Home / Kulture / Mjaftojnë vetëm tri poezi, për të prekur tema jetësore për gjëra që deri më sot nuk dëgjohen në Shqipëri

Mjaftojnë vetëm tri poezi, për të prekur tema jetësore për gjëra që deri më sot nuk dëgjohen në Shqipëri

MJAFTOJNË VETËM TRI POEZI
PËR TË PREKUR TEMA JETËSORE PËR
GJËRA QË DERI MË SOT NUK DËGJOHEN NË SHQIPËRI

Nga Robert MARTIKO-

Është hera e dytë që shkruaj për poetin e talentuar Stefan Martiko dhe sërishmi ndjehem i befasuar. Përveç se në aspektin estetik gjithashtu më bënë përshtypje, edhe këtë radhë, fotografimet e tij fluturuese, të natyrës poetike, lidhur me aftësinë për të induktuar në mendim probleme për vetë cilësinë e jetës. Nuk ka gjë më të bukur dhe më me vlerë për një shoqëri e cila nuk njohu rilindje shpirtërore, se sa kur arti poetik përpiqet të trajtojë ekzistencën e njeriut nën aspektin e Hapjes së një Kohe në mënyrën më tragjike të mbyllur në Shqipëri. Dhe kur zëmë në gojë një temë të tillë, mjafton të hedhim një sy rreth e qark. E para gjë që të shkon në mendje është vetë Shteti, mungesat e tij: pa ligje të forta, pa mirëqenie, pa siguri e sigurime të mjaftueshme shoqërore, me një emigracion të pambaruar që rend me shpejtësi skëterre pa u ndaluar. Dhe, sigurisht, ndryshe nga sa mendohet, nuk janë shkaktarë të parë politikanët mafiozë me ndërgjegje gjysmake, por është vetë mendimi akademik intelektual që u drejtua gjatë gjysmë shekulli diktaturë në një udhë pa krye. Pa mendim të kualifikuar nuk ka të ardhme.
Nuk ka gjë më të bukur për njeriun e artit dhe letrave se sa kur ndien qysh në hapat e para të përpilimit të një libri me vjersha të bëjë fjalë për vet-njohjen. Qysh para 2500 vjetësh Sokrati, filozofi grek iu drejtua njeriut se për të ndryshuar, i binte për detyrë në radhë të parë të njihte vetveten. Sot flitet në Shqipëri për vetë Lirinë me fjalë të mëdha, por gjithnjë ngatërrohen përdoruesit, sepse ky nocion trajtohet vetëm në aspektin politik ose ekonomik, jo më tej. Ndërsa Liria e Vërtetë fillon me njohjen e vetvetes. Nuk pyetet thjesht: “Kush je o Njeri!”, por “Kush je Ti, o Njeri!” -Nën këtë vetëkontroll krijohet ndërgjegjja. Konkretisht, Stefani në vjershën “Shënime për Motin”, bën fjalë për “FLAMUR TË ZHUBROSUR TË MBETUR NË DORË.” Pra, shikon në mënyrën më reale e njëkohësish kritike faktin se një shoqëri e tërë, ngaqë u ushqye shpirtërisht, gjatë gjysmë shekulli, veç me gjëra të gabuara, jashtë kohës, vjen çasti gjithçka të kthehet bumerang kundër saj. Kjo është Shqipëria Sot që nuk mund të gjejë dot ritmin, kulturën e duhur cilësore, për tu vetëkorrigjuar e për të hyrë në Kohë.
Tjetër gjë e çmuar është poezia “Varri bosh i Atlantidës”. Bie në sy një tjetër mendim i mrekullueshëm i Stefanit, që shfaqet në mënyrë poetike në rreshtat: “ATLANTIDA NA PRET PËRPARA. ZOGU RRITET DUKE FLUTURUAR DHE NJERIU SHEH EDHE MË SHUMË ËNDRRA”. -Siç dihet Atlantida është një ishull legjendar. Për mitin ka folur për herë të parë filozofi grek Platoni, katër shekuj para Erës së Krishtit. Nga pikëpamja e vlerës direkt për shoqërinë shqiptare, Stefani lë të nënkuptohet fjala: “Shpresë”, si një premisë themelore për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë mënyrë Atlantida nuk shihet më si një varr me mermer të zgjedhur, i zbukuruar me lule, siç janë të gjitha gjërat e së kaluarës. Pa përjashtim. Është një mësim i bukur për gjithë historianët shqiptarë që nuk arrijnë të kuptojnë gjënë më të thjeshtë se e kaluara duhet lexuar me syrin e së tashmes. Jo thjesht të përsëritet pa kuptim me gjëra që nuk i ndryshojnë asgjë jetës së njeriut. Të kuptohet në thelb Skënderbeu apo Nënë Tereza. Jo thjesht të mburresh për ta. Problemi më racional është se si të ndihmohet shoqëria për të dalë nga sëmundjet shekullore dhe në veçanti nga pasojat e ish diktaturës. Përndryshe është sikur shkrimtarë e historianë të kenë rrahur ujë në havan. Jo vetëm temat historike por edhe ato me karakter hyjnor si Testamenti i Vjetër apo Dhiata e Re, kërkojnë lidhjen me të tashmen. Nëse vetë Traditën çdo shoqëri në botë, e shikon vetëm për ta lavdëruar pa pik kuptimi, e spërkat me livandë apo me ujë