Home / Editorial / Mjeshtri  Orgocka  mbeti si qyteti, qëndrestar

Mjeshtri  Orgocka  mbeti si qyteti, qëndrestar

Nga-Aleksandër ÇIPA
Me artistin Orgocka u njoha herët, por u pamë vonë. Shumë vonë. Jo më shumë se një vit më pare. Kishim mbërritur në tokjen e parë të duarve dhe në parjen fizike, duke ndjekur një udhë të gjatë dijenie për njëri-tjetrin, edhe prej punëve tona aq të ndryshme dhe aq të pakrahasueshme. Mjeshtri në skenë dhe, unë në media.
Por u desh të na takonte pasioni i të dyve. Mjeshtri e përputhi jetësisht edhe profesionin edhe pasionin. Ndërsa unë, udhëtoj me të dyja, secilën në vendin  e vet. Miku ynë i përbashkët, aktivisti kulturor dhe i palodhuri Xhimi Vila, korcar  i elbasanuar, na bëri bashkë në jurinë e “Fjalës poetike” mes nxënësve pasionantë të shkollave të mesme të bashkisë së Elbasanit në muajin tetor të vitit që sapo lamë pas, 2020.  Ishin ditë të një përjetimi të vecantë, ndërsa mbi gjithcka dhe më shumë mbi njerëzit, zymtësonte “diktatura” e pandemisë COVID-19.
Ishin mbyllur lëvizjet, ishin prerë tubimet, ishin shuar koret dhe mbyllur shumëҫka, por më shumë teatrot.
Në kalanë e Elbasanit, në mjedisin aq ekzotik dhe antik të saj, u zhvilluan me regjinë e thjeshtë dhe estetikën e përkorë të përgatitura prej maestro Orgockës, ditët e fjalës poetike. Ndërkallur në program për cdo ditë bëhej edhe një paraqitje autori apo libri të ri, ku u gjendën ato ditë Preҫ Zogaj, Rudolf Marku, Musa …. Frok Çupi, Besim Dybeli, Aleksandër Çipa….etj.
Maestro Orgocka shquhej përmes shtatit dhe portretit të njohur, por evidentohej sidomos prej zërit dhe emrit. Ai gjithë jetës dhe në shumicën e kohës artistike, mishëronte aktorin-artist tek i cili: “Gjithcka të con gjer në pasion” , sipas fjalës që preku vetë Dostojevskin,- mu në mes të shpirtit, sic e shkruan Stefan Cvajgu…
Maestro Orgocka ato ditë ishte shend e verë. Sepse në ndërgjegjen dhe ngasjen e vet përherë adhuronte kalendarin e aktivitetit dhe jo atë të pushimit.  Ishte mishërues i së thënës së Mithat Frashërit, sipas së cilës:” Të endurit matet-me kut, lëndët-me okë dhe koha-me ngjarje”. Në vetvete maestro ishte sanguini- pelegrin. Ikanak shpirt-ri dhe me barrën e pasionit dhe projekteve në shpinë. Kishte ditët e punës, pra nuk i mjaftonte ditë-koha në cdo periudhë të jetës. Nuk ngjau në asnjë cast që ta merrte jeta zvarrë, por rrojti duke qenë vetë-zot i rrojtjes. Dhe për shkak të këtij sekreti të shpallur nuk ngeci kurrë në vetmi e nuk shkau kurrë në ftohtësi. Madje dhe kur prej jetës së frymtë në Korcë, iu nda zonja e vet model-bukura Dhorkë.
Duhen pyetur rrugicat e qytetit dhe mjediset kulturore të Korcës se sa i mirë ishte Dhimitri qytetar, ndërsa madhoi për dekada rresht,  maestro Orgockën në sytë e tyre..
Njerëzit që duhen pyetur për qytetarin, korcarin e famshëm Taqka, shumica janë shpërndarë(!)  Kanë ikur në të katër anët e atdheut dhe Botës ,por Ai, mbeti si qyteti, qëndrestar. Mbeti, deri sa u shua befasisht, pa bujë dhe klithmë apo lëngatë. U shua duke e gjetur rrugën e vetme të ikjes përmes gjakut dhe tekave të tij në kapilarët e trupit të vet. Dicka nuk shkoi mirë në rrugët e gjakut të tij dhe ,…kështu ndodhi ikja.
