Home / Opinion / Mirë do të ishte të kishim katër milionë deputetë, por…

Mirë do të ishte të kishim katër milionë deputetë, por…

Nga Pandeli BARDHI –

 

…Edhe 2 milionë, nuk është keq! Jo vetëm që nuk do të kishte ndodhur asgjë, por do të kishim patur shumë përfitime. Përfitimi më i madh do të ishte ajo që do të kishim eliminuar shumë grindje dhe sherre të cilat kanë më shumë se nëntë muaj që ato vazhdojnë me intensitet!

Do të kishim eliminuar shumë hamendësime se kush do të vendoset i pari dhe kush do të vendoset në fund të listët, nga “X” parti dhe “Y” parti… Nuk i thonë pak, por kemi nëntë muaj që po harxhojmë para me thasë për ata kryetarë partish që janë bërë si aktorët e dikurshëm të estradave për të na mbushur mendjen që do të sjellin “bollëkun” në Shqipëri neve qytetarëve që kemi tridhjetë vite dhe nuk na kanë sjellë asnjë “kockë” për të lëpirë!

Kemi nëntë muaj që karburanti shkon lumë për makinat e këtyre që janë bërë më shumë se qesharakë dhe marrin pozat e një “seriozi” për të na mbushur mendjen që “më votoni mua pa të shihni ndryshimin” të nesërmen! Vetëm Basha në tërë këtë “kope” deputetësh dhe ish-deputetësh, është më i sinqerti kur thotë: “Mos prisni që ndryshimi do të ndodhi më 25 prill, por ama më datën 26 prill, kjo është e sigurt që ndryshimi do të jetë i dukshëm, me kushtin e vetëm që unë të jem kryeministri i Shqipërisë”!

Pse o popull nuk duroni një ditë të vetme, por e kërkoni ndryshimin brenda “orës” si puna e atij që thoshte: “Dua nuse, e dua sot, e dua si tuajën”? Pse o popull nuk ngriheni njëherë e mirë e të kërkoni Bashën për kryeministër që t’iu vijnë të gjitha tek dera e shtëpisë? Nuk i thonë pak, por kemi nëntë muaj, aq sa kërkon një fëmijë shëndetshëm të ngjizet në barkun e nënës, jo shtatanik, që politikanët, janë egërsuar aq shumë sa që janë gati të shqyejnë njëri-tjetrin. Vetëm ne, qytetarëve, na shohin me dashamirësi, por me kusht që t’i votojmë, sepse të nesërmen e 25 prillit, do të vijojë hakmarrja dhe nuk dihet se ku do të mbahemi.

Po mirë more të nderuar kryetarë partish, të mazhorancës dhe të opozitës, si është e mundur që këta 140 “fakirë” të shkojnë cep më cep të Shqipërisë nga dhjetë e më shumë herë tek zgjedhësit e tyre në një kohë që për katër vite ata nuk kanë shkuar edhe njëherë të vetme? Po sa përfitime të tjera do kishim sidomos për oreksin që do të kishim duke mos parë në të për natë këta “Gavgaxhinj analëpistëshit” tuajt? A mund ta merrni me mend juve kryetarë e sekretar partish se sa shqetësime keni krijuar duke bërë sondazhe, me “fallet” përpara filxhanëve se kush i fiton zgjedhjet e kush i humbet ato, që për hir të së vërtetës, duhet të themi që për nëntë muaj, keni rrahur “ujë havadan” sepse nuk e keni të sigurt se a do të shkojë kush në kutitë e votimit apo jo!

Tani dua t’i përgjigjem pyetjes që shtrova në fillim. Pse them që do të ishte në “të mirë” të Shqipërisë, që të zgjidhnim 2 milionë deputetë? Them 2 milionë dhe nuk them katër milionë sepse kaq mund të bëhen me “kuç e me maç”, brenda dhe jashtë vendit. E mira fare do të ishte të kishim katër milionë, por kaq nuk mund të bëhen kurrë dhe ja pse. Shumë nga këta që kanë mbetur këtu, janë si i themi ne andej nga anët tona janë “në mykë” dhe për hir të moshës, atyre çfarëdo morali që juve kryetarë t’i bëni atyre ata nuk mund të pranojnë të bëhen deputetë edhe sikur nga katër “Jaguarë” t’u jepni.

