Home / Kulture / Mistika e shenjtë e këngës “Eja, eja luleborë”

Mistika e shenjtë e këngës “Eja, eja luleborë”

Laureta Petoshati/

Ka shumë kohë, që rastësisht në shumë kujtime njerëzish mbi jetën apo rininë e tyre, jam ndeshur me këngën “Lulebora” si një emblemë, apo më mirë një ikonë e këngës qytetare shqiptare.

Kureshtja më ka bërë që ta shoh me vëmendje këtë këngë jetëgjatë, e cila është kënduar dhe këndohet në çdo cep të botës me shumë dashuri e përkushtim edhe nga të huajt.

Ajo që kam dalluar, është ndryshimi dalëngadalë i ndonjë fjale dhe retushimi pa paramendim, për ta bërë më të bukur këngën, por që sipas meje asaj nuk i duhet prekur as edhe një presje. Kjo këngë, e shkruar në dy vitet e para pas çlirimit të atdheut, u shpërnda me shpejtësi rrufeje në gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm. Në Vlorë, u dëgjua jo vetëm nga radioja, por e pati sjellë duke kënduar para njerëzve Artistja e Merituar Meliha Doda, e cila u vendos në Vlorë ne vitin 1952 si mësuese në shkollën “1 Maj”. Ajo kishte jetuar në Shkodër dhe kishte bashkëpunuar me kompozitorin e kësaj kënge Simon Gjoni.

Çuditërisht dhe mrekullisht, artistja Meliha Doda, që nga dita që e mësoi e derisa mbylli sytë, e këndoi këtë këngë pa i lëvizur asnjë presje. Teksti i “Luleborës” së kënduar nga Meliha Doda dhe nga të gjithë ish nxënësit e saj, është si dy pika uji me atë që këndon sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse kështu e pat kënduar i ati i saj Avni Mula, i cili ashtu si dhe Meliha Doda, fillimet e karrierës i pati në Shkodër dhe që të dy ishin me origjinë nga Kosova.

Duke parë këngën ashtu origjinale, siç e pati shkruar në vitin 1946 poeti shkodran Zef Pali, unë mendoj se kuptimi i saj është shumë më i thellë se e mendojnë të tjerët dhe hamendësimi, apo pohimi se i kushtohet të dashurës së kompozitorit apo poetit është pjesërisht i saktë dhe jo bindës. Ideja se i kushtohet kësaj, apo asaj, si pasojë e shkëndisë së dashurisë së kompozitorit apo të poetit mendoj se është për të mbuluar një dashuri më të thellë.

E gjithë kjo më kujton atë shprehjen e shkrimtarit dhe poetit austriak Hugo von Hofmannsthal, i cili thotë se “Thellësia duhet të fshihet. Ku? Në sipërfaqe.”

Le të marrim strofën e parë dhe le ta analizojmë me kujdes, se çfarë mendoj se ka dashur të thotë poeti Zef Pali:

Tuj shëtitur n’mal e n’kodër,
tuj prek lulet t’gjith’ me dor’,
veç n’nji kopsht ma t’bukrin n’Shkodër,
ty të gjeta lulebor’.

Dikush mund të mendojë se autori nënkupton që ka shëtitur kudo, ka parë shumë lule, i ka prekur me dorë dhe si përfundim, atë, që kërkonte sipas pritshmërive të tij, e gjeti në një kopsht, që ishte më i bukuri në Shkodër. Unë e mendoj ndryshe. Në malet dhe kodrat zakonisht janë ndërtuar vendet e shenjta.

Që në fillimet e njerëzimit në kulturat e lashta ekzistonte bindja se hyjnitë banonin në qiell dhe vendi më i mirë për tu takuar me këto hyjni ishin majat e maleve. Kjo duket qartazi dhe në mitologjinë greke ku mali i Olimpit ishte si vendbanim i perëndive, por dhe në atë shqiptare mbi Malin e Tomorit, etj.

