Home / Aktualitet / Meta vlerëson me titujt më të lartë mjekun e shquar dhe Shoqatën “Antipatrea”

Meta vlerëson me titujt më të lartë mjekun e shquar dhe Shoqatën “Antipatrea”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi sot mjekun e shquar Pandeli Çina me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e tij të vyera si mjek kardiolog, pedagog dhe shkencëtar i spikatur në fushën e mjekësisë. Me mirënjohje ndaj jetës dhe veprës si intelektual humanist, poet e përkthyes i spikatur dhe veprimtar i shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave më të mira historike-kulturore kombëtare”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” Shoqatën atdhetare-kulturore “Antipatrea” – Berati i lashtë, me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributet e çmuara atdhetare në mbrojtjen dhe ruajtjen e pacenuar të trashëgimisë kombëtare, lartësimin, përhapjen dhe përçimin te brezat e rinj të vlerave origjinale historike, kulturore, turistike dhe arkitekturore të Beratit”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, në praninë e personaliteteve të shoqërisë civile, artit dhe mjekësisë, Presidenti Meta u shpreh:

“Ndihem i privilegjuar të organizoj sot së bashku me të gjithë personalitetet e pranishme këtë ceremoni solemne vlerësimi, për profesorin tonë të dashur jo vetëm të trevës së Beratit, por të mbarë Shqipërisë dhe të kombit tonë, mjekun e shquar kardiolog Pandeli Çina, por njëkohësisht edhe për një shoqatë kaq aktive patriotike, qytetare dhe mbarëkombëtare, si ‘Antipatrea’.

Sot në periudhën e globalizimit, kombi ynë përballet me rrezikun e asimilimit, komercializimit dhe të humbjes së vlerave dhe identitetit shqiptar.

Prandaj gjithmonë kam nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona të patjetërsueshme kombëtare.

Në këtë drejtim, Shoqata e nderuar “Antipatrea”, prej dy dekadash, vijon një aktivitet të jashtëzakonshëm jo vetëm për të shkundur pluhurin e harresës për trashëgiminë tonë unike, shpirtërore, materiale dhe kulturore të Beratit, por njëkohësisht për të nxjerrë në dritë dhe për të përcjellë nga brezi në brez këtë trashëgimi të vyer.

Dua të vlerësoj shumë veprimtarinë dhe bashkëpunimin e saj edhe me shoqatat e tjera në qytetet dhe trevat tona shqiptare, si Prizreni e Ulqini dhe të gjitha përpjekjet që drejtuesit e saj kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për t’i promovuar këto vlera të trashëgimisë sonë kombëtare.

I paharruar është kontributi i dhënë prej saj, në zemër të Këshillit të Europës, në Strasburg, ku u shënua një nga sukseset më të mëdha për trashëgiminë tonë kulturore, përfshirjen e Beratit nga UNESCO në Listën e Trashëgimisë Botërore, më 13 korrik 2005.

Kjo arritje e jashtëzakonshme për njërin nga qytetet më të lashta të kombit tonë, erdhi edhe si pasojë e punës së palodhur e të frytshme të Shoqatës ‘Antipatrea’, që nuk i ka reshtur përpjekjet e saj për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Në këtë drejtim vlen të përgëzohet edhe mbështetjen që i ka dhënë Prizrenit, për t’u bërë pjesë e kulturës universale me propozimin e projektit kuptimplotë: ‘Vëlla Berati dhe motër Gjirokastra kërkojnë edhe vëlla Prizrenin në UNESCO’.

Ndaj kjo shoqatë i ka kapërcyer kufijtë e Beratit dhe të Shqipërisë. Me eksperiencën dhe me përvojën e saj, po ndihmon dhe po luan një rol lider për ruajtjen e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore, historike dhe kombëtare.

Gjithashtu dua t’a falënderoj shumë për punën e bërë për t’iu kundërvënë disa fenomeneve tepër negative dhe gërryese të tranzicionit për shoqërinë, por edhe për trashëgiminë tonë kulturore, siç janë përpjekjet e saj për të parandaluar dhe penguar ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, apo të mjedisit, duke shërbyer edhe si frymëzuese e shoqërisë civile, ruajtëse dhe bartëse e paepur e vlerave tona më të mira qytetare dhe atdhetare.

Për të gjitha këto kontribute të shkëlqyera që ka dhënë për ruajtjen e historisë, vlerave qytetare dhe të trashëgimisë kulturore, kam kënaqësinë që të vlerësoj sot Shoqatën “Antipatrea” me Titullin kuptimplotë ‘Mjeshtër i Madh’.

Të nderuar të pranishëm,

Sot kam nderin dhe privilegjin të vlerësoj edhe një patriot të shkëlqyer dhe intelektual frymëzues, fëmijëria e të cilit lidhet ngushtësisht, shpirtërisht e profesionalisht me Beratin, profesor Pandeli Çinën, shkencëtar dhe kardiolog i ndritur, i cili nuk është thjesht një mjek e një doktor shumë i mirë, por është shumë më tepër se sa kaq.

Është një intelektual i mirëfilltë, i shkolluar e specializuar në Varshavë, është një shërues jo vetëm i zemrave dhe shëndetit të bashkëqytetarëve të tij, por edhe i shpirtrave të tyre, sepse ndoshta jo të gjithë e dinë që profesor Pandeliu është edhe poet dhe përkthyes mjeshtëror.

Përveç gradave shkencore dhe shumë botimeve mjekësore mbi kardiologjinë dhe sëmundjet e zemrës, profesor Pandeliu ka gjetur kohën për të mos iu ndarë pasionit letrar të rinisë, duke shqipëruar poetë të njohur francezë e polakë, e madje duke u çuar lexuesve polakë edhe vargjet e papërsëritshme të poetit tonë të jashtëzakonshëm, Migjeni.

Doktor Pandeliu është një shembull i rrallë dhe i gjallë i mjekut humanist, i shkencëtarit të talentuar, i pedagogut frymëzues, i intelektualit të spikatur dhe aktivistit të flaktë shoqëror për ruajtjen e trashëgimisë të vlerave kulturore shqiptare si dhe promovimin e pareshtur të tyre në botë.

Ndaj kam sot kënaqësinë e veçantë të çmoj veprën e profesor Pandeli Çinës me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.

Check Also

Kush janë deputetët që do hetojnë Metën, mazhoranca përdor “të djegurit” për të çuar deri në fund luftën me presidentin

Detaje të reja janë mësuar nga nisma për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Burimet bëjnë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + eighteen =