Tani, le të mbesim me kumbimet dhe zërin kumbues të regjistruar prej maestro Orgockës.
E kemi në një opus veprash, interpretimesh, shfaqjesh dhe intervistimesh të cilat zunë më shumë se gjashtëdhjetë e kusur vite vend ndër ne.
Artisti Orgocka luftoi në mënyrë intime me shpirtin e vet shqiptar, duke daltuar vetvetishëm personazhet me cilësitë e tyre autentike. U rrit dhe mbeti si krijues dhe regjisor tek dhe në karakteret me fuqi shprehëse dhe tipologji artistike. Maestro Orgocka ia doli përgjatë 84 viteve të veta të ndërtojë “gur mbi gur” dimensionin artistik të vetetes. Në kinematografinë shqiptare, ai kontribuoi me 12 role në filmat më të diskutuar dhe krenues të këtij prodhimi, duke u shtrirë në një hark kohor nga viti 1968 deri tek i fundit në 2005. Por, shumë e shumë herë më i palodhur dhe gjurmëlënës mbetet Orgocka në teatrin shqiptar. Me një galeri tejet të bollshme tipash e karakteresh në rolet e mbi 68 premierave dhe mijëra shfaqjeve, ku kryerenditen: “Amoku” e Stefan Cvajgut,  “Dashuria e madhe” e Fatmir Gjatës, “Mjeshtri i stacionit” e Pushkinit, “Otello” e Shekspirit, “Stuhi në prill” e Skënder Luarasit, “Denoncimi” e Ruzhdi Pulahës, “Dhëndër për Kristinën” e Skënder Demollit, “Duar të ndyra” e Sartrit, “E bukura ime” e Skënder Demollit, “Fqinjët”, “Kopraci”  dhe “Tartufi” të Molierit, “Nata e dymbëdhjetë”, “Otello” të Shekspirit, “Pamje nga ura” e Artur Milerit, “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços, “Stuhi në prill” e Skënder Luarasit etj., etj. Sic duket prej repertorit, një aktor dhe regjisor i kurajshëm me sqimën e krijuesit që udhëton në hapësirën globale të artit, duke qënë në territorin e mbyllur të atdheut politik.
Artisti Dhimitër Orgocka nuk zgjodhi të zhvendosej nga Korҫa në Tiranë, apo në një kryeqytet tjetër të rajonit. Si në kohën e parë të izolimit (me mundësi lëvizjeje vetëm brenda), ashtu dhe në atë të lirisë, (me shumë ikje nga vetja). Por, duke qëndruar në Korҫën e vet, e bëri më të mundur tërheqjen e vëmendjes publike kohë pas kohe, sipas një kalendari që vetëndërtonte dhe jo t’i nënshtrohej. Është kjo një ndër arsyet e forta që shtëpia e tij teatrore në Korҫë, (Teatri “Andon Zako Çajupi”),  shtoi dhe shumëfishoi famën artistike, duke ia dalë  bashkë me ortakët e tij profesionalë si Piro Mani,  Koco Qendro, Stavri Shkurti, Llazi Serbo, Vangjush Furxhi, Jani Riza, Pandi Raidhi, Violeta Manushi, Thimi Filipi, Roland Trebicka, Marko Bitraku, Niko Kanxheri, Vangjel Grabocka, Aleko Prodani, Zhani Zicishti, Petrika Riza, Minella Borova, Sotiraq Bratko, Edmond Budina, Zamira Kita etj., etj.
Në këtë mënyrë, me këtë kryenecësi të bukur qytetari dhe kryeartisti, investoi talentin tek punët e tij të njëpasnjëshme. I shembi barrierat e moshës sociale. Sidomos, e shpërfilli aq bukurisht dhe krenarisht pensionin moshor, duke e trajtuar atë si kohë të shëndetshme maturie dhe ngritjeje artistike.
Kohët që vijnë, kanë si materie për provë gjykimi e vlerësimi për artistin Orgocka, numrin e personazheve dhe karaktereve të trajtuara në kinematografinë dhe teatrin shqiptar.