Një arsye tjetër është edhe ajo që shumë të tjerë janë zënë me bizneset e tyre dhe njëherë, e hëngrën “sapunin për djathë” kur dëgjuan kryeministrin e kaluar në vitin 2012 që tha: “Emigrantëve që do të vijnë e të investojnë në vendin e tyre, t’u krijohen të tëra lehtësirat, të mos paguajnë TVSH, t’u jepen materialet me çmim të lirë, t’u krijohen lehtësira në ndërtime etj. etj.”. Por c’ndodhi? Disa prej tyre që e morën seriozisht këtë “përrallë” si të gjitha “përrallat” e tjera të politikës, u ngritën dhe erdhën me mendimin se do të bëhen “bossa” në Shqipëri.

Kam biseduar vetë me shumë prej tyre e midis tyre me një grup emigrantësh nga rrethinat e Elbasanit që punojnë e jetojnë në Greqi. “Ishim të tërë prej një fisi, vëllezër e kushërinj, thonë ata, dhe filluam nga puna. I hapëm themelet për të ndërtuar, blemë makineritë dhe materialet dhe nuk ua vumë veshin disave që na thoshin: “Si larg jeni ngrysur, qëndroni atje ku jeni dhe mos u merrni me marrëzira sepse këtu…”! Materialet i blemë më shtrenjtë nga sa i blinin të tjerët sepse pronarët me siguri mendonin: “Hë se keni para juve që vini nga kurbeti”! Nuk kaloi më shumë se një muaj dhe shihnim që edhe materialet po na “firaksnin”! Disa të tjerë na thoshin: “Hë, erdhët këtu të bëheni pasanikë ë”! Më në fund menduam: “Të marrim makineritë e t’i fshehim sepse do të na i vjedhin edhe këto dhe do të shitemi edhe vetë për t’i shlyer!

Kështu bëmë, erdhëm për “lesh” dhe u larguam të “qethur”! Ka shumë “mesele” të tilla politike, por fjalën e kam atje që edhe sikur fukarenj të jenë në vendet ku punojnë, përsëri këtu, nuk të vjen njeri sepse mbi të gjitha juve “të nderuar”, më falni që ju them “të nderuar” juve politikanëve, mbi të gjitha keni krijuar pasigurinë këtu në Shqipëri, pasiguri kjo që vjen nga mungesa e shtetit.

Pasiguri të ngresh një biznes, pasiguri të shkojë fëmija në shkollë, pasiguri të dalësh në rrugë e deri tek pasiguria të qëndrosh brenda katër mureve të shtëpisë… Në këtë kuptim, të tëra “përrallat e të kaluarës”, por edhe “përrallat” e këtyre nëntë muajve të periudhës më të gjatë parazgjedhore të tridhjetë viteve të fundit janë nga më absurdet. Po “argumentoj” edhe nja dy arsye të tjera që përse nuk mund të kompletohet numri i 4 milionë deputetëve.

Njëra është që nuk janë pak, por janë mbi njëqind mijë para e tetraplegjikë që edhe këta, që marrin një asistencë qesharake, nuk besoj të pranojnë mandatin e deputetit, sepse kanë frikë se duke ia hequr këtë asistencë dhe nga ana tjetër, nuk do të votohen, jo se nuk e meritojnë, por nuk kanë mundësi fizike dhe si të tillë do të mbeten me “gisht në gojë”.

Ka edhe shumë të tjera, por e fundit po rendit edhe arsyen e fundit. Përveç të shumtëve mjekë inxhinierë e specialistë që punojnë jashtë, për të cilat nuk ka statistika të sakta se sa të tillë janë, mbase nuk u interesojnë politikanëve këta, nuk e besoj që do të vijnë sepse këtu, nuk besoj që edhe mjekët, do t’u nënshtrohen urdhrave të partisë e të politikës.