Po ashtu dhe në Besëlidhjen e Vjetër, por dhe atë të Re kemi shfaqjen e Zotit apo komunikimin e tij me njeriun zakonisht në maja malesh. Zoti bisedoi me Moisiun në malin Horeb, një mal tjetër i shenjtë për popullin hebre është Mali Karmel, ku Elia ndërtoi një altar për Zotin, madje dhe qyteti i Jerusalemit ndodhet në malin Sion.

Në Besëlidhjen e Re kemi predikimin në mal të Jezusit, i cili pastaj u shpërfytyrua para apostujve në malin Tabor, vuajti pas Darkës së Fundit në malin e Ullinjve dhe u kryqëzua në Malin e Kalvarit. Që në fillimet e krishterimit, të krishterët kanë zgjedhur vende të larta për shtëpitë e tyre të adhurimit. Këtu bën pjesë dhe Shqipëria, e cila e përqafoi këtë fe qysh në kohët apostolike me ardhjen e Apostullit Pal në Iliri.

Zona e Shkodrës me male e kodra ka qenë plot me kisha e manastire të shenjtë e me këtë të vërtetë historike poeti shkruan : ”Tuj shëtitur n’mal e n’kodër…” Vargjet që vijnë më vonë tregojnë një mënyrë ekumenike të menduari nga poeti Zef Pali, i cili me këtë tekst e ka treguar veten thellësisht mistik. Vargu “tuj prek lulet t’gjith’ me dor’” është çelësi i zbërthimit të kësaj poezie me një nënkuptim të fshehur, që mund të kapet vetëm nga ata njerëz që kanë një përgatitje të thellë të mistereve të shenjta.

Një katoliku të mirë, që e njeh mirë doktrinën e krishterë ky varg në mënyrë intuitive i sjell ndërmend Rruzaren e Shenjtë. Fjala rruzare vjen nga fjala latine “rosarium”, që do të thotë “kurorë trëndafilash”, ose “tufë trëndafilash” dhe nënkupton një tufë lutjesh, që i drejtohen Jezu Krishtit me anë të nënës së tij Shën Mërisë, e cila bën ndërmjetësimin midis besimtarit dhe birit të saj në qiell.

Në çdo lutje që i bëhet Shën Mërisë është sikur ti dhurohet asaj një trëndafil dhe shuma e lutjeve e ndarë në mënyrë të barabartë formon një kurorë trëndafilash. Trëndafili është mbretëresha e luleve dhe Rruzarja është lutja më e përsosur dhe me anë të saj meditojmë të gjitha misteret e gëzimit, pikëllimit dhe lavdisë së Jezu Krishtit dhe Shën Mërisë.

Pra me pak fjalë vargu “tuj prek lulet t’gjith’ me dor’”, nënkupton duke prekur rruazat e Rruzares së shenjtë, ku secila rruazë nënkupton një lutje, pra një trëndafil. Është si të thuash një bashkësi lutjesh mariane, brenda së cilës bashkë me Atynë, futen “Përshëndetje Maria”, “”Përshëndetje Mbretëreshë”, etj.

Por le të shkojmë te vargu më poshtë:

“veç n’nji kopsht ma t’bukrin n’Shkodër,”.

Që të jetë një kopsht, aq i bukur, pra aq i lulëzuar, nënkupton që atë kopsht e ka bërë të bukur dora e një zonje, që në këtë rast del vetëm një, sepse nuk ka të tjerë si ai kopsht në Shkodër dhe kjo është Zonja, apo Zoja e Shkodrës. Aty gjendet lulebora. Por lulebora nuk është një lule që çel gonxhe e veçuar, por çel në bashkësi si një rruzull me petale. Dhe këtu fjala luleborë ka kuptim simbolik dhe multisemantik.

Edhe pse në vendin tonë tani mund të gjenden disa ngjyra të petaleve të luleborës, në vitin 1946, flitej për ngjyrën e bardhë e të pastër. Lulebora në kopshtin e Zojës së Shkodrës, është Kisha e Zojës. Sepse kisha është një bashkësi njerëzish, besimi, shprese dhe dashurie. Papa Gjon Pali II te libri i tij “Të kapërcehet pragu i shpresës” faqe 153, thotë se “Si popull i Zotit kisha është në të njëjtën kohë dhe korpi i Krishtit.”

