Home / Aktualitet / Miratohet ligji/ Çfarë janë monedhat virtuale, që Shqipëria përgatitet t’i përdorë?

Miratohet ligji/ Çfarë janë monedhat virtuale, që Shqipëria përgatitet t’i përdorë?

Me 88 vota pro, 16 kundër dhe 3 abstenim Parlamenti ka miratuar projektligji “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Ligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe konkretisht nga ministria e Financave, ka të bëjë me rregullimin e tregut të monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojë një aktivitet të tillë dhe deri tek kushtet e tregtimit të kësaj monedhe.

Kriptomonedhat ose monedhat virtuale (bitcoin, etj) janë monedha dixhitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet, bankë qendrore, apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen.

Ligji është një iniciativë e politikave të brendshme të qeverisë dhe nuk vjen si direktivë e Bashkimit Evropian dhe sipas konkluzioneve të qeverisë shqiptare, aplikimi i monedhës virtuale mund të sjellë përfitime për ekonominë e vendit.

Kjo synohet të arrihet përmes “burimeve alternative të financimit” si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Por gjithashtu shihet se Shqipëria mund të ketë një përfitim të madh sa i takon transferimit të remitancave, duke shmangur kështu koston e transfertave.

Në vendim thuhet se, zbatimi dhe monitorimi kryhen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Aktualisht, tregu i aktiveve virtuale arrin në rreth 130 miliardë USD, në terma kapitalizimi, si dhe ekzistojnë rreth 2000 aktive virtuale të ndryshme. Sipas një studimi mbi 70% e tyre është e lidhur me raste mashtrimi apo skemash piramidale, të gjitha këto raste janë rrjedhojë e faktit që në shumicën e vendeve të botës ky aktivitet është i parregulluar.

Miratimi i një ligji të tillë nga Shqipëria vjen në një kohë kur kjo fushë paraqet ende shumë risqe dhe ende nuk lejohet nga shumica e vendeve në botë. Disa nga risqet kryesore janë krijimi i skemave mashtruese apo skemave të pa autorizuara, rreziku i përdorimit të aktiveve virutale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut.

BE-ja nuk ka një legjislacion rregullator të formalizuar dhe aktualisht janë tre vende të cilat kanë zhvilluar një legjislacion dhe kuadër rregullator lidhur me monedhën virtuale. Vendi i parë që ka miratuar një ligj të tillë është Malta, ndërsa dhe parlamenti i Lihtenshtejnit ka miratuar ligj për “Blockchain” ndërsa Franca ka miratuar ligjin dhe po ndërmerr një strategji për zhvillimin e teknologjisë blackchain.

Ky ligj, pavarësisht miratimit sot në Parlament do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2020, pasi gjatë muajve të mbetura pritet miratimi i akteve nënligjore dhe akteve rregullatorë.

M.C

Check Also

Nxorri lëpirëse në foltoren e parlamentit, përjashtohet për 10 ditë deputeti Ralf Gjoni

Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë deputetin Ralf Gjoni pasi që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − twelve =