Home / Kulture / “ME TRE AKTORË NGRIHET NJË TEATËR DHE ME NJË TEATËR RIKRIJOHET E GJITHË JETA!”

“ME TRE AKTORË NGRIHET NJË TEATËR DHE ME NJË TEATËR RIKRIJOHET E GJITHË JETA!”

Nga Miho Gjini -Homazh për aktorin THANAS BORODANI-
Thënien e mësipërme e kam për të tre aktorët amator që “gjeta” në Elbasan në vitin 1963, kur më emëruan si Drejtor-Regjisor-aktor të Teatrit Dramatik Profesionist “Skampa”.Sapo kisha dalë nga e para Shkollë e Lartë e Aktorëve “Aleksandër Moisiu” , 23 vjeç djal dhe, kur vajta aty do të përballesha me tre aktorë, të cilët ma mbushën synë plotë, po edhe me disa të tjerë nga lëvizja amatore. Mirëpo këta të tre ishin ca më të mëdhenj se unë: më i madhi prej tyre, Haxhi Seko, i shëndetshëm deri në rrumbullosje e me zë fondamental prej basi, më i riu,-një vit më i madh, quhej Demir Hyskja,- djal i ri e i pashëm, shumë simpatik e me një zë të bukur, me timbër, ndërsa i treti ishte Thanas Borodani, paksa më i larti prej tyre,që m’a kalonte 12 vite, me pamjen e një burri të pjekur e të këndshëm, si edhe me zë të mëndafsht, prej tenori. Nuk u tremba. Se, qoftë edhe me tre të tillë, bëhej teatri.
Akoma e kam parasysh edukatën e përkryer të Thanas Borodanit , të cilit i afroi dita e përvjetorit,-e këtij burri, sa të qetë, aq edhe të përmbajtur, që me fjalën e tij të shtruar e të mënçur, me buzëqeshjen e hollë dhe me humorin spontan, afrohej për t’a bërë bisedën të këndshme. Qe i biri i Pandi Borodanit që e njihte i gjithë Elbasani, i një kasapi fjalëpak e hokatar, që dinte të bënte prokopi e të vinte pasuri me punën e vet të ndershme dhe që, bash për këtë , do të bëhej pre edhe i komunistëve që erdhën në pushtet. Po edhe nipi i një aktori, nga më të mirët e më fisnikët, që kishte Teatri Popullor i atëhershëm në Tiranë, i Sandër Prosit, në shtëpinë e të cilit qe ritur e ëma, Urania, një grua me vyrtyte nga më të rrallat. E me këta të tre aktorë, shtuar edhe me disa të tjerë , do të vazhdonim veprimtarinë tetarore (profesioniste!) që e kishte nisur para një viti Regjisori Lec Shllaku nga Shkodra, duke vën në skenë dramën e Naum Priftit “Rrethimi i Bardhe”.
Pata shkruar diçka, per “Rrethimin e Bardhë”, para se të vija këtu, ne nr. e 11 gushtit të gazetës “Drita”, para se ta ndalonte atë Diktatori dhe e vlerësoja, si një “poemë liriko-romantike” për njerëzit e rinjë..që izoloheshin diku, në veri të vendit…,pa britma, pa efekte të zhurmshme…, ku personazhi kryesor, Bashkimi, u jepte zemër që të mos “thyheshin”e u thotë atyre me vendosmërinë, qartësinë e thjeshtësinë e tij se :”s’ikim, sepse s’mund të ikim!””E, këtë personazh kryesor e interpretonte po ky Thanas Borodani që takova këtu, i cili interpretonte me vërtetësi, bindje dhe mënçuri, në atë qëndresë në rrethanat e një izolimi të natyrshëm, që nuk kishte të bënte fare me “rrethimin borgjezo-revizionist ” , sipas atij që bënte “gjëmën” e që trazohej edhe me punët e teatrit!
