Home / Letersi / MOTIVI ATDHETAR NË POEZITË E LEFTER ÇIPËS

MOTIVI ATDHETAR NË POEZITË E LEFTER ÇIPËS

Idajet Jahaj/

(Duke rilexuar një nga librat e tij)

Përmendim një strofë nga një vjershë e tij:

Shqipëri,
ç’ bukuri ke,
Si flori
në kadife.

Ç’ bukuri fine! Në një strofë kaq të shkurtër, me tre e katër-vargëshe, jepet një bukuri lbyrëse poetike. Kadifeja është e një vezullimi të tillë që nuk i humbet shkëlqimi e kënaqësia e njeriut për ‘të në çdo kohë. Dhe një copëz floriri mbi ‘të, ndriçon edhe më shumë nga fakti se ngjyrat janë të një fushe leksikore. Pra, kadifeja i ngjan një “floriri të pjekur”… Strofa i ngjan një pafte floriri. Dhe nuk është thjesht një aftësi dhuntie e poetit, por, së pari, e shpirtit të tij të valë për Atdheun. Dhe vargjet kanë intonacionin e këngës.
Gama tematike e vjershave të Lefter Çipës është e disallojshme. Më i gjërë ndër ‘to është motivi baritor. Por spektri i tij poetik plotësohet me motivet e tjera, siç janë ato atdhetare, të dashurisë, të Bregut e fshatit të tij të bukur, heroizmit për liri, etj. Secili prej tyre shkëlqen nga frymëzimi e penelatat e këndshme të pasqyrimit, por motivi atdhetar sikur pikon më shumë ndjenjë e mendim, më shumë ngjyra e ndriçim. Kur poeti i shtrohet këtij motivi, fantazia e tij rreh me krahët e dritës. Fryma mëmëdhetare e ngre krijimin në lartësi e origjinalitet të rrallë.
Le të shohim disa prej strofave apo vargjeve të tij me këtë motiv. Ai shkruan për Atdheun në përgjithësi, për Rilindasit e famshëm, dëshmorët, për Flamurin e Ismail Qemalit, etj.
Ja nja një strofë për tre vëllezërit Frashëri, Abdylin, Naimin e Samiun:

… Dritë nëpër penë,
Nëpër pushkë flakë;
Tre burra që qenë,
Tre burra të lartë.

Ka disa strofa të tjera në vjershën për tre vëllezërit- flakadanë të Mëmëdheut. Kjo vjershë, me të tilla figura, kadencë e melodi, është nga më të bukurat e antologjive që janë shkruar për ta.
Lefter Çipa është një poet i lartë, por me kolorit po ashtu të shquar popullor. Vjershat e tij kanë kadencën e këngëve labe e të asaj bregdetase veçanërisht. Ai krijoi repertorin e madh polifonik të fshatit të tij, polifoni, e cila qe një risi e madhe në fushën e folklorit muzikor të Labërisë në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi.
Por le të vijojmë me motivin e tij atdhetar. Poezitë i pikojnë dritë, vargjet- flakë për mëmëdheun. Krenaria për këtë mëmëdhe është nga gjërat më të vyera të poetit. Kur shkruan për ‘të, frymëzimi i tij merr flatra, meditimi merr harqet e ylberit.
Për Flamurin e 1912-ës:

Ç’ po fryn era e Flamurit,
Sytë e pushkëve gëzojnë;
Trimat si vala e lumit
Nëpër luftëra kalojnë…

Mahnia e bukurisë metaforike: erën, si fenomen madhor të natyrës, ia jep flamurit; sytë e njeriut ua jep pushkëve. I gjallëron ato, i njeri-zon. Dhe trimave u jep vrullin dhe transparencën e valëve! Pra, kudo ai është lirik. Edhe objekteve e ngjarjeve epike u jep një dritë të tillë. Dhe kjo krijon të veçantën, atë brishtësinë meditative- karakteristike të krijimtarisë së tij, aq kumbuese e të ëmbël. Edhe kur ai i rrallon figurat në vargje, pra, edhe me formë proze, vargu i tij ka kadencë poezie.
Le të shohim shkurt tingëllimin lirik të tri poezive të tij më këtë motiv. I këndon Naimit të madh “More Naim Shqipëria”, me një vjershë mesatare nga gjatësia, por të zjarrshme nga ndjenja. E quan atë “mbi borë lulja e parë”. Ç’ saktësi figurative ka ky varg! Vërtet: Naimi ishte lulja e parë nën borën e pushtimit otoman. Por një lule aq e madhe, e flaktë, sa magjepsi tërë viset shqiptare.

