Home / Histori / LUFTA KOMBËTARE E 1920-ës

LUFTA KOMBËTARE E 1920-ës

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Mënyra si u mendua organizmi i kryengritjes së armatosur, nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili mori gjithë peshën e një lufte të tillë, tregoi një aftësi të jashtëzakonshme, duke e konsideruar atë si një kryengritje popullore të armatosur në bazën e të cilës qëndronte vullnetarizmi. Në këto kushte në pika të caktuara strategjike u krijuan çetat dhe lufta ishte një luftë çetash, përballë një ushtrie me mbi 20 mijë luftëtarë dhe makineri moderne lufte. Gjeografia e shpërndarjes së çetave që morën pjesë në Luftën e Vlorës zë një hapësirë të konsiderueshme në Vlorë dhe krahinat. Në fazën e parë të luftës, në krahinën e Vlorës u krijuan 7 çeta krahinash, çeta e Dukatit, e Rrëzës, e Shullërit, e Kudhësit, e Mavrovës, e Treblovës dhe e Gorishtit. Pastaj, në kodrat dhe brigjet e Vlorës, në Kotë, Gjormë, Kaninë e Llogora, në Bestrovë, Babicë e Vreshtat e Mësha, u derdhën luftëtarët e çetave të Mallakastrës, Tepelenës, Himarës, Përmetit, Gjirokastrës, Kurveleshit, Skraparit, Kolonjës, Verçë – Sulovës, Çamërisë, si dhe vullnetarët shqiptarë të Amerikës dhe Banda muzikore “Vatra”.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, veçanërisht Osman Haxhiu dhe krerët e tjerë të tij, gjatë gjithë kohës arritën të shkelin me këmbë, për të krijuar një gjendje optimale për luftën në të gjithë terrenin ku pritej të zhvillohej lufta, pasi forcat italiane ishin të shpërndara me një strategji, që nuk mund të eliminohej lehtësisht. Pikat strategjike, kalatë apo lartësitë kërkonin sakrifica dhe aftësi për t’u marrë nga kryengritësit. Duke qenë një luftë e pabarabartë, drejtuesit e saj ushtarakë kishin menduar që ajo të zhvillohej në çdo formë të mundshme, madje në bazën e saj do të ishte lufta popullore, d.m.th me mjetet rrethanore dhe të luftimeve tradicionale. Ndërkohë dhe në krahinat e largëta të Jugut, ishin ngritur çetat luftarake që do të vinin në frontin e Vlorës. Kjo kishte të bënte me problemin e armatimit, i cili ishte i varfër nga ana e kryengritësve.

Një çështje tjetër ishte krijimi i bazës së luftës. Në këto kushte strategjia për të krijuar mundësi që frontet të bashkëvepronin me njëri- tjetrin, me një aksion rrufe u arrit që të thyhej rrjeti i postëkomandave dhe postblloqeve italiane në një hapësirë të konsiderueshme, siç ishte ai në pika të rëndësishme si në Selenicë, Rexhepaj, Sevaster, Mazhar, Vajzë, Ramicë, Dukat, Tragjas, Bolenë, Kuç e Progonat. Ndërsa Qeveria e Tiranës me porositë e Këshillit Kombëtar të mbledhur më 27 mars 1920, bëri operacione që siguronin pavarësinë e Shqipërisë siç ishte hyrja e forcat shqiptare më 24 prill në Gjirokastër. Po ashtu Bajram Curri u muar me spastrimin e bandave esadiste. Nënshkrimi i Protokollit të Kapshticës (28 maj 1920) bëri të mundur të shmangej konflikti me Greqinë në kufirin jugor dhe juglindor të vendit, ku në një situatë të tillë u rrit përqendrimi i energjive të popullit shqiptar në vlugun e nxehtë të Luftës së Vlorës, e cili ishte mbështetur mbi shpirtin e revoltës popullore kundër pushtuesit.

Në Beun, më 2 qershor, tri ditë para se të fillonin luftimet në kuadër të Luftës së Vlorës, çetat që do të vepronin në drejtim të Vlorës u mblodhën aty, sipas vendimit të Kuvendit të Barçallës. Në Beun u ngrit flamuri shqiptar si shenjë e shpalljes së kryengritjes dhe qëllimit që ajo kishte lidhur me situatën politike në vend, por dhe në raport me zhvillimet ndërkombëtare lidhur me Shqipërinë, në thelbin e të cilës qëndronte karakteri kombëtar i saj. Më 3 qershor 1920 Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nga Beuni, i dërgonte Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane, gjeneral Piaçentinit një ultimatum. Në të ndër të tjera shkruhej “Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë tjetër vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, të Tepelenës dhe të Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare të Tiranës”.