Po, që nga ajo kohë, ndodhën përmbysje të mëdha, u shemb “kështjella e vjetër”, u shqyen kufijtë, asnjeri prej tyre nuk ështe më dhe tani na duhet t’i kujtojme me nderim e nostalgji, ata, më të mirët që kishim e që kemi akoma..Dhe ja tani, tek po vjen data 8 dhjetor, që na sjellë nostalgjinë e figurës së Thanas Borodanit, njerit prej këtyre aktorëve që jetoi edhe me gjatë dhe u largua nga jeta bash në këtë ditë te vitit 2015, si një nga aktorët më të nderuar profesionist të këtij teatri, ku munda të punoja edhe unë me ta, për tre vjetë. Aq më tepër se, me Thanas Borodanin ndjeja siguri në përballimin e repertorit e shpesh më duhej të këshillohesha me të e me Demirin, në afrimin që fillimisht më rrëfyen me shumë dashuri. Dhe vija re se nuhatja e tij artistike nuk mungonte, inteligjenca e artistit që e njihte skenën, po edhe përshtatja me rolet që i besoheshin dhe që ai i realizonte ato me natyrësinë që i’a kishte dhën talenti dhe përvoja skenike e tij shume e gjatë. Ndofta dhe ai gen i rrallë artistik i trashëguar nga Dajua i së ëmes Urani , Sandër Prosi i Madh.
Elbasanas puro! I lindur po këtu, më 10 prill 1926, në një qytet me shumë kulturë, në një mjedis artdashës, ku kishte shume shkolla e mësonjtore të gjuhës shqipe, ku do të kryesonte Shkolla Normale , me nje traditë fort te pasur në përhapjen e dijeve, gjuhës, kulturës e artit. Jo më kot Kasapi i njohur i Rrapit të Bezistanit, Pandi Borodani, do ta vendoste të birin pikërisht në këtë shkollë, që Thanasi nuk arinte dot ta kryente përfundimisht. Qe kohë lufte dhe nxënësi Thanas Borodani , sa kishte mbaruar vitin e tretë të kësaj shkolle, bashkë me disa të rinjë të tjerë, rrëmbyen pushkët e u bashkuan me çetat partizane. Po, kur lufta do të mbaronte, do të rikthehej që ta mbaronte edhe shkollën, me po ato ideale e ëndrra që i lindën. Bashkë me një frymëzim të ndritur për jetën. Me dashuri për dijen, gjuhën, kulturën e artin, Me respektin ndaj mesuesve të shquar të kësaj shkolle me emër, me figura të shquara të shkencës tonë,si Aleksandër Xhuvani e Aleks Buda. Edhe dashuria e tij e hershme për teatrin, prej këndej do të niste. Ai e dinte se, në këtë shkollë u edukuan edhe nxënës, të cilët më pas, do të mernin pjesë direkte në ecurinë e dramaturgjisë e te teatrit të këtij qyteti, sikundër qene Et’hem Haxhi Ademi, Abedin Çaushi, Faik Haxhiymeri, Faik Pajuni, Bukurosh Sejdini, Vasil LLapushi, Skënder Hoxha, Hysen Biza dhe shumë të tjerë…
Është për t’u përmëndur se, që nga fillimet e shekullit të kaluar , prej kësaj plejade që e zhvilluan lëvizjen teatrore në Elbasan, do të jepesihn një varg shfaqjesh, me vepra kombëtare si “Besa ” e Sami Frashërit, “Lulja e Kujtimit” e Faqion Postolit, ” Ali Pashë Tepelena”, ” Skëndërbeu”, “Triumfi i lirisë”,”Margarita Tutulan” etj. Paralelisht me repertorin kombëtar që do të zinte vëndin kryesor, do të viheshin në skenë edhe vepra të huaja klasike , të antikitetit dhe të periudhës së mëvonshme, si “Andromaka”, “Ulisi”, “Akili”, “Hajduti i Amstredamit”, “Kopraci”, “Cubat”.etj. Kishte lindur në Elbasan një lëvizje teatrore e pazakontë, sistematike, krejtësisht me një aksent patriotizmi të flaktë, po edhe me një vlerë njohjesh morale, sociologjike e historike, me shfaqje të rralla që ai nuk kishte patur mundësi t’i shihte vetë, po jehonën e