Home / Aktualitet / Mbërrijnë në Kuvend marrëveshjet me BERZH, Shqipëria merr 75 milionë euro hua për Covidin dhe turizmin

Mbërrijnë në Kuvend marrëveshjet me BERZH, Shqipëria merr 75 milionë euro hua për Covidin dhe turizmin

Dy marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë mbërritur në Kuvend për ratifikim.

Marrëveshjet përfshijnë dy kredi me vlerë 75 milionë euro, ku e para është e programuar për të përballuar situatën e COVID-19 dhe e dyta në funksion të turizmit për të paktën katër rajone. Të dy marrëveshjet janë parashikuar për diskutim në komisionet parlamentare, për të kaluar më pas në Parlament.

Huaja për COVID-19

BERZH do të japë të paktën 15 milionë euro hua në funksion të përballimit të emergjencës së COVID-19. Kjo hua do të përdoret për mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë.

“Mbështetja e sektorit shëndetësor për të reaguar ndaj COVID-19 menjëherë dhe në një periudhë afatmesme konsiston në: fuqizimin e funksioneve kryesore të shëndetit publik për frenimin, parandalimin e përhapjes së COVID-19; fuqizimin e sistemit shëndetësor për rritjen e kapaciteteve për trajtimin e rasteve të COVID-19 dhe sëmundjeve, që lidhen me të; mbështetjen për masat e distancimit fizik dhe komunikimin në distance” thuhet në relacion.

Huaja në mbështetje të turizmit dhe infrastrukturës

Në relacionin e marrëveshjes tjetër me BERZH nënvizohet se janë të paktën 100 milionë euro në dispozicion për këtë projekt nga të cilat 60 milionë euro janë hua dhe 40 milionë janë grant.

“Programi synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ai do të zbatojë dhe do të testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale.

Programi do të përmirësojë turizmin e qëndrueshëm e të përgjegjshëm, duke rigjeneruar kështu strukturën ekonomike lokale dhe mjedisin urban. Destinacione turistike më të shumta dhe më tërheqëse do të rrisin shpenzimet e turistëve, kohëzgjatjen e sezonit turistik, mundësitë e punësimit për popullsinë lokale dhe të ardhurat në zonat e synuara.

Kjo shkon së bashku me një vizibilitet të lartë të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Modeli do të shtrihet në vende të tjera, të cilat do të zgjidhen në bazë të nevojave dhe të potencialeve të tyre për zhvillim lokal, në përputhje me politikën e zhvillimit rajonal shqiptar. Bashkitë mund të marrin mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës së tyre, lidhjen rajonale dhe shërbimet bashkiake”, thuhet  në relacion./Monitor

Check Also

Tito e helmoi Stalinin?

Josif Stalini, në vitin 1923 i dërgoi një letër Byrosë Politike, përmes së cilës informon …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × three =