Përgjigja e ultimatumit pritej deri më datë 4 qershor, ora 19.00. Mbas mbarimit të kohës së ultimatumit çetat u nisën për në pozicionet e luftimit në gatishmëri për të filluar veprimet luftarake. Kjo është tabloja e plotë e përgatitjes së Luftës së Vlorës, që filloi më qershor 1920.”

Luftimet në Vlorë zënë një hapësirë të gjerë kohore në verën e vitit 1920. Injorimi nga komanda italiane, solli hapjen e luftës në frontet e Kotës, Gjormit, Drashovicës, Jonufrës dhe të Llogorasë. Në kronikën e kohës thuhet se luftëtarët, kryesisht fshatarë, arritën të zbërthejnë istikamet e thurura me tela me gjemba e të mbrojtura me qindra mitralozë. Ndërsa në një korrespondencë të kohës, thuhet: “Po këto ditët e fundit mësuam sigurisht që lëvizja nisi. Vlorasit dhe fshatarët, me ndihmën e krahinave rreth e rrotull, vendosën t’u bien italianëve që rrinë edhe në Vlorë, edhe në Tepelenë. Pas lajmit që na erdhi dje, fuqia e madhe është mbledhur në Smokthinë, e cila nisi të veprojë të mërkurën e shkuar”.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica dhe shtabi i luftës, ishin organizatorët dhe ata që morën mbi vete përgjegjësinë në zhvillimin e luftimeve në Luftën e Vlorës. Ata treguan zotësi të rrallë në planin e tyre, qoftë nga mënyra se si u luftua, si u bë plani dhe si u motivuan luftëtarët, zgjedhjen e komandantëve etj. Kështu në 9 qershor 1920. Ky Komitet njoftonte mbi sukseset e luftëtarëve shqiptarë në një informacion që ata i dërgonin Elbasanit, ku tregohej se armikut i ishin zënë robë mbi 1000 ushtarë, ishin marrë mbi 70 mitraloza kish mbetur akoma pa marrë Vlora dhe Kalaja e Kaninës. Në rrjedhën e luftimeve betejat ishin të njëpasnjëshme për shkakun e një fronti të gjerë dhe të shpërndarë në pikat strategjike. Që në fillim ishte synuar që luftimet të ishin të menjëhershme për ta çoroditur armikun, ku problem ishin frontet e Kalasë së Kaninës dhe Vlora brenda, e cila ishte e fortifikuar dhe kishte një përqendrim të madh forcash italiane dhe armatim të rëndë.

Më 11 qershor u sulmua në Qafën e Koçiut për të marrë Vlorën. Atë ditë mbeti i vrarë Selam Musai e Dule Dalani nga Salarina. Ndërsa më 17 qershor, forcat kryengritëse të fshatarësisë së Vlorës, Mallakastrës, Kurveleshit, Përmetit e Çamërisë bënë sulmin e dytë për të marrë Vlorën. Ishte një nga betejat më të përgjakshmet, pasi ushtria italiane nuk donte ta dorëzonte kurrsesi Vlorën. Në shtypin e kohës shkruhet: “Më 17 të korrikut, trupat fshatare revolucionar bënë të dytin sulm për të marrë Vlorën. Qafat e Koçiut aq të forta i muarën; mirëpo s’i mbajtën dot, se bombardimi i flotës italiane përpara, i aeroplanëve përsipër dhe kalasë së Kaninës për brinjë , i shtrënguan t’i lënë qafat e marra me aq theori”.

Gjatë kësaj kohe kryengritësit shqiptarë numëroheshin deri në katër mijë, dy mijë vlonjatë dhe të tjerët kurveleshas, tepelenas, gjirokastritë, dëshnicas, mallakastriotë, elbasanas, tiranas, korçarë dhe vullnetarë të tjerë. Në këto beteja shkëlqeu zotësia ushtarake dhe trimëria e një varg kapedanësh e ushtarakësh si: Ismail Haki Kuçi, Toto Hosi, , Memo Mete Brati, Beqir Velo Kanina, Alem Mehmeti, Hodo Zeqiri, Sali Vranishti, Azem Sulo, Brahim Selimi, Riza Runa, Kapo Topulli, Halim Hamiti, Rrapo Çelo, Isuf Rustemi, Ali Malindi, Mehmet Fega, Selam Musai, Barjam Mehmeti, Zaçe Xhelo, Çaush Tafili, Ahmet Kajca, Thanas Beni, Kolë Mërkuri, Muharrem Rushiti, Mehmet Selimi, Mehmet Musai, Ali Dauti e mjaft të tjerë, të cilët kishin marrë pjesë edhe në luftërat dhe përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shek. XX.