tyre edhe e dëgjonte. Si edhe ato fare pak spektakle të të rinjëve të shkollë s normale, herë i shihte e herë të tjera kishte dëshirë të futej ndër to, të lozte teatër, qofte edhe si figurant. Se keshtu vinin të gjitha dashuritë e të rrinjve…. E gjurma do të linte gjurmë edhe ne shpirtin e këtij djaloshi akoma shumë të ri në moshë, të vëmëndshëm e energjik. Mirëpo, me mbarimin e asaj shkolle, arsimtarin e ri Borodani, do ta emëronin diku largë, në një fshat të Dibrës, për të shpën atje dijet e veta. Dhe “gjurma” mbetet, fiksohet, tok me përvojën e jetës së atjeshme, me mënçurinë dibrane, me humorin e hollë e shpotitë e vendit, me bujarin e nderet që aq mirë i kishin ata njerëz atje. Në vitin 1950 Thanas Borodanin e kthejn në qytetin e vet , ku ishte “gatuar” ëndërra e dashuria e rinise, si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës e i Krijimtarisë Popullore. Kështuqë, aktivizimi i tij real me teatrin, do të ndodhte menjëherë në dy shfaqje nga dramaturgjia Ruso-Sovjetike, ku ai do përballej me role më të plota, si tek drama “Nën gështenjat e Pragës”, të Kostandin Simonovit, me rolin e Rojës Kombëtare dhe “Vreshta e Arsenit”, me rolin kryesor, të Arsen Tomasjanit, në komedinë e Nair Zarihanit,-një shfaqje që u dha me shumë sukses në krejt qarkun e Elbasanit. Paralelisht i vihet kërkesave të tij rigoroze, për të patur aty një organikë definitive, me disa seksione: Kultura Masive, Teatri dhe Estrada, Koreografia, Kinemaja, Salla e Ekspozitave , duke parashikuar edhe një grupim për Teatrin e Kukllave. Ndofta, në këtë drejtim, Thanas Borodani, qe i pari që mendonte t’a strukturonte institucionin e kulturës, me një gamë e vizion më të gjërë, edhe pse nuk do t’ia arinte qëllimit plotësisht, për vetë ngushtësinë e organikave egzistuese, në mvartësi nga qendra e Partisë në Pushtet! Dhjetë vjetë më vonë , unë do të gjeja aty një tjetër drejtor , Nazmi Ipekun, pikërisht në kohën e shkëputjes së Kulturës nga Drejtoria e Teatrit”Skampa” e sapo krijuar , e cila kishte në mvartësin e saj edhe Estradën “Profesioniste”, të krijuar disa vite më përpara, pa patur asnjë profesionist (!) brenda saj. Dhe kështu do të ndodhte edhe me teatrin, edhe me Thanas Borodanin që po e kujtojmë sot, si njerin nga ata aktorë profesionist të teatrit , që do të hynte në Teatrin e Dramës, pa shkollën e lartë ta aktrimit, i cili këndej e tutje do të interpretonte në shfaqje të rendësishme me aktorë të afirmuar të rangut Kombëtar , sikundër ishin Robert Ndrenika e Shpëtim Shëmili, pa stonuar aspak. Si edhe me një grupim aktorësh me arsimin e larte qe do të vinin paskëtaj , sikundër ishin Tomor Himçi, Qemal Mehmeti, Xhalal Bilali, Tomor Shishmani, Astrit Çerma, Spiro Duni, Bruno Shllaku, Veronika Todri e shumë të tjerë
Të dy personazhet që do t’i besoja unë Thanas Borodanit, pa parë asnjë shfaqje të mëparshme të tij, Dr. Steniusin në dramën Finlandeze të Hella Vuolijokit “Justina”, me të cilën mbrojta aty diplomën e regjisorit, para pedagogëve të mi Andrea Malo, Kujtim Spahivogli e Naim Frashëri e publikut Elbasanas dhe Xhon Bartvikun në pjesën e Xhon Gollsuorthit “Kutia prej Argjendi”, do të ishin dy figura artistike të spikatura, interpetuar me mjeshtrinë e një aktori , që i njeh mirë “rregullat e lojës”, me të gjitha kërkesat bashkëkohore të