregon për rëndësinë e tij si për Kinën ashtu edhe për vendet pritëse, BE-në, kontinentin europian dhe mbarë botën e sotme.

Përballimi i pasojave tepër të rënda të paparashikuara të pandemisë COVID-19 në vendet respektive dhe nivel botëror si dhe forcimi i bashkëpunimit shumëpalësh për ta kapërcyer këtë krizë ekonomike, politike dhe sociale botërore ishin ndër çështjet kryesore të takimeve të shefit të diplomacisë kineze me udhëheqësit më të lartë në kryeqytetet e 5 vendeve europiane.

“Sot Kina dhe bota po përballen me një situatë të re dhe po hyjnë në një fazë të re zhvillimi”, tha Wang. Pandemia është një sfidë e përbashkët përballë të gjithë njerëzimit, tha ai në kryeqytetin Italian Romë duke theksuar se solidariteti dhe bashkëpunimi midis të gjithë vendeve të botës janë përgjigja e duhur kundër saj.

Italia ka qënë një ndër vendet e para në Europë kur edhe pse në kushtet e krizës së saj kovidiane, Kina kontribuoi masivisht me ndihma humanitare për të frenuar përmasat tragjike që mori pandemia në atë vend, veçanërisht ne zonat veriore të tij.

“Italia i është mirënjohëse Kinës, e cila i zgjati dorën e ndihmës në kohën e periudhës më të vështirë të luftës së saj kundër COVID-19”, ministri i jashtëm Italian Luigi Di Maio i tha partnerit të tij kinez më 25 gusht.

Ndërsa 2020 shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Ialisë Wang vuri në dukje se të dy palët duhet të rifillojnë shkëmbimet në të gjitha nivelet dhe të forcojnë mekanizmin e bashkëpunimit ndërqeveritar. Duke iu referuar iniciativës ‘Një Brez, një Rrugë’ Wang tha se duhet të përshpejtohet puna për mbajtjen e konferenceës Kinë-Itali të sipërmarrësve të ‘Një Rrugë, një Brez’ vitin tjetër dhe të nxitet ndërtimi i përbashkët për të arritur rezultate më të dukshme. Italia ka nënshkruar vitin e kaluar një marrëveshja dypalëshe me Kinën në kuadrin e iniciativës ‘Një Brez, një Rrugë’.

Ndërkohë shefi i diplomacies kineze tha se Kina vlerëson qëndrimin e Italisë ndaj parimit një Kinë dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen e saj mbi çështje që kanë të bëjnë me interesat thelbësore dhe shqetësimet madhore të saj.

Kina e Franca drejt një komunikimi më të madh strategjik

Në takimin me Presidentin e Francës Emanuel Macron në Pallatin Elize në Paris më 28 gusht Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi së pari i transmetoi atij një mesazh të Presidentit Xi Jinping dhe i dorëzoi libra që ishin dhuratë të Xi për Macron. Ndër të tjera mesazhi i keut të shtetit kinez përmbante gadishmërinë e Kinës për të punuar me Francën për të thelluar partneritetin e përgjithshëm strategjik kino-francez.

Wang i tha Macron se duhet vazhduar mbështetja e fortë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë për bashkërendimin dhe drejtimin e përgjigjes globale ndaj COVID-19 dhe të kundërshtohet politizimi i pandemisë.

Kina e konsideron Europën një forcë të rëndësishme në botën shumëpolare, tha Wang duke shtuar se Kina dhe Europa kanë qënë gjithmonë partnerë dhe jo rivalë dhe konsensusi ka mbizotruar ndaj ndryshimeve.

Macron përshëndeti vizitën e Ministrit të Jashtëm kinez në Francë dhe Europë duke thënë se ka rëndësi të madhe për Francën dhe Kinën të ruajnë komunikimin strategjik.

Për tu shënuar është se Presidenti Macron shprehu vlerësime për premtimin e Kinës se sapo të prodhohet vaksina do të jetë e disponueshme për të gjithë vendet dhe shtoi se Franca dëshiron të thellojë bashkëpunimin kundër COVID-19 me Kinën. Fusha të tjera ku ai kërkoi më tepër arritje ishin tregtia dhe bujqësia si dhe fusha të tjera.

