Home / Kryesore / “Motive tiranase”, ekspozita me bukuritë e kryeqytetit në hollin e Muzeut Kombëtar

“Motive tiranase”, ekspozita me bukuritë e kryeqytetit në hollin e Muzeut Kombëtar

Piktori Zaim Elezi në këtë 100-vjetor të Tiranës si kryeqytet ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Motive tiranase”. Magjia e traditës së vjetër të kryeqytetin, e cila gjendet në zonat periferike siç mund të jenë Baldushku, Petrela, Farka, Dajti apo edhe zona të tjera, tashmë i gjejmë të gjitha sëbashku në Muzeun Historik. Vetë piktori Zaim Elezi u shpreh në një prononcim për mediat se përmes kësaj ekspozite është pasqyruar realiteti që nuk shikohet në jetën e përditshme, duke shtuar se frymëzimi për këto piktura i ka ardhur nga motive tiranase, siç janë dasmat, veshjet apo edhe shtëpitë karakteristike. “Kjo ekspozitë zhvillohet në periferi. E gjitha është ajo që ne nuk e shikojmë. Këto janë pika shumë të bukura edhe interesante, që mua më kanë nxitur jo vetëm t’i hedh në tablo, por edhe t’i dua. Motivet tiranëse në veshje, dasmë, edhe shtëpitë karakteristike janë motive që më kanë frymëzuar”, tha Elezi. Piktori e ka bërë këtë zgjedhje jo për të përjashtuar qendrën e kryeqytetit apo zhvillimet që po ndodhin në të, por për dritën, ngjyrën edhe intimitetin, që të falin këto peizazhe natyrore, të cilat mbartin në vetvete edhe një të shkuar, që ndryshe nga qendra, vështirë se tjetërsohet. “Lidhja ime nuk është e sotme. Jam në origjinën time dibran dhe i kemi shumë të hershme lidhjet me Tiranën. Kjo ekspozitë jo në qendër të saj, por jashtë Tiranës. Është ajo që ne nuk e shohim në qendër, ajo që ne konsumojmë gjatë ditës. Këto janë pika interesante që më kanë dhënë shtysën që jo vetëm të merrem me to, por edhe t’i dua. Ndërtimet tradicionale i ruaj në tablo, jo për mision, por për të treguar nga kemi ardhur, për dritën, ngjyrën edhe intimitetin që falin këto shtëpi të vjetra”, u shpreh Zaim Elezi. Piktori shtoi më tej se tradita e vjetër ka nisur të mbetet vetëm në memorien e qytetarëve të Tiranës, sepse sipas tij shtëpitë e vjetra karakteristike po prishen për të ndërtuar pallate shumëkatëshe. “Kemi një shtëpi të vjetër që para pak kohësh ka qenë para studios time, por që nuk është më. Kjo do të thotë që ne nuk po e prishim atë, por do të ndërtojmë një më të bukur. Do të ndërtojmë një pallat. Shtëpia do të duhet të ruhej në memorien tonë, të na tregonte të paktën se nga erdhëm. Por nuk është ky misioni. Jam një artist që një pjesë të kohës e kaloj në parkun e qytetit”, u shpreh piktori Zaim Elezi.

Ja kush është Zaim Elezi

Zaim Elezi i lindur në Dibër në vitin 1958. Në vitin 1983 mbaron studimet e larta në akademinë e arteve, Tiranë. Zaim Elezi ka punuar si piktor filmi në TVSH, skenograf i teatrit profesionist Peshkopi, mësues në shkollën e mesme artistike Peshkopi; drejtor artistik në sh.p.k. “Pekomeri”, studion e artit “Zaya”, etj. Ka marrë pjesë në ekspozitat kolektive të mbajtura në Peshkopi e Tiranë që nga viti 1984-1990; ekspozita kolektive në Prishtinë (1999), Annemasse-Francë (2004), ekspozitë me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Tiranë e Prishtinë (2005), etj. Në vitin 2004 ka hapur një ekspozitë personale në OBT, Gjenevë, Zvicër. Shumë prej pikturave të tij janë pjesë e koleksionistëve me famë në Francë, Kanada, Angli, Zvicër, Amerikë. Gjithashtu, shumë dashamirës të pikturës në Shqipëri mbajnë në koleksionet e tyre piktura të firmosura “Zaya”. Nga data 13.06.2008 e për tre javë me radhë “zaya” ishte pjesëmarrës në një ekspozitë kolektive në Phorzheim të Gjermanisë. Veprat e tij u çmuan për realizmin impresiv e ftues dhe për mjeshtërinë e realizimit.

Check Also

RËNIA E KINEMA 17 NËNTORIT

Elsa DEMO- Shembet më e vjetra dhe e para kinema me arkitekturë moderne në Shqipëri. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × two =