Por gjeneratat dhe brezat e të rinjve në mbi 70 vite rresht në Korҫë, Elbasan, Fier, Shkup, Prishtinë e gjetkë, do të mbartin në kujtesë atë punë dhe mund, ato emocione dhe përjetime që artisti strukturoi përgjatë qindra aktiviteteve dhe demonstrimeve të shumta artistike, në zhanre dhe modele të shumta tubimesh letrare, teatrore, muziko-artistike dhe spektaklesh. Sepse artisti në moshë të madhe, kish edhe talentin e udhëheqësit dhe gatitësit të spektakleve për pasionet dhe shprehjet e artistëve të rinj, amatorëve të shumtë në shkollim e sipër.
Aktori Orgocka i deshi shumë poetët e mëdhenj të shqipes dhe kohës së vet: si Driteroin dhe Fan Nolin. Interpretimet prej Nolit nuk i zgjodhi për shkak të retorikës apo patetizmit nolian, por prej pathosit të verbit stilistik të tij. Sepse si aktor, Orgocka duket se na e bëri me dije fjalëurtësinë noliane se “Bota kënaqet me gënjeshtrën që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë”. Në shumë sipërmarrje regjisoriale Orgocka, në Korҫë, Elbasan, Fir, Tiranë dhe Prishtinë, ofroi dhe serviri artistikisht atë që Cesare Pavese e thotë: ’Urrehet ajo së cilës i druhemi më shumë”.
Orgocka ishte një prej “etërve pelegrinë” të teatrit vendor në Shqipëri edhe pse ky atdhe, renditet ndër vendet pa histori teatri, siҫ konstaton Kadare. Madje duke shtuar më tej, se në këtë vend “Faktorët proteatrorë , janë të barabartë me ata kundërteatrorë”.
***
Orgocka lindi në Korcë në tetor të vitit 1936.  Atë kohë nga Greqia fqinjë, konsull kishte ardhur nobelisti Jorgos Seferis. Mjafton kjo vizitë dhe ai qëndrim që qyteti qëndrestar i Atdheut tonë, në jug të tij, të përfshihet në memuarët e jetës kulturore globale.
Por ky qytet sharmant nuk krenohet me kalendarin e vizitorëve, por me atë të ngjarjeve të veta. Ardhja e Orgockës në jetë atë vit, ishte parathënie e një artisti me ngjarje dhe gjurmë të bollshme në një fushë dhe art ku fatkeqësisht shkëlqen mungesa si traditë. Pas përfundimit të studimeve, Maestro Orgocka  filloi punën si regjisor në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, në skenën e të cilit realizoi rreth 104 premiera.
Në karrierën e gjatë,  meritoi vlerësimet me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në një kohë si ajo (me aq pushtim prej vetvetes sikundër ishte diktatura), ndodhte të kishte më shumë antiteatër se sa teatër. Por Orgocka meritoi titullin e lartë Artist i Popullit. Sepse kultura, talenti, puna, kërkimi, zëri  dhe formimi i tij, me vlerën dhe peshën e pathosit dhe vlerat vetanake, kishin forcën dhe vlerën prirëse të shërbimit artistik ndaj njerëzisë.
E kreu këtë, sipas së thënës aq mirë, prej vargut të Pushkinit: “Dhe për fatkeqët përdëllim”.
Në të sotmen, shumë e shumë më tepër me prova antiteatër, Orgocka harroi kohën e moshës dhe dhuroi kohë për teatër. Kur skenat e teatrit të vobektë të tri dekadave të fundit, dhe sidomos i vitit të fundit të  jetës së tij, përkoi me një tablo manastirore për teatrin kombëtar, Maestro Orgocka mbeti besnik dhe zë qëndrestar i korit proteatër në vend. Nuk kish si ndodhte ndryshe!