Në thellësi aspekte të marrëdhënieve kino-franceze dhe në kuadër të BE-së u trajtuan në bisedimet zyrtare të dy ministrave të jashtëm Wang Yi dhe Yves Le Drian.

Pjesë e vizitës në Paris ishte edhe Instituti francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare ku shefi i diplomacisë kineze mbajti një fjalim më 1 shtator thelbi i të cilit ishte solidariteti, bashkëpunimi, dhe përfshirja në përpjekjen e përbashkët për paqë dhe zhvillim të njerëzimit. Duke vënë në dukje se ky vit shënon 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-BE ai nënvizoi se kjo periudhë ka dëshmuar se nuk ka konflikt të interesave themelore të të dy palëve, dhe se bashkëpunimi është më i madh se sa konkurenca, dhe konsensusi është më i madh se sa ndryshimet.

Në këtë rast numri një i diplomacisë kineze parashtroi një propozim prej 4 pikash të cilat konsistonin si më poshtë: së pari, në nevojën e Kinës dhe BE-së për të ndërtuar një partneritet kundër COVID-19 dhe për të çuar më përpara bashkëpunimin për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Së dyti, Kina dhe BE duhet të forcojnë partneritetin investitues për përfitim reciprok dhe rezultate ‘win-win’. Në këtë kuadër Wang theksoi rëndësinë e përfundimit të Planit Strategjik të Bashkëpunimit Kinë-BE 2025. Së treti, Kina dhe BE-ja duhet të ndërtojnë një partneritet të gjelbërt dhe dixhital dhe të zgjërojnë fushat për bashkëpunim të dyanshëm. Dhe së katërti, Kina dhe BE-ja duhet të thellojnë partneritetin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe të forcojnë bashkëpunimin e dyanshëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pekini e Berlini në përpjekje për tu bërë shëmbull i multilateralizmit

Etapa e fundit e vizitës së shefit të diplomacisë kineze ishte Gjermania, e cila ka presidencën e rradhës së BE-së gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, dhe bisedimet në nivel më të lartë u paraprinë nga një deklaratë e bërë të premten e kaluar nga kancelarja gjerman Angela Merkel se ajo donte të vazhdonte bisedën me Kinën dhe të krijonte një shëmbull të multilateralizmit.

Gama e bashkëpunimit midis Kinës dhe Gjermanisë është shumë e gjërë dhe kuptimplotë është fakti se Gjermania është partneri më i madh tregtar i Kinës në Europë për më tepër se 40 vjet, dhe volumi i tregtisë dypalëshe përbën rreth 30 përqind të volumit të përgjithshëm tregtar Kinë-BE.

Në bisedimet me Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas me 1 shtator Wang tha se bota e sotme ndodhet përballë tre zgjedhjeve të mëdha- multilateralizëm ose unilateralizëm, hapje ose mbyllje, bashkëpunim ose ballafaqim. Dhe sipas tij, tre detyrat që Kina dhe Gjermania duhet të ndërmarrin janë: forcimi i bashkëpunimit global kundër epidemisë dhe rigjallërimi i ekonomisë botërore; çuarja përpara e marrëdhënieve Kinë-BE në një nivel më të lartë, dhe mbështetja e multilateralizmit dhe kundërshtimi i “luftës së re të ftohtë”.

Maas tha se Gjermania shpreson të punojë me Kinën për të thelluar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e politikës, ekonomisë, tregtisë dhe shkencat humane, të luftojnë pandeminë, të bashkëpunojnë për vaksinën dhe të sigurojnë akses për të. Gjermania dëshiron të zhvillojë shkëmbime të sinqerta me Kinën mbi çështje me pikëpamje të ndryshme në bazë të respektit reciprok, tha shefi i diplomacisë gjermane.