Ama, statistika të sakta, se sa prostituta, janë “punësuar” jashtë këto statistika, janë të sakta! Ja psh, vetëm për vitin 2019, thonë statistikat jo vetëm këto të mediave tona, por edhe të huajat, janë larguar dhe janë “punësuar” në vendet e Europës, mbi 700 prostituta, të cilat kanë krijuar dhe kanë privatizuar edhe zonat e tyre! Po t’i shtojmë këtyre edhe ato qindra që vetëm këtë vit shkojnë e “cyciten” e “argalisen” me sheikët dhe All Saam all Hadërr Ballsamët e Arabisë, a mund të imagjinojë kush që ato do të lënë “bizneset” e tyre e të vijnë të bëhen deputete, si gra që janë, sepse vetëm në të kaluarën gruaja ishte “Forcë e madhe lëvizëse e shoqërisë”… Ka edhe shumë arsye të tjera, por edhe këto, do të ishin të mjaftueshme që katër milionë deputetë, nuk bëhen kurrën e kurrës, por të paktën 2 milionë edhe mund të pranojnë. Këta, do ta pranojnë sepse puna e deputetit për këta, është puna më e lehtë, krahasuar me papunësinë, e shumë të tjera.

Deputeti, është i vetmi personalitet, që nuk ka nevojë për nivel kulturor, për aftësi profesionale sepse profesion nuk është, diplomat edhe sikur të mos i kenë i blejnë fët e fët siç blejnë një paketë cigare në kioskë. Po pse të mos e pranojnë këtë ofertë këta mijëra të papunë, a nuk është më e mirë puna e deputetllëkut nga ajo që janë të papunë? Nuk kanë parë ata se sa e vrasin trurin deputetët? A ka më të mirë që të vjen në derë, kur të ofrojnë para, pa bërë asnjë punë?

Kjo është puna e deputetit. Ata kanë parë gjithashtu që shumë prej tyre zënë një qoshe andej nga fundi i sallës dhe ose gogësijnë ose dremisin dhe njëherë në javë, e bëjnë “kabull” të shkojnë, sepse ditët e tjera, do të merren me bizneset e tyre që edhe në qoftë se nuk kanë i krijojnë sakaq, sapo të marrin mandatin e deputetit.

Po të bëhej kjo e ta kishin të sigurt këta 2 milionë deputetë, as nuk do të krijoheshin sherre e kacafytje, as shpifje e sharje, as akuza dhe aktakuza, nuk do të kishin shumë punë as gjykatat e prokuroritë e policitë, por do të vinte ora dhe secili do të zinte vendin e tij. Të gjithë do të kishin dashuri, nuk do të urrenin njëri-tjetrin, nuk do ta kishin zili tjetrin dhe punët do të shkonin vaj. As më shumë e as më pak, po të ishte gjallë Çajupi, do të kishte parë “gallatë” më shumë se në vitin 1909 dhe “Klubi i Selanikut” vetëm emrin ka ndërruar.

Sa të drejtë ka patur Nalmadhnija e Tij Zogu I-rë kur iu përgjigj njërit prej pjesëmarrësve në Konferencën e Egjiptit kur ai i tha: “Juve shqiptarët vetëm tetëqind mijë jeni, kurse ne kemi me miliona dhe nuk ankohemi”! “Mirë e keni juve ju përgjigj Madhëria e tij Zogu I-rë, unë vërtet që kam vetëm tetëqind mijë, por ama ata kërkojnë që të gjithë të jenë princa dhe askush nuk pranon që të qëndrojë më poshtë”. Nuk jam shumë i sigurt, por ky është realiteti. Të tjerat, janë përralla!

Check Also

Po synohet destabilizimi? Spartak Ngjela: SHBA nuk mund t’i lejojnë mercenarët rusë të…

Koha sot në Shqipëri po punon underground – domethënë në mënyrë të nëndheshme. Por, gjithmonë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 + 15 =