Home / Editorial / Marrë(zh)veshja për detin

Marrë(zh)veshja për detin

Aleksandër ÇIPA-
Shpallja e  zgjerimit me 12 milje të territorit detar nga pala greke, në kufirin verion të hapësirës joniane, është një akt implikues ose ndikues mbi palët kufitare të këtij vendi. Në këto palë përfshihen së pari Shqipëria dhe njëherësh Italia. Në rastin e Greqisë, ky zgjerim, mbart edhe vlerën e një kazusi për territoret e tjera të sheldit detar, ku fqinjëron me disa shtete.
Sidoqoftë, zgjerimi me 12 milje është një vendim vetiak shtetëror i cili u materializua duke kaluar përmes të gjitha hallkave dhe procedurave institucionale dhe ligjore të shtetit grek.
Pala që ndikohet, (ose nëse ndodh sipas pohimeve të opozitës dhe zërave të tjerë skeptikë në Shqipëri), pra që cënohet e tkurret, është vendi ynë. Për këtë arsye, debati dhe sherri i sapondezur, jo vetëm mes opozitës dhe kryeministrit Rama, por edhe mes këtij të fundit dhe presidentit të vendit zotit Meta, do të ketë sipas të gjitha gjasave, disa kapituj shtesë në këta muaj që vijnë dhe kryesisht në fillimvitin që po troket.
Pala greke u ngut në faktin e kryer institucional për këtë zgjerim, duke shpërfillur historikun e ri të gjasme negociatave me palën shqiptare. Negociatat e mbetura në diskrecion të plotë politik, diplomatik dhe fatkeqësisht edhe institucional, për palën shqiptare janë një turp i ri i sjelljes dhe përgjegjësisë  institucionale, të cilat në vitin 2009 patën për protagonist të vetëm vendimmarrës ish kryeministrin Sali Berisha dhe tashmë kanë po si ai, të vetëm kryeministrin Edi Rama.
Të dy edhe zoti Berisha edhe zoti Rama, e kanë të pambyllur dhe fatkeqësisht edhe të panisur, gjykimin për këto bëma të cilat janë të lidhura me të njëjtin subjekt.
Të dy këta qeverisës afatgjatë të vendit e kanë përfshirjen në klëtë skandal në mos të njëjtë për nga kostua, së paku, të përbashkët nga dëmi kundër interesit dhe integritetit territorial të vendit.
Ndërsa dy muaj më parë në vizitën e vetme pas kaq kohësh (dhe të vonuar për arsye që nuk u ditën kurrë nga publiku dhe institucionet e vendit), kryeministri Rama në Athinë, pranoi verdiktin grek se çuditërisht Tirana dhe Athina ranë dakord t’i adresohen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë për mosmarrëveshjen në lidhje me kufirin detar.
Hipokrizisht mund të quhet mosmarrëveshje, pasi në ecurinë e mëtejshme fjali të shkëputura të kryeministrit Rama dhe hapa ligjorë e institucionalë të Greqisë fqinje, po zbardhin  se paska pas, një marrëveshje, për të cilën pala greke jo vetëm që nuk humbet asnjë grimë kohë, por përmes faktit të kryer, do të pranojë disa procedura formale të shërbyera sipas gjasave, me moskëmbëngulje nga pala shqiptare.
Dekika e lëshimit të detit kishte mbërritur më parë, qyshse kur gjasme, negociohej mes Ditmir Bushatit për ne dhe Nikos Koçiasit për ata. Madje në këtë marrëveshje të pasbardhur, të panjohur, të padorëzuar në institucionet shqiptare siç e parasheh Kushtetuta, e cila u la në mes të rrugës, nuk është çudi të ishte përfshirë edhe  e ashtuquajtura çështje e sheldit tokësor. (!)
Duhet ta ngremë zërin dhe ta bëjmë sa më parë të njohur edhe faktin se marrëveshja e sheldit tokësor mes Greqisë dhe Shqipërisë është një çështje rishtazi e hapur dhe pakuptueshëm e papranuar zyrtarisht si problem që po marrë(zh)veshet mes dy palëve, njëjtë si në rrethana të diskrecionit, sikundër dhe kjo e detit. Në këtë marrëveshje, të nisur apo të diskutuar(!), paraprakisht, sërish Shqipëria jonë ndodhet në hapat e një rruge me imponime dhe kushtëzime sipas favorizimeve greke dhe rezultatit tkurrës të territorit shqiptar.