Mjeshtërisë së Aktorit. Impozant në rangun e tyre sugjestionues dhe po kaq të ndryshëm në profilet e të tyre të veçanta. Stenius, një mjek me tipare humane, me psikologjin e nje intelektuali paksa të ftohtë të vëndeve nordike, por xhentëlmen i vërtetë, ndërsa Ser Xhon Bartvik,-antar i Parlamentit Britanik , si personazh, një snob i vëndit të tij, i prerë dhe serjoz, që e ka të vetin edhe rreptësinë, edhe etikën e aristokratit. Po, ndërsa Tek kjo e fundit, aktori ynë do të ishte më komod, me partner Ndrenikën, Shëmilin e Hyskën, tek “Justina”, do të kishte si partnerë, përveç treshes së aktorëve të afirmuar, që krijonin vetiu siguri mardhëniesh emocionale, tek “Justina” do të përballej edhe me tre aktorë që isha i detyruar ti merrja nga jeta, me gruan më të bukur e më elgante të qytetit, XhekoKoçin, të cilën e kisha parë në rrugë dhe e zgjodha për të interpretuar rolin kryesor në shfaqjen time, duke ju lutur jo pak, atë të Justines, gruas së nëpërkëmbur e krenare në dinjitetin e saj, pa lozur teatër asnjëhere, po ashtu dhe me vajzën e re Shane LLangu (një infermjere që do të mbetej më pas në teatër e bile do të martohej po aty!), si edhe me vogëlushen Raimonda Hysi ( sot qytetare amerikane), që më mungonin si personazhe e që, pa to nuk e realizoja dot shfaqjen e diplomës, duke marrë parasysh edhe dështimin, që lumturisht nuk e pata!
Gjatë këtyre tre vjetëve, ky aktor do të më surprizonte edhe në dy raste të tjera, kur do të interpretonim së bashku në shfaqjen e dramës së Ndrekë Lucës ” Shatë Shaljanët”,me regji të Lec Shllakut, unë në rolin e të dërguarit të Vezirit dhe ai në rolin e Vuksan Gjonit, njerit prej malësorëve shqiptarë që refuzonin t’i paguanin taksat e haraçet Sulltanit. Para meje, në skenë, qëndronte një malësor krenar, i pa epur, që nuk lëshonte “pe” e nuk lëkundej aspak para presioneve të mia, si personazh-përfaqësues i shtett perandorak. Krejt ndryshe do të ishte tek roli i Farmacistit tek komedia e Eftimiut, “Njeriu që pa vdekjn me sy”, kur , me shpotitje të efektshme i kundërvihet Kryetarit të Bashkisë, Filimonit…Me Thanasin si aktor, flisnim edhe për rolet, për shfaqjet e ecurinë e teatrit të ri, ulur para një filxhani me kafe e të një gote me raki, qe ai e dëshironte, shkëbenim edhe batuta,-si mik i këndshëm tryeze, po ndjehesha i etur që t’a ndiqja edhe më mbrapa, si aktor me “stof nga të mirët”, por kjo nuk do të ishte në favorin tim, qoftë edhe pse repertori i skenave tona do të ngushtohej me ndërhyrjet ideo-politike të sloganeve që vinin nga lartë dhe që, edhe unë do të bëhesha (për fat të keq, si “bashkëfajtor” i këtyre kërkesave të imponuara, gjatë atyre 12 viteve të mëpastajme, kur më patën emëruar si Inspektor të Përgjithshëm të Teatrove e të Estradave të Republikës!), po edhe për faktin se, dhjetë vite më pas këtyre roleve interesante të Borodanit, do të më syrgjynosnin edhe mua nëpër galerat e asaj kohe të mënxyrshme, kur befas do më thonin se “edhe ti, ke” lakëra në kokë””!. Po nga ky aktor, më kishin ngrohur edhe dy figura të krijuara prej tij, si ajo e Dr. Feridit në shfaqjen e dramës “Në Tufan” të Fadil Paçramit, me regji të Lec Shllakut, si edhe ajo e Selimit në dramën “Familja e Peshkatarit” që e realizoi po këtu, si mysafire Drita Agolli, të cilat ishin diametralisht të kundërta: Dr. Feridi, intelektuali i lëkundur i kohës së luftës N. Çl,- tek e para dhe Agjenti djabolik i fashizmit, tek e dyta. Aktori përdori gjithë arsenalin e tij që t’i paraqiste këto dy figura me vërtetësi, pa berë asnjë spekullim të jashtëm , me gjeste dhe në të folur, po me një botë të brendshme, konform moshës dhe etikës. E, tek i pari , me maturinë e një intelektuali që dëshiron t’i mënjanohet politikës, me dyshimin verifikues kurdoherë e, tek i dyti , në rolin e Agjentit Italjan, me sugjestionin e dhelpërës dinake, derisa ariti joshjen e Selimit dhe rekrutimin e tij. Në ato shfaqje që përvijuan më pas, ku ishte i pashmangshëm edhe varfëria e repertorit, nga njera anë, si edhe nga politizimi i tejskajshëm i kërkesave mbi to ,nga lartë-poshtë, nuk do të kishim asnjë ngjarje tjetër evidente , qoftë për Thanas Borodanin , qoftë edhe për aktorët e tjerë të kësaj trupe. Se, përpos dekadave të mëpastajme, nuk do të ishte prezent as Thanas Borodni e as autori i këtyre rradhëve. Skena kërkon gjithmonë njeriun e gjallë që të ketë sedër e ambicje për t’a bërë teatrin, pra aktorin, që është e mbetet “shpirti i spektaklit”. Thanas Borodani ishte dhe mbeti figura e artistit shembëllor që i duhej teatrit, përherë gjallë, aktiv, aktori me etikën më të shkëlqyr që ronte, frymonte e gjallonte brënda teatrit, jo si një “mumje” që pretë t’a “sajdisin” të tjerët, por si njeriu më i ndërgjegjësuari aty, më i shqetsuari, i cili i urrente “duart e lidhura”! Ndajë edhe s’e mbante vëndi, harë si aktorë, herë si dramaturg e herë si regjisor nëpër grupet amatore që gëlonin parrreshtur në Elbasanin e tij…
Do ta quaja “banale” tani, të thosha se ky aktor, luaajti në skenë “mbi 100 role” a ku ta di se ç’farë, po ti them lexuesit dhe publikut të aktorit Thanas Borodani se tashmë ai i mungon skenës me profilin e tij , me vetëdijen e një artisti intelektual dhe organik që errdhi nga jeta e mbeti përbrenda jetës sonë. Aktori që nuk përpiqej asnjëherë t’a loz rolin, po t’a ndjente atë tek vetvetja, me qetsinë e pamjes dhe me shpirtin e ndezur, si të ishin thëngjijt e zjarrit.Njeriu me karakter, që nuk rendëte pas politikanëve e zyrtarëv, familjari i kujdeshëm, i cili qëndronte sa më largë mediokriteteve,tarafeve, anësirave, fjalëve boshe e te zhurmshme, gojëmbëli që shihte udhën e teatrit si drejtimin kryesor të jetës, Po edhe me dëshirën që ta ndihmonte teatrin si dramaturg. Shkroi shume skeçe që i “avulloi ” estrada, pjese tetrale për fëmijë, tekste dramatike për emisionin “Heroizmi i Popullit tonë në shekuj”që transmertonte regullisht Radio Tirana. Preokupohet për edukimin e rinisë dhe shkruan pjesën ” Ata nuk u përkulën” ne vitin 1978 dhe e vë vetë në skenë në shkollën pedagogjike. Dhe menjëherë shqetsohet edhe për repertorin e teatrit të tij. Shkruan komdinë “Firmat e vogëla” me temë nga klasa punëtore, si një refleksion i ideve te atëhershme për revolucionin tekniko-shkencor, me theksin kundër burokratizmit e për të evidentuar rolin e masave, kryesisht të punëtorëve,-sikunder propogandohej atëhere. Vetë Thanasi do të interpretonte roline nje punëtori racionalizator , te cilin e pengonte N/Drejtori dhe do ta zgjidhte ngërçin, si gjithmonë, sekretari i Org. Partisë së Ndermarrjes! Pjesa e dytë që shkroi quhej “Për Jetën” e bënte fjalë për herozmin masiv, konkretisht