Një konferencë e përbashkët shtypi midis dy ministrave pas bisedimeve dypalëshe u përqëndrua mbi nevojën e të dy palëve për shkëmbime të nivelit të lartë Kinë-BE në fazën e mëtejshme për të përcaktuar kursin e bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kuadër u ritheksua përfundimi këtë vit i Marrëveshjes së Invstimeve Gjithëpërfshirëse Kinë-BE, e cila ka hyrë në fazën përfundimtare.

Në aspektin ndërkombëtar Wang vuri në dukje rëndësinë e mbështetjes së organizatave ndërkombëtare si OKB, vecanërisht Këshillin e Sigurimit, Organizatën Botërore të Tregtisë, Organizatën Botërore të Shëndetësisë në ndihmë të vendeve për të kapërcyer pandeminë. Gjithashtu ai bëri të ditur se të dy palët duhet të punojnë së bashku për të ruajtur marrëveshjen bërthamore iraniane, për të forcuar bashkëpunimin tripalësh me Afrikën dhe për të dhënë një kontribut më të madh në ndërtimin e një bote më të qëndrueshme dhe më të sigurt.

Hollanda dhe Norvegjia duan zgjërim të lidhjeve me Kinën

Bisedimet në Hollandë dhe Norvegji shërbyen për ti dhënë shtysë një rigjallërimi dhe zgjërimi sasior dhe cilësor të lidhjeve të Kinës me këta dy vende.

Vullneti i Pekinit për të rritur bashkëpunimin në interes reciprok gjeti në fjalët e kryeministrit hollandez Mark Rutte në Hagë më 26 gusht rëndësinë që Hollanda i ka kushtuar gjithmonë lidhjeve të saj me Kinën duke shpresuar në zgjërimin e këtij bashkëpunimi, veçanërisht në ruajtjen e multilateralizmit.

Ai vlerësoi arritjet e Kinës në drejtim të përballimit të pandemisë COVID-19 dhe shpresonte të zhvillonte më shumë bashkëpunimin në këtë fushë. Rutte ishte i mendimit se Europa, Kina dhe SHBA duhet të forcojnë komunikimin dhe koordinimin në vend që ti largohen njëri-tjetrit. “Hollanda shpeson në bashkëpunimin e të gjitha forcave të mëdha në botë për të përballuar sëbashku sfidat me të cilat përballet bota sot”, tha kryeministri Rutte.

Në hollësi marrëdhëniet dypalëshe kino-hollandeze dhe aspekte të tjera të interesit reciprok në nivel ndërkombëtar u diskutuan nga Wang me ministrin e jashtëm Stef Blok.

Në Oslo, Wang i parashtroi ministres së jashtme të Norvegjisë Ine Eriksen Soreide me 27 gusht sugjerime të palës kineze që të ruhet zhvillimii i shëndetshëm dhe i qëndrueshem i marrëdhënieve kino-norvegjeze duke iu përmbajtur parimit të respektit reciprok dhe trajtimit të barabartë. Sipas tij, Kina dëshiron të punojë ndër të tjera me Norvegjinë për të përfunduar bisedimet për një marrëveshje të dyanshme të tregtisë së lirë sa më shpejt.

‘Një Brez, një Rrugë’ është bërë platforma më e madhe botërore për bashkëpunim ndërkombëtar, dhe Kina dëshiron të kërkojë me Norvegjinë mënyra për të forcuar ndërtimin e përbashkët të saj dhe sëbashku të zhvillojnë konektivitetin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Azisë dhe Europës.

Ministrja e jashtme Soreide tha se të gjithë qarqet në Norvegji i kushtojnë rëndësi forcimit të bashkëpunimit me Kinën. “Norvegjia shpreson të forcojë zhvillimin e vaksinës dhe bashkëpunimin detar me Kinën,” tha ajo.

“Përballë paqëndrueshmërisë globale, Norvegjia dëshiron të bashkojë forcat me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë Kinën, për më tepër bashkëpunim ndërkombëtar”, i tha ajo homologut të saj kinez me të cilin në bisedime shkëmbyen në hollësi pikëpamje mbi çështje ndërkombëtar dhe rajonale të interest reciprok.