Po ti shikosh me kujdes petalet e luleborës, të duken të njëjta me Korpin e Krishtit që e marrim në Eukaristi dhe kështu siç ka thënë apostulli Pal (1 Korintasve 12:27) se “në këtë mënyrë ne bëhemi të gjithë gjymtyrë të atij Korpi”, si dhe “individualisht gjymtyrë të njëri-tjetrit” (Romakëve 12,5).

Nëse kujtojmë Biblën “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjoni 15:5 ), do ta kuptojmë lidhjen limfatike të bashkësisë me krijuesin edhe te “Lulebora”. Këto vargje me kaq kuptime të fshehta, nuk mund ti shkruante dikush tjetër veçse një katolik i rritur në Shkodrën me tradita të hershme dhe të thella ekumenike.

Vargjet refren janë si më poshtë:

“Je e vogël por e plot’,
ty t’kërkoj un’ tash sa mot,
tash sa mot un’ ty t’kërkoj,
vi me ty jetën ta çoj …”

Gjithçka nënkupton një kishë të vogël, të mbushur, ndërsa vargu “vi me ty jetën ta çoj”, të jep idenë e një ndjekësi, e një njeriu që kërkon të ecë sipas dhe bashkë me dikë tjetër dhe patjetër që është Ungjilli, që e shoqëron njeriun në rrugën e jetës. “Eja pas meje” thuhet te Mateu (Mt, 8, 22) dhe besimtari, në këtë rast poeti Zef Pali thotë “vi me ty jetën ta çoj”. Qëllimi i besimtarit është takimi me Zotin, me Jezu Krishtin, drejt të cilët të çon nëna e tij, me të cilën lutemi, themi Rruzaren e Shenjtë, apo “thurrim kunor”:

Eja, eja lulebor’,
se me ty do thur kunor.
Eja, eja lulebor’,
se me ty do thur kunor.

Këtu kushdo mund të mendojë se kemi të bëjmë dhe më martesën e “luleborës” me atë, që në rrugëtimin e tij kërkon që të eci me ungjillin. Këtu është përmasa e padukshme dhe madhështia e kësaj poezie, sepse shëlbuesi apo shpëtimtari i botës, Jezu Krishti është Dhëndri i Kishës dhe i të gjithë atyre që janë në të, sipas Mateut (Mt, 9, 15): “Dhëndri është me ju”.

Nëse do ti shikojmë me kujdes vargjet “ty t’kërkoj un’ tash sa mot,/ tash sa mot un’ ty t’kërkoj”, si dhe vargjet “Pash ma t’bukrën stinë t’pranverës / pash mbretneshën dranofil/ mos ja fal kujt ti erën, /se për mu vetëm ke çil”, do të kuptojmë një histori të tërë, që ka të bëjë me Kishën e Zojës së Shkodrës dhe me fakte historike që lidhen me të, sepse historia e saj është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë.

Poeti tashmë është besimtari i të gjitha kohërave, që iu mbyll kisha gjatë pushtimit osman, që ikona e Zojës përfundoi më 25 Prill 1467 matanë detit në Genazzano të Italisë, që pastaj kisha u rihap më 1917, por dhe që në atë kohë 1946, që u shkrua kjo poezi po vinin kohëra të errëta për kishën katolike me pushkatime dhe persekutime të pashoqe të klerik katolik.

Stina e pranverës nënkupton Pashkët, mbretëresha Drandofil është Shën Mëria, mbretëresha e qiejve dhe e të virgjërave, e quajtur në litanitë e Zojës “drandofillja e mrekullueshme,” apo në literaturën fetare “trëndafili Mistik”. Vargjet “mos ja fal kujt ti erën, /se për mu vetëm ke çil,” aq sa duken si dëshira e poetit, ashtu si e çdo mashkulli për të gjetur një vajzë të paprekur si Virgjëresha Mari, aq dhe thellë-thellë ato kanë të bëjnë me moscënimin e frymës së Kishës Katolike, që pushteti komunist donte ta vinte në shërbim të tij.