për një grua -nënë që hidhet në lum për të shpëtuar dy fëmijë. Pjesa tjetër me tre akte “Udha e Zavalinajve” qe e imponuar gjithashtu nga thirrja e Partisë: “Tu ngjitemi kodrave e maleve” , me metodën kineze, aksiomë që edhe do të dështonte realisht, edhe pse autori kishte “futur” aty brenda një dozë humori fshatarak të atyre anëve, duke mos e pranuar këtë lloj “ngjitje maleve”, kur zona fushore e tyre ishte e pa anë e mund të mbetej djerrë! Atehere qe e vështirë t’i shpëtoje indoktrinimit në platformën e veprës dramatike, jashtë këtij konteksti kohor e megjithatë, beheshin përpjekje për të rrokur disa vlera njerëzore, sikunder bënte edhe Thanas Borodani, me aq sa mundej e lejohej. Po, kur do ti përkujtojmë të tillët, ne të gjithe duhet të heqim kapelet e te biem në gjunjë, për ç’kanë hequr e vuajtur me imponimet nga lartë njerëzit tanë të teatrit,sepse, s’kishin ç’bënin më tepër me ato sloganet e pafundme që delnin nga “veprat” e Udhëheqsit e që, detyrimisht duheshin futur nëper drama e komdi që u quajën , po nga lartë, si ” gazeta folëse” të partisë në pushtet! Ishte diçka heroike për të bërë teatër atëhere, kur teatrit “i ishin vënë minat nga poshtë!”. Prandaj, edhe ata artistë Elbasanas, të cilët jetuan e punuan për ngritjen e teatrit të tyre, qe ikën pa e shprehur plotësisht vetveten dhe që nuk i vijnë dot më Elbasanit, sikundër ishte Thanas Borodani, që si sot do të festonte ditëlindjen e vet, apo edhe si Demir Hyskja, Haxhi Sejko, Shpëtim Shëmili, Hysen Biiza, Ferid Gjevori e të tjerë me rradhe, i meritojnë plotësisht homazhet nderuese, si martirë të artit, në kohët më të vështira që pati kombi ynë edhe pse endet akoma mënjan Europës!
* * *
Po,pa u habitur aspak, tre qytetare me pasaporta të huaja, dy italianë e nje amerikane, ngarkuar me tufa lule nëpër duar, veshur me robat e zisë, e kanë vendosur që t’i drejtohen varezave të qytetit italjan Cremone, ditën e martë, ora 10 para dite, të këtij viti që jemi, dhjetor 2020. Ajo e para quhet Urani, professore e Matematikës dhe e Fizikës në Institutin Superior Internacional “A. Stradivari” të Cremonës, i mesmi, Z. Pandeli, është Inginer Teknolog i disa firmave të rëndësishme të Torinos, ndërsa , më e vogëla, është Zonja Marieta, që sapo ka mbritur aty nga Amerika, Asistente-Profesore e Mjeksisë në Westchester Medical Cent në Neww York dhe pedagoge në Neww York Medical College në U.S.A. Që të tre këta qytetar të BOTES, janë tre fëmijët e nderuar të aktorit ThANAS BORODANI, që shkojnë aty ço vit, në të njëjtën ditë e orë, për të nderuar, përkujtuar e vendosur lulet e shpirtit të tyre mbi varrin e prindërve të dashur e të paharruar, të Uranisë nga familja e nderuar Prosi dhe bashkëshortit të saj të përkryer, Thanasit nga Elbasani, të birit të kasapit të Rrapit të Bezistanit, emrrin e të cilit do të qe nder ta mbante aty ndonjë rrugë,park a lulishte me portokalla, ndofta edhe vetë kjo godinë teatri që u dogjë një herë e u bë nga e para, po me atë emër që kishte.
( Shkruar në Athinë nga ish Drejtri i parë i Teatrit “SKAMPA”, në këto ditë dhjetori- Lockdown të Pandemisë 2020)

Check Also

Dreka e kobshme e janarit 1953

Nga Blerim LATIFI- Ishte janari i vitit 1953. Tito kishte lënë Beogradin dhe ishte nisur …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × three =