Zotimi kinez: Politika e hapjes do të vazhdojë!

Një ndër mesazhet më të rëndësishme që iu rikonfirmua udheheqësve europianë nga Pekini zyrtar është se politika e hapjes e Kinës nuk do të cënohet në kushtet e rënies globale të ekonomisë botërore dhe përballë tendecave në rritje unilateraliste dhe protekssioniste në kushtet aktuale.

Në të gjithë etapat e turneut Wang u parashtroi partnerëve europianë modelin e paraqitur nga Presidenti Xi Jing të ‘zhvillimit me cikël të dyfishtë’ në kuadrin e zhvillimit ekonomik dhe hapjes, që do të thotë se rritja e zhvillimit të vendit do të mbështetet si mbi ciklin e brëndëshëm ashtu edhe atë ekonomik ndërkombëtar, duke i dhënë përparësi ciklit të brëndëshëm.

Wang u vuri në dukje partnerëvë europianë se reforma dhe hapja e Kinës për më tepër se 40 vjet kanë provuar se sjellin përparim ndërsa izolimi shkakton prapambetje.

Si pala kineze ashtu edhe mikëpritësit europianë ishin të përgatitur se në sfond të bisedimeve midis tyre qëndronte presioni në rritje ndaj Kinës i SHBA, të cilat i kanë dhënë këtij presioni ngjyrat e një ‘lufte të ftohtë’ midis dy vendeve. Fryma dhe rezultatet e bisedimeve treguan se shefi i diplomacisë kineze kishte shkuar në Europë i zhveshur nga kompleksi i kësaj ‘lufte’. Nga ana tjetër u duk qartë se partnerët europianë i rikonfirmuan Pekinit qëndrimet kundër çdo përpjekje izocionaliste për të minuar rimëkëmbjen globale të ekonomisë në frymën e multilateralizmit në kundërshtim me frymën e sanksioneve dhe proteksionizmit tregtar.

Gama e gjërë e pikave të dakortësisë midis palëve kundrejt qëndrimeve të ndryshme në disa vende, si për shëmbull mbi çeshtjen e Hong Kongut, është një rikonfirmin se jo të gjithë aleatët europianë të Uashingtonit janë të ‘përgatitur’ të ndjekin kursin izocianalist amerikan ndaj Kinës. Si pala kineze ashtu edhe ajo europiane, vecanërisht tani kur flitet për epokën e pas COVID-19, rikonfirmuan domosdoshmërinë e multilaterizmit dhe tregtisë së lirë kundrejt unilateralizmit dhe proteksionizmit.

“Në cdo vend që kam vizituar konsensusi më i madh i arritur më partnerët është domosdoshmëria e ruajtjes së multilateralizmit”, tha Wang. “Multilateralizmi ka të bëjë me mbijetesën e vendeve, vecanërisht të atyre më të vegjël dhe të mesëm”, dhe pa të bota do të kthehej në një ‘ligj xhungle’, tha ai.

Një shikim nga Tirana

Edhe pse vizitat e Ministrit të Jashtëm kinez ishin me karakter dypalësh një shikim i shpejtë i rezultateve të turneut në 5 vendet europiane tregon se bisedimet u përshkuan kryesisht nga çfarë pati deklaruar Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në takimin virtual të nivelit të lartë mbajtur në qershor të këtij viti se është i pamundur një formësim i botës së nesërme pa një partneritet të fortë BE-Kinë.

Fushat e ofruara për bashkëpunim nga Kina, tregu më i madh aktual në botë, ishin tregtia, investimet dhe industria, rregulla më transparente tregu dhe një ambjent më tërheqës për biznesin duke i lidhur me tregun e saj të brëndëshëm.

Duke folur me shifra konkrete Wang tha se Kina ka përmbushur angazhimin e saj ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) duke ulur shkallën mesatare të tarifës në 7.5 përqind, e cila e tejkalon atë të të gjithë vendeve në zhvillim dhe i përafrohet nivelit të vendeve të zhvilluara.