***
Në muajin dhjetor të 2020, Mjeshtër Orgocka përpiqej me administratën arsimore dhe atë kulturore të qytetit të Korҫës të ripërsëriste aktivitetin e “Fjalës poetike” të zhvilluar në Elbasan muaj më parë, ku ishte kryetar i jurisë. Mikut tonë të përbashkët, Xhimit, i kërkonte kontributin për realizim të aktivitetit në tri ditë me nxënësit poezidashës të shkollave të mesme të bashkisë së Korҫës dhe Maliqit. Ndërkohë kisha mësuar se takimi im me të aq i vonuar kishte një parahistori aq të pazakontë. Im at, në vitet 1960, për tre vjet rresht kishte bërë ushtrinë në Maliq, pranë qendrës kulturore ushtarake. Si i ardhur nga Vlora, ku kishte bërë me dhjetëra nga tekstet e para për grupin e famshëm të këngëve qytetare vlonjate, regjistrohet në grupet amatore të Maliqit, ku profesor dhe udhëheqës ishte Mjeshtri Orgocka. Kjo ishte e dhëna e re që e bënte edhe me më shumë arsye bashkëpërfshirjen time në aktivitetin-ide të të palodhurit të skenës. Biseda të shtuara me Zamira Kitën dhe deputetin-ministër aktualisht Niko Peleshin, për realizimin e këtij projekti ndër më të fundit të mjeshtrit, për llogari dhe përfshirje të të rinjve artdashës të qytetit. Por idetë mbesin, njerëzit ikin dhe emri i tyre jetëzgjatet, në varësi të gjurmës dhe peshës së bëmave të vyera.
Në një ndër ditët e ardhme të këtij viti, në Korҫë do të mblidhemi tek aktiviteti i ideuar prej mjeshtrit Orgocka. Është një arsye më shumë ta quajmë “Ditët e fjalës poetike”,- si nga  Orgocka. Unë nuk do të mungoj, por edhe shumë miq të tij. Sepse pandemitë dhe penguesit kanë diҫka të përbashkët, ndërsa artistët dhe arti kanë shumëҫka të lidhur mes tyre. Orgocka ynë, mbeti tek kjo e fundit, pra tek ftesa dhe lidhja si në punë të shpirtit.
Pasaporta artistike e Dhimitër Orgockës
Regjizori i “Shok”, anëtar në Oscars Akademy
Kinematografi
2005 — Syri Magjik……
1989 — Njerëz në rrymë…..Bani Bashari, Kryetri i Komitetit
1987 — Përsëri pranverë….Damo Bregu
1986 — Dasëm e çuditshme……Riza Ostrovica
1985 — Asgjë nuk harrohet…..Xha Fania
1978 — Gjeneral Gramafoni…..zoti Misir,Komandanti i Xhandermarrise
1978 — Pas gjurmëve…..Babai i Skënderit dhe Luanit
1975 — Rrugicat, që kërkonin diell (Film Tv)….Antonio
1977 — Flamur në dallgë (Film TV)….Kapiteni
1972 — Yjet e netëve të gjata….Bato Kolaneci,Komisari partizan
1968 — Horizonte të hapura….Uran Korabi
Teatër
“Amoku” e Stefan Cvajgut
“Dashuria e madhe” e Fatmir Gjatës
“Mjeshtri i stacionit” e Pushkinit
“Otello” e Shekspirit
“Stuhi në prill” e Skënder Luarasit
Teatër
“Denouncment” e Ruzhdi Pulahës
“Dhëndër për Kristinën” e Skënder Demollit.
“Duar te ndyra” e Sartrit
“E bukura ime” e Skënder Demollit
“Fqinjët”
“Kopraci” i Molierit
“Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit
“Otello” e Shekspirit
“Pamje nga ura” e Artur Milerit
“Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços
“Stuhi në prill” e Skënder Luarasit
“Tartufi” i Molierit
Çmime e Tituj
Artist i Popullit

Maj 2007
Kupën e Festivalit
në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Vrosllavë,Poloni, për monodramën “Amoku” e Stefan Cvajgut.
Shtator 2006
Çmimin e Madh ”Sulejman Pitarka”
për regjinë e dramës “Dhëndër për Kristinën” e Skënder Demollit, në Festivalin e V-të të Teatrove Shqiptare në Maqedoni, “Dibra 2006”.
29 Prill 2005
Çmimi “Roli më i mirë”
për monodramën “Amoku” e Stefan Cvajgut, në Festivalin e tetë të Teatrove në Kiev, Ukrainë.
Çmimi “Roli më i mirë” për monodramën “Amoku” e Stefan Cvajgut,në Festivalin e Teatrove në Manastir, Maqedoni.

Check Also

Bie zjarr në stanin me 200 dele, shkrumbohet gjithçka(FOTO)

200 dele u dogjën mëngjesin e sotëm në Finiq të Sarandës, pasi zjarri përfshiu stanin …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 3 =