Nuk ka asnjë dyshim, se grekët ose Greqia zyrtare, në këto 28 vjet është kujdesur si askush tjetër të zhdukë e të zhbëjë shenjat përcaktuese për kufirin tokësor. (Jo më kot janë zhdukur e hequr të ashtuquajturat piramida apo gurët shenjues të kufirit tokësor në kushtet e mosekzistencës më, të postave të dendura dhe pikave intensive të vëzhgimit të kufirit në gjithë gjatësinë e vet ekzistuese).
Megjithatë, le të kthehemi tek pika e nxehtë e një fakti të kryer grek: tek zgjerimi vetiak I Greqisë 12 milje në Jon, të cilën çuditërisht kryeministri ynë e konsideron një e drejtë legjitime të Greqisë.Natyrisht legjitime atje ku ka, por atje ku s’ka dhe nuk e ke negociuar si mund ta ligjërosh me vendime të njëanshme të shtetit, aq më tepër që je pala tjetër?! Të paktën mos e shpreh Ti Shkëlqesi, si kryeministër i vendit tjetër!
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ia vuri “kufirin tek thana” çdo shtetari dhe qeverisësi për marrëveshje të re apo rinegocim të marrëveshjes së vitit 2009. Madje në atë vendim të Gjykatës Kushtetuese,  akuzat e rënda ndaj qeverisë Berisha, vlejnë si një stres i përjetshëm për kryeministrin në fjalë. Gjykata jonë Kushtetuese nënvizoi se ajo marrëveshje kishte defekte të rënda.
Mirëpo në kushte dhe rrethana më skandaloze, pa një kontroll dhe konsultim ndërinstitucional, i rinisi bisedimet qeveria Rama dhe të dërguarit e tij në cilësi ministrash apo të ngarkuar me detyrë. Edhe ata që e nderuan vetveten me adresimin tek Gjykata Kushtetuese sipas gjasave, kanë rënë në pozitën e shprehjes frazeologjike:”Bëni si themi ne e mos bëni si bëjmë ne!”.
Procedurialisht publiku dhe sipas gjasave, ( nisur nga deklarimi i sotëm i Presidentit Meta), edhe institucionet e larta kushtetuese, janë në terr informativ për hapat, procesin apo bisedimet që kryeministri Rama dhe homologu grek Micotaqis kanë bërë për sheldin detar. Pohimi për marrëveshje se palët do t’i drejtohen Hagës, është i pamjaftueshëm dhe nuk ka as vlerën e një “fari të vogël” për të orientuar varkën e lodhur me lopata, të Shqipërisë në kërkim të fatit juridik për detin.
Sidoqoftë, pohimi i kryeministrit Rama se:“Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë!”-, është krejt i pamjaftueshëm për ngushëllim apo besim se nuk ka ndodhur gjë kundër interesit tonë.
Mjafton të intervistosh kapitenët e anijeve shqiptare të peshkimit apo të njohësh librat e protokollit detar të kësaj periudhe fundviti, në flotën tonë ushtarake, ( ndonëse për këta është e vështirë të besosh se u lejohet dhënia e dijenisë për publikun) , trishtueshëm do të mësosh se sa është tkurrur territor i qarkullimit të tyre në ish detin tonë, për shkak se grekët e kanë uzurpuar me kohë. E kanë bërë fakt të kryer kohë më parë. Madje, lehtësisht e mëson se me ç’takime e shkëmbime bisedimesh përkon fakti i kryer i lëshimit të hiseve të detit mes Sarandës dhe Korfuzit, pra, mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Eshtë e trishtë. Tashmë ka mbetur vetëm mundësia e pritjes së kapitullit të fundit të pranuar me nënshtrim, më shumë nga pala jonë, se sa me këmbëngulje, nga pala greke, verdikti që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.
Deri atëhere, palët tona të vogla politike në role të ndërruara, do të kenë një sherr antikombëtar të brendshëm dhe një avokati copë-copë të mbrojtjes së territorit të vetëhumbur të Atdheut tonë, në det. Deri në datën e shprehjes së Gjykatës së Hagës dhe më pas, fatkeqësisht në Vlorë do të rithuhet labçe kënga:”Të kishin shitur të zotë!” Në të vërtetë, fatkeqësisht për detin shqiptarët nuk kanë më gjak! Kohët e gjakimeve heroike dhe historike, për çështjet e territoreve në disa shtete të Ballkanit, janë zëvendësuar me marrëveshjet pa tavolina.

Check Also

Moti i keq në vend/ Rrëshqitje dheu në Librazhd, disa banesa në ‘buzë të greminës’ (FOTO)

Shiu i dendur i cili prej orësh nuk pushon ka shkaktuar probleme të shumta në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + eleven =