Home / Aktualitet / Media nuk ka më qëllime kulturore, por vetëm ekonomike

Media nuk ka më qëllime kulturore, por vetëm ekonomike

Jürgen Habermas është realist dhe duket i dorëzuar, kur duke parë nga dritarja, psherëtin: “Nuk më pëlqejnë më auditorët apo sallat e mëdha. Nuk i njoh më aq mirë gjërat. Ka një kakofoni që më dëshpëron”.

Nga Borja Hermoso

Përreth liqenit Starnberg, rreth 50 kilometra nga Mynihu, radhët e vazhdueshme të shtëpive malore ndërpriten nga një ndërtesë e bardhë me dritare të mëdha: është ekuivalentia e racionalizmit arkitektonik në tokën e Heidit, një ballafaqim me modernizmin Bauhaus dhe konservatorizmin e Bavarisë. Një tabelë e vogël anash derës blu konfirmon se kjo është shtëpia e Jürgen Habermas, mendimtarit nga Dusseldorfi që qëndron denjësisht në panteonin e filozofisë botërore.

Bashkëshortja e tij prej 60 vitesh, historiania Ute Wesselhoeft, hap derën dhe thërret të shoqin: “Jürgen! Kanë ardhur spanjollët!”. Ute dhe Jürgen jetojnë në këtë shtëpi që prej vitit 1971, kohë kur filozofi mori drejtimin e Max Planck Institute.

Habermas flet me shumë vështirësi për shkak të një defekti të lindur në buzë. Një tragjedi e vogël personale për një person që si mision filozofik ka pasur vlerësimin e gjuhës dhe dimensionin social dhe komunikues të njeriut si mjet shpëtimi nga negativiteti. Profesori është realist dhe duket i dorëzuar, kur duke parë nga dritarja, psherëtin: “Nuk më pëlqejnë më auditorët apo sallat e mëdha. Nuk i njoh më aq mirë gjërat. Ka një kakofoni që më dëshpëron”.

Mund të flitet shumë për rënien e intelektualit të angazhuar, por a mendoni se është e drejtë të thuhet se kjo temë shumë rrallë diskutohet jashtë radhëve të intelektualëve?

Nëse bazohemi te modeli francez, nga Zola te Sartri dhe Bourdieu, sfera publike është thelbësore për intelektualin, edhe pse për shkak të brishtësisë së saj po kalon një periudhë të përshpejtuar shprishjeje. Pyetja nostalgjike “Ku kanë përfunduar intelektualët?” është e gabuar. Nuk mund të kemi intelektualë të angazhuar nëse nuk ekzistojnë lexuesit të cilët përthithin idetë.

A e ka dëmtuar interneti sferën publike, e cila më parë mbështetej nga media tradicionale?

Po. Që nga Heinrich Heine, figura e intelektualit ka ndryshuar status përgjatë gjithë konfigurimit liberal të sferës publike. Gazetaria u zgjua dhe u kthye në një mjet informimi që adresonte lexuesit drejt çështjeve të rëndësishme për formimin e opinionit publik. Por kishte edhe një popullatë lexuesish që ishin të arsimuar, të mësuar me procesin konfliktual të formimit të opinionit dhe që merrte kohën e nevojshme për të lexuar shtypin e pavarur dhe cilësor. Sot kjo infrastrukturë thuajse nuk ekziston më. Mesa di ruhet ende në Spanjë, Francë dhe Gjermani. Por edhe në këto vende fragmentarizimi i internetit ka zëvendësuar rolin e mediave tradicionale, mbi të gjitha në gjeneratat e reja. Ama, shpërbërja e opinionit publik ka nisur më herët se krijimi i vorbullës së mediave të reja, dhe televizonet e para komerciale në Shtetet e Bashkuara janë një shembull i frikshëm. Sot mediat e reja përdorin një taktikë edhe më të ashpër komercializmi dhe problemi qëndron se qëllimi i kësaj nuk është vëmendja e konsumatorit, por shfrytëzimi ekonomik i profilit privat të përdoruesve. Vjedhin të dhënat e klientëve pa miratimin e tyre me qëllim manipulimin, shpesh herë edhe politik, siç pamë në rastin e fundit me Facebook.

Check Also

Rikthehen reshjet e shiut, parashikimi i motit për sot dhe nesër

Moti në orët e para të mëngjesit të sotëm do të jetë me vranësira mesatare …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 + 5 =