O i gjalli ndër të gjallë,
O i ëmbli për shqiptarë!

Sërish të mahnit me saktësinë, epitetet befasuese e elektrizuese ndaj shpirtit të bashkëkombasve. Dhe më poshtë vazhdon me dhimbjen që ka populli për Poetin e tij, edhe sot, pas një shekulli. Dhe vërtet, ai e qau Naimin sikur të kishte vdekur këtë shekull, e jo në shekullin e parë. Këtë zë zemre e pene poetit Lefter ia jep ndjenja e valë poetike e gjakut të tij, fluiditeti poetik, madhështia e shpirtit. Dhe vetë vjersha , e tonuar në melodi, tingëllon si një simfoni e rëndë, operistike- elegjiake pa fund e mallëngjyese deri në skaje të shpirtit…
Tjetra vjershë e tij është ajo e dëshmorëve të Luftës Çlirimtare. Këtu “vajtimi” plekset me krenarinë e ligjshme se kjo tokë ka dhënë valë e lumenj gjaku, e prandaj është në shtratin e lavdishëm të lirisë së vet. Jep kuadër madhor imazhi:

Male, gërxhe dhe lugina,
Mbushur plot me lapidarë;
Atje prehen djemt’ e bijat
Që jetojnë e janë të gjallë…

Dhe aty, brenda vjershës-këngë dritëzojnë verbueshëm vargjet:

Është mbrujtur gjaku me baltë,
Ndaj guri lule lëshon…

Janë vargje të një bukurie të rrallë për eposin e flamurtë të martirëve të lirisë. Ka edhe shumë e shumë vlera të tjera për t’u evidentuar, por po kalojmë në një tjetër poezi të tij. Ajo titullohet “Brezat e flakës së kuqe”. Le të nënvizojmë këtu se kjo e kuqe është ngjyra e Flamurit tonë të madh. Nuk mund ta lemë pa shkruar të tërë vjershën, pasi ajo është e përkryer në të tëra strofat, në të gjitha vargjet. Strofat u ngjajnë atyre pllakave të ndritshme të mermerit, të cilat janë puthitur aq bukur, sa të mrekullojnë me shkëlqimin dhe uniformitetin e tyre. Figuracionet janë përndezëse. Metaforat dhe epitetet ndriçojnë. Kadenca, rimat e ritmet e vargjeve janë nga më të lëmuarat. Janë natyrorë, me shkëlqim të vetvetishëm. Është një nga vjershat më të arrira, e cila mund të krahasohet me ato të Rindasve…

Shqipëri, shqiponjë e shkruar,
ty të mbron populli vetë;
Brezat me gjak të kulluar,
rriten dhe shkojnë përpjetë.
Ja ku janë radhë-radhë
brezat e flakës së kuqe,
Në çdo vepër dorën kanë,
tokës mëmë i mbjellin lule.
Mbjellin lule, mbjellin dritë,
zotër të Shqipërisë janë;
Shkulin net’ e mbjellin ditë,
Lart më lart e ngrenë kalanë.
Kala me breza çeliku,
Çelik nga tradita bërë,
Të mart’ të keqen armiku
Se neve na ke më këmbë!

Lefter Çipa ka më tepër se gjashtë dekada që jehon me vargjet e tij, me poezinë e tij, me këngët që ai vetë ua përshtati arit të këtyre vargjeve. Ai do të ngelet një nga zërat poetikë më të fuqishëm, jo vetëm në Bregun tonë magjik, por në gjithë vendin, për poezinë sa moderne, aq edhe popullore që dha, për tonet e ëmbla, të papërsëritshme, për vezullimin madhështor të peizazheve e lirikave, të jetës e historisë.
Le të jenë këto penelata eseistike- një tufë lulesh mirënjohjeje për këtë artist të madh të fjalës, dhuruar në 80- vjetorin e lindjes së tij. Shteti dhe shoqëria duhesh të bënin (e të bëjnë) më shumë për këtë figurë të shquar të artit poetik shqiptar.

Check Also

Çfarë është përkthimi i poezisë?

Rudolf Marku/ Si vazhdim i reagimit ndja postimit te djeshem mbi perkthimin, me lejoni te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 − 11 =