Home / Editorial / Ministrat e Ramës si fytyrë e Asgjësë

Ministrat e Ramës si fytyrë e Asgjësë

Nga Anisa Muçaj/

Një ndër pak gjërat e bukura dhe me vlerë që bën kryeministri Rama në mandatin e dytë qeverisës, janë  homazhet gati të përditshme që bën në rubrikën “in memoriam” në  faqet e rrjeteve sociale që disponon. I shkruan bukur dhe me substancë vlerësimi, sidomos me gjuhë sqimatare. Por kjo dhe disa punëra cingërrima nuk mjaftojnë për të karaterizuar  gjendjen kritike në të cilën gjendet qeverija e tij dhe sidomos gjëma financiare që po i shkakton vendit përmes gropës në thellim të përditshëm, të buxhetit dhe krejt sistemit financiar.

Në mandatin e dytë, një ndër punët gati të përditshme gropëhapëse në këtë sistem është firma e ministrave të tij, për të lëvruar përqëndrueshëm paratë publike për llogari individësh dhe kompanish të caktuara. Ministrat e mandatit të dytë të “qeverisjes Rama” janë firmëtarë të shpeshtë milionash dhe miliardash. Janë miliarda që jepen për segmente veprash dhe punësh publike të cilave jo vetëm që shpesh u tejkalohen afatet kohore, por që propagandistikisht po i shndërrohen vetë qeverisë në boomerang zhgënjimi dhe nervozizmi qytetar.

Kryeministri Rama është “sultani” më i ekspozuar i dy pushteteve në republikën tonë sot; I Ekzekutivit qendror dhe i atij lokal. Zgjedhjet e 30 qershorit  të njohura, kanë përmbysur legjislacionin shqiptar për decentralizimin e pushtetit vendor dhe i kanë kthyer de fakto gjithë kryebashkiakët socialistë të vendit, në të komanduar dhe në administratorë të kontrolluar. Madje kjo flagrancë shkon edhe më tej, kur sheh se si në disa bashki, sikundër është ajo e Vlorës, me një arrogancë sulltanike, kryeministri ka deleguar edhe një nënkryetar Bashkie si A.Qendro, i cili është “hija mbi krye” të kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli. Por praktika të tilla nuk janë të vetme. Durrësi është modeli se si rasti i mungesës së kryebashkiakut të pazgjedhur, po e kthen qytetin e tretë më të madh të vendit, në një territor dhe njësi administrative të përdorur si seksion të partisë apo të enturazhit të kryeministrit i cili, sipas gjasave, do të jetë edhe në krye të listës së kandidatëve për deputetë të PS-së në këtë qark.

Por le të rikthehemi tek “ministrat e Ramës”, sepse vetëm të tij janë.

Nuk mund të quhen ministra socialistë, nuk mund të quhen ministra të shumicës, nuk mund të quhen ministra si përfaqësues të lidershipit politik të PS-së. (!)

Ata janë vetëm firmosës të copëzimit dhe racionimit të buxhetit financiar të vendit sipas logjikës, konceptit dhe shpërndarjes së vetë kryeministrit. Qeverisja e mandatit të dytë të Ramës nëpër njerëzit e thjeshtë etiketohet në disa zhargonë:

Qeveri e çupëlinave, qeveri e djemurisë së mbledhur pa kriter, qeveri e ministrave pa emër dhe pa shenja rritjeje si dhe qeveri e një administrate që po e shndërron shtetin në një makinë virtuale, gjëmat financiare dhe pasojat administrative do të duhen disa vite të numërohen e ndoshta disa dekada të rikuperohen.

Ministrat e Ramës janë individë me njohje por pa profil me cilësi dhe tipologji politike. Nuk rriten e nuk shpërfaqen aspak edhe pse kanë konsumuar kohë të rëndësishme në mandatin qeverisës së zotit Rama. Asnjëri prej tyre nuk krijon individualitet si administrator politik apo si udhëheqës në administratë. Madje në ndonjë moment që dikush prej tyre tenton sporadikisht, si për shembull ministr i Brendshëm Sandër Lleshaj ose bëhet qesharak ose  më e dukshme i bëhet gjurma e lokalistit dhe e ushtarakut që jep prova zhgënjimi të pritshmërisë që na ofroi një konsideratë e shkrimtarit të madh Kadare, kur zhurmoi dikur një fushatë për president Republike.

