Home / Aktualitet / MBI PËRÇUDNIMIN E IDHUJVE

MBI PËRÇUDNIMIN E IDHUJVE

Nga Hysni Ndreu-

Skulptura, përpara se të jetë një objekt konkret, i prekshëm, prej balte, qeramike, druri, guri a bronzi, është një objekt shpirtëror; është një objekt që hyn më thellë e shkon më përtej baltës, qeramikës, gurit, drurit a bronzit.

Duke hyrë më thellë e duke shkuar më tej, gjer në transhendencë, ajo krijon një botë të sajën, brenda së cilës ti sheh, reflekton, ndien, kupton.

Balta, guri, druri, bronzi a qeramika shndërrohen, pra, në një “frymor”, me të cilin mund të bisedosh, të bësh një foto, ta përqafosh, ta nderosh, pse jo, edhe ta adhurosh.

Në çdo rast, në një mënyrë a një tjetër, ai të përfaqëson ty; në mos ty, një të fisit, krahinës, kombit tënd; përfaqëson identitetin tënd, historik, kulturor a fetar; përfaqëson të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde.

Që balta, qeramika, guri, druri a bronzi të shndërrohen në “frymor”, më së pari duhet që frymori-skulptor, domethënë artisti, të jetë përfshirë emocionalisht, logjikisht, historikisht, antropologjikisht, kulturorisht në botën e personazhit që ka vendosur ta shndërrojë në skulpturë.

Duhet, pra, të hyjë thellë bronzit, qeramikës, baltës, gurit a drurit, të shkojë më tej konkretes së tyre, gjer në transhendencë, në të padukshmen që duket. Të përkapë prej këtu aurën që rretheqarkon personazhin dhe mbi bazën e kësaj aure të gdhendë baltën, gurin, drurin, qeramikën, bronzin.

Vetëm kështu do të mund të emocionoheshim përballë shtatores a bustit të Gjergj Kastriotit, Adem Jasharit, Ismail Qemalit e me radhë.

Në skulpturat e mëposhtme, si dhe në plot të tjera nëpër Shqipëri e Dardani, nuk është shkuar më tej, as është futur më thellë, as na është dhënë aura. Ato janë, pra, skulptura të paaurta e, si të tilla, mbeten thjesht gur, baltë, dru, qeramikë, bronz.

Check Also

Moçali i ka dhe shpendët e rralla, profesor Spiro!

Nga Arber DALMATI- Zotin Aristotel Spiro, Profesor ne filologji nuk e njoh as nga afer …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × two =