të bekuar e borzilok, i thotë i lamtumirë së ardhmes. Kur thuhet se Zoti krijoi botën në shtatë ditë, kjo ka kuptimin thelbësor për krijimtarinë humane. Nuk shihet si magji qiellore. Simbolet e çfarëdo lloj natyre qofshin, nëse dalin nga forma e përmbajtjes reale, siç ndodhi nën Diktaturë, pasi konsumohet gjithçka me mënyrat më kriminale, në fund deklarohet falimentimi total i gjithë sistemit. Esenca e simboleve ka rëndësi, kuptimi i tyre i thellë, jo përralla, përndryshe shoqëria dhe vetë autorët mbetet skllevër të paditurisë më të thellë. Prandaj ka rëndësi ajo “Shpresa” e Stefanit që sheh të kaluarën si mjet për të fluturuar përpara. E tashmja që ndërton të ardhmen është pikërisht koha çudibërëse e Qytetërimit Perëndimor. Nga asgjëja e një të kaluare të lustruar nuk rezulton asgjë, përveç përsëritjeve pa kuptim. Lënë shoqërinë në të njëjtën gjendje tragjike. Me pak fjalë e kaluara nuk mund të shikohet si një jubile me flamurë e brohoritje, kravata, këmisha të bardha, këndvështrime të verbra, fjalë boshe si në përshpirtje të vdekurish. Vetë mendimi intelektual akademik, i pari, kërkohet të hyjë në Kohë nëse dëshiron ti dedikohet përjetësisë. Duhet ndërgjegje sigurisht, jo mburrje në kafene, Feisbuk, patriotizëm gënjeshtar, sa për sy e faqe.
Te poezia me vlerë të veçantë: “Peng mërzie”, Stefani shpreh një tjetër mendim mjaft thelbësor, përsëri me një kuptim të thellë. Shkruan: “KËRKO NDIHMËN E TËRË ZOTAVE POR PRANVERA NË TOKË DO TË JETË MUNGESË E PËRHERSHME DHE PENG I NJË MËRZIE.” -Është tashmë diçka e sprovuar nga vetë realiteti i jetës dhe cilësia e saj kjo tezë, e trajtuar mjaft gjerë nga mendimi perëndimor. Konkretisht, Rilindja Shpirtërore në Evropë filloi sepse mendjet më gjeniale të saj dalluan se diçka nuk shkonte me Dogmën Fetare Krishtere. Pa e hedhur poshtë, vendosën ta rregullonin. Vendosën ta sulmonin duke vijuar të besonin te Misteri, e Panjohura. Siç dihet Zotin nuk e ka parë askush deri më sot. Po ta shohësh si magjistar në qiell nuk shpëton dot nga përçarja kaosi e vëllavrasja. Shembulli më i spikatur është vetë Rusia në vitin 1917. Këtu qëndron thelbi madhështor i Dostojevskit, jo livanda që i hidhet si shkrimtar, sa herë i përmendet emri sipas stilit të kufizuar: “O sa i madh, o sa i bukur!”. Vijuan në shtatëdhjetë vjet regjim komunist dhjetëra miliona të vrarë në luftë civile. Në Evropë kjo nuk ndodhi sepse mendimi intelektual e pa Zotin si mjet për të plotësuar vetveten gjysmake të njeriut me origjinë nga xhungla. Të dilte sa më parë nga kultura e grupit mishngrënës. Prandaj shoqëritë evropiane rilindën. Konkluzioni është se nga mënyra se si e shikon Zotin, me inteligjencë ose jo, varet vetë fati i shoqërisë. Prandaj evropianët më të ndriçuar në shpirt e mendje iu drejtuan Traditës Mesjetare për ta ndryshuar. Duket si diçka e thjeshtë, por Tradita është kështjella më e pathyeshme. Është shkëmb graniti. Kërkohet për ta bërë jetike, krahas guximit, edhe mendje të hapura për ta korrigjuar. Në shoqëritë e pa rilindura Tradita nuk ngacmohet. Vetëm lavdërohet, lahet dhe lyhet pa pik kuptimi. Nuk filtrohet. Dhe ajo të mban skllav. Po e spërkate me kolonjë Skënderbeun, nga përjetësia e tij e madhërishme është sikur të thotë: “Lamtumirë o të verbër, që vetëm dini të më mbani si statujë pa shpirt në muze, ndërsa unë pikërisht, me mua, me energjinë time mund të hyni në Kohët Moderne”. Përveç kësaj, heroi i madh kombëtar duhet ngjallur e thirrur në ndihmë për të mësuar shqiptarët të jenë të bashkuar, jo si sot të ndarë e përçarë, të bërë kashtë e koqe nga armiqësia shekullore, që Diktatura e ngriti tymin akoma më lart në qiell. Pra nëse një figurë të përjetshme si Skënderbeu apo vetë Zotin në Qiell e shikon për lutje apo lavdërim pa kuptim, siç thotë poeti Stefan Martiko: “KËRKO NDIHMËN E TËRË ZOTAVE POR PRANVERA NË TOKË DO TË JETË MUNGESË E PËRHERSHME DHE PENG I NJË MËRZIE.”

Check Also

“Manjikana”, një ekspozitë kaligrafike në galerinë e Shkodrës

“Manjikana” titullohet ekspozita që u hap në galerinë e arteve, në qytetin e Shkodrës. Në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × two =