Më qesharake shfaqet ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Gjuha e saj në ligjërimet paraqitëse të segmenteve të rrugëve apo tenderave në fushën e energjisë alternative, jo vetëm që demaskon mungesën e arsimit, por sidomos kulturën e pamjaftueshme të saj për të qenë në një nivel të tillë, kaq të lartë politik dhe aq më tepër në një sektor dhe fusha kaq me rëndësi për vendin që pretendon të përafrohet si vend kandidat për anëtar i BE-së.

Këta  të dy emra janë firmosës të disa miliarda lekëve nga buxheti i ministrive dhe i programeve e projekteve investuese me partnerë të huaj. Raportet e dy viteve të fundit ato të kontrollit dhe ato të auditit prej Kontrollit të Lartë të Shtetit japin prova të shumta e tronditëse të dëmeve e gjëmave financiare.  Raportet dhe konkluzionet konfidenciale të shumë prej partnerëve, investitorëve dhe donatorëve për gjashtë ministrat aktualë të Ramës, janë jo thjesht kritikë, por me paralajmërime për pasoja dhe çarje tronditëse për interesin strategjik dhe atë perspektiv të partneritetit onë shtetëror.

Por ndërsa fytyrat e mbi 95 për qind të ministrave aktualë , mbesin vetëm shenjim i “Asgjësë” në profilin politiko-publik të tyre,  në letrat por sidomos thesarin e shtetit, firmat e tyre hapin gropa dhe shumëfishojnë transaksione që shkaktojnë çarje të shumta, gropa “karstike” për sistemin financiar publik, së paku për dhjetë vite të ardhme.

Në kabinetin e tanishëm të kryeministrit Rama, si ministra të fytyrës së “Asgjësë” janë fatkeqësisht më të rëndësishmit: No coment-i vlen më shumë se disa kapituj rrëfimi, për Besa Shahinin tek arsimi. Të komanduarin e tij në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme e kemi të mjatfueshëm për të karakterizuar se në ç’ditë inekzistence e kemi diplomacinë si shteti amë i shqiptarëve, por edhe si vend me mundësi e injorime pafund në rajon.

Lista e ministrave të tjerë është thjesht një listë të emëruarish dhe të preferuarash të kryeministrit, të cilët kanë fatin e të qenit nën stresin e syrit dhe thirrjes së kryeministrit dhe kurrë e aspak të ndonjë analize, raportimi, bilanci apo aq më keq mocioni apo interlepance në Parlament apo institucione të tjera kushtetuese.

Këto ditë në media dhe sidomos në online-t e vendit, po flitet se Kryeministri do të korrektojë rishtazi kabinetin e tij ministror, duke synuar ribërjen e një kabineti për fushatën zgjedhore në pretendim të objektivit për mandatin e tretë. I duhen ministra me profil dhe ndikim publik, nuk i vlejnë më këta të Asgjësë. Do ta bëjë ndoshta brenda datës 20 të këtij muaji. Një “grim i ri” për pjesën e mbetur të mandatit. Të larguarit si firmëtarë të miliona e miliarda lekëve, do të rikthehen, në detyrën me detyrim, të hysmeqarit elektoral. Të “përkushtuarat” në shumicë dhe të “urdhëruarit  e kapur” do të vihen në zgjedhën elektorale nëpër zona. Të shohim se si do të rikthehen të kamurit e rinj tek anëtarësia e vjetër për llogari të partisë së vjetër!

Check Also

Mbyllen 13 degë në Universitetin e Elbasanit, shumë shpejt ky universitet do të diplomojë vetëm infermierë

Këtë vit në universitetin e Elbasanit janë regjistruar 1032 studentë përkundrejt 2800 kuotave të lira. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 − 3 =