Bisedimet për Marrëveshjen Kinë-BE për Investime Gjithëpërfshirëse janë parashikuar të intensifikohen që ajo të përfundohet brënda këtij viti. Ajo nerr vlerë tani sepse do të garantojë ambjent të hapur, të drejtë dhe transparent për të dy palët dhe do të lejojë më shumë kompani europiane të kenë “dividentë zhvillimi” të Kinës.

Dukshëm Kina ka një rëndësi dhe përgjegjësi të pazëvëndësueshme në krizën globale që po kalon bota dhe nëpërmjet numrit një të diplomacisë i transmetoi mesazhet e saj sikurse vepruan edhe partnerët europianë. Te dy palët i janë kthyer fleksibilitetit në përafrimin e interesave të secilit, rritjes së mirëbesimit për të diskutuar edhe tema të ‘nxehta’ duke respektuar integritetin e njëra-tjetrës. Se sa do të jenë në gjëndje vendet kyç të BE-së për tu bërë katalizator për uljen e tensionit kino-amerikan kjo mbetet për tu parë jo vetëm për shkak se SHBA janë në një situatë komplekse për shkak të fushatës elektorale presidenciale por edhe për arsye të paqartësive europiane se sa larg do të shkojë Uashingtoni me qëndrimet izocionaliste.

Duke shprehur mendimet e tij mbi këtë turne të Ministrit të Jashtëm kinez dhe perspektivën e marrëdhënieve BE-Kinë sidomos pas ndryshimeve të thella në ekonomine globale si pasojë e krizës së papërfunduar të COVID-19, Presidenti i AlbKonfindustria (Konfederata Kombëtare e Industrive) Gjergj Buxhuku tha ndër të tjera se marrëdheniet ekonomike dhe politike të BE-së me Kinën do të jenë të ndërlikuara.

“Politikat ekonomike do të percaktohen në një masë të madhe nga zhvillimet e mëdha gjeostrategjike. Kina sot është një fuqi botërore, që ka ripërcaktuar gjithë ekuilibrat global”, tha ai.

Por Buxhuku mendonte se Kina duhet të synojë të jetë investitore e drejtëpërdrejtë edhe në vendet në proces integrimi në BE, sikurse është Shqipëria, jo vetëm në ndërtim dhe infrastrukturë, por edhe në sektorët e industrisë, shërbimeve, tregjeve financiare dhe bankare, etj. “Mendoj se në fokus duhet të jenë vendet e Europës, që ende nuk janë pjesë e BE-së”, tha kreu i AlbKonfindustria Buxhuku.

Ndërkohë në një bisedë tjetër mbi këtë temë analisti i mirënjohur politik Armand Plaka tha ndër të tjera: “Eksperienca e Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi dhe angazhimi në vijimësi i Presidentit reformator Xi Jinping për të folur hapur për çështje të vjetra dhe të reja që ndërlidhin marrëdheniet mes BE dhe Kinës, por edhe shqetësimet e adresuara nga komuniteti ndërkombetar ndaj Pekinit zyrtar, ishin padyshim pjesë e axhendës”.

Analisti Plaka vuri në dukje se marrja e pergjegjesive nga Kina dhe zotimi i saj për ti përmbushur ato është ajo që partnerët europianë presin nga pala kineze, duke theksuar nga ana tjetër se dhe Brukseli duhet të jetë më fleksibël dhe më besimplotë ndaj Pekinit zyrtar duke marrë gjithashtu përsipër rolin e një ure të vërtetë mirëkuptimi mes Pekinit dhe Uashingtonit, në një kohë kur shihet se nën presidencën aktuale amerikane këto marrëdhënie, për fat te keq, kanë pësuar një krisje të madhe.

Check Also

Vlora sërish në “lupën” e kontrolleve, FSHN dhe Policia zbarkojnë në qytetin bregdetar

Prej disa ditësh në qytetin e Vlorës, vijojnë kontrolle në rrugët kryesore. Policia e Vlorës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 − 9 =