Strofa e fundit “Fjalët e mia ti dëgjoi” nëse mund të thuhet “Lutjet e mia ti dëgjoi” të kujtojnë litanitë e Zojës së bekuar, me të cilën besimtari kërkon që këtë Hyjlindëse të Fjetur, ta zgjojë nga gjumi, pra ta shohë dhe në kohët e errëta. Fjalët që çdo besimtar i mirë thoshte, qoftë dhe në gërmadha të asaj kishe mbas rrënimit, ishin këto: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”

“Fjalët e mia ti dëgjoi
Ma ke ftyrën si të zanës,
Unë nga gjumi do të zgjoj
Për me t’pa në dritë të hanës.”

Kjo këngë kaq mistike me kuptime të shumëfishta, i rezistoi kohës dhe nga zgjuarsia e një poeti, që dinte si ta shprehte dashurinë për besimin e tij dhe u bë simbol i dashurisë dhe i familjes, sepse vë në qendër gruan si shëmbëlltyrë të Marias në virtyte dhe përkushtim.

Vendosja e Rruzares, në mënyrë të tërthortë, bëri që kjo këngë të moskuptohej nga fanatikët apo ateistët e regjimit komunist, as nga myslimanët, por edhe nga ortodoksët, të cilët edhe pse të krishterë nuk e kanë traditën e rruzares si katolikët dhe që misteret e fesë i kremtojnë ndryshe. Ata që mund t’ia nuhasnin kuptimin ekumenik me shëmbëlltyrën e diçkaje konkrete dhe të kapshme nga shqisat, siç ishte lulebora, ku shihej ekzistenca e Zotit dhe bashkekzistenca në shtëpinë e Zotit, kishin një inteligjencë të lartë dhe e kuptonin dinjitetin e të pagëzuarit, si”Christianus alter Christus”, që do të thotë se i krishteri është një Krisht i dytë.

Ata, në atë kohë të errët, tekstin e kësaj kënge e kanë parë si një mënyrë të shpalljes së mistereve kryesore, apo Simbolit Apostolik dhe janë ndjerë mirë që brenda tyre kanë parë të vërtetën e zotit që as mund të gënjejë veten dhe të tjerët. Gjithsesi, kjo këngë ka në bazë familjen dhe lutjen sipas asaj që thotë Papa Gjon Pali II te Letra Apostolike “Rruzarja e Virgjërës Mari” e vitit 2002 se “familja që lutet e bashkuar mbetet e bashkuar.” Por kjo gjë nuk mbetet vetëm për katolikët, por edhe për besimtarët e feve të tjera.

Kjo këngë pavarësisht mistikës së saj, do të vazhdojë që të jetë simbol i dasmave shqiptare dhe virtytit mbi të cilin ngrihet familja dhe dashuria si shëmbëllim të Shën Mërisë, e cila njihet si Hazretja Merjeme në Kuranin e madhëruar dhe është e vetmja grua, që përmendet me emër dhe përshkruhet si e dëlirë, e ndershme, shembullore. Lindja e hz. Isait a.s. përshkruhet në dy pjesë të Kuranit; sure 3 dhe sure 19, ku thuhet shprehimisht: “Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet ) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.” ( Kuran 3: 42 )

Është një kapitull i tërë në Kuran i quajtur Sure Merjem. Një nder të tillë që i është dhënë Merjemes në Kur’an nuk i është bërë asnjë gruaje tjetër , madje, nuk ka asnjë kaptinë në Kuran me emrin Emine, emri i nënës së Muhamedit (a.s.), as Hatixhe, gruaja e tij, apo Fatime, vajza e tij.

Kjo poezi, apo ky tekst kënge është vetë si një trëndafil mistik, si një grua e bukur e veshur me petka të dëlira, që bukurinë nuk e ka te lakuriqësia, por te shpalosja dalëngadalë e misterit dhe dashurisë së saj njerëzore.

Check Also

NË KUJTIM TË PAUL CELAN

Salvatore Dodda (II) MBUSHI FJALË-ZGAFELLAT me të Panterës lëkurë, zgjeroi, lëkurëbrendshëm – lëkurëjashtshëm, kumtbrendshëm – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twelve − 6 =