Nga 5 qershori kur dhe filloi lufta, ka disa data të tjera të shënuara në këtë kalendar lufte. Kështu: 6 qershor – U asgjësuan disa përqendrime trupash italiane në Vlorë; 11 qershor – Filluan luftimet për çlirimin e qytetit të Vlorës;12 qershor – U zhvilluan në qytetet e Italisë manifestime kundër luftës imperialiste në Vlorë; 13 qershor – Avni Rustemi vrau në Paris Esat pashë Toptanin dhe me 21 qershor – U dorëzua garnizoni italian i Tepelenës.

Lufta e Vlorës zgjati një periudhë kohore gati dy mujore, por ajo ishte një luftë që kishte një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për aktualitetin politik dhe diplomatik të vendit. Studiuesi Muin Çami shënon në një nga librat e tij analitik për Luftën e Vlorës: “Sovraniteti italian mbi Vlorën dhunonte në mënyrën flagrante tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.” Lufta e Vlorës përcillte jo vetëm një zhvillim brenda Shqipërisë, por ajo kishte marrë një vëmendje të madhe në zhvillimet ballkanike, kryesisht në shtetet nacional- shoviniste si Jugosllavia, e cila po e mësynte Shqipërinë nga Veriu, kryesisht nga Dibra, nga Greqia e cila ishte gati të sulmonte nga Jugu, po ashtu dhe Italia që nuk pranonte kurrë të dorëzonte Vlorën, me ç’rast lufta kishte mbetur mundësia e vetme për vlonjatët dhe shqiptarët.

Këto ngjarje luftarake, të cilat kishin filluar që më 5 qershor, kishin gjetur një pasqyrim të madh në shtypin e kohës, atë shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, Mbrojtja Kombëtare” dhe “Politika” Vlorë, “Kuvendi” (Romë), “Dielli” (SHBA), “Koha” Korçë, kishin shënuar të gjithë dinamikën e ngjarjeve, editoret e tyre përcillnin me një përgjegjshmëri të madhe arsyet pse luftohej në Vlorë, kush ishin të vërtetat e mëdha të Shqipërisë në këtë kohë, deri në arsyetime të tjera, që bënin me dije se tashmë shqiptarët nuk mund të mashtroheshin nga asnjë manovër diplomatike e kohës, dhe asnjë politikë mercenarësh e brendshme. Ajo që binte në sy gjatë kësaj kohe, ku nuk mungonin as dhe kronikat e luftës, korrespondencat, informacionet që Komiteti u dërgonte qeverisë së Tiranës, prefekturave diplomacive dhe të dërguarve të vendeve të ndryshme në Vlorë dhe në vend, përbëjnë një arkivë të rëndësishme si një dëshmi, e cila vijon të ketë rëndësi dhe në ditët e sotme.

Një vend të veçantë zë edhe vendimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili dërgoi në Korfuz një “Komision”, të cilët u lidhën me mjaft personalitete diplomatike, si dhe gazeta të vendve të Europës për t’u bërë të ditur ngjarjet dhe të vërtetat mbi Luftën e Vlorës. Në mandatin e firmosur nga Osman Haxhiu më 29 maj 1920 thuhet: “Z. Hamza Isai – kryetar, z. Sheref Dano, z. Sali Hallko, u ngarkojmë me barrën e përfaqësimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” për t’i bërë të ditur gazetave dhe botës evropiane luftuan tonë kundër tiranisë italiane. Ndërlidhës mes nesh: Naqe Konomi, P/Komisionin O. Haxhiu”.

Për herë të parë. luftëtarët shqiptarë patën në frontin e betejave edhe gazetarët e talentuar të gazetës “Drita” të Gjirokastrës: Veli Hashorva, Asim Mero dhe Gani Iliazi. Në letrën që i dërgon Gani Iliazi, Mësuesit të Populllit Thoma Papapano, 23 gusht 1924 shkruan: “I shtrenjti Basho Thoma, po të dërgoj Abetaret dhe Këndimet që më dha Ibrahim Shyti. Kujtimet për ty dhe kohët që ishit në Vlorë, i kemi të gjalla, shpesh fjalosemi me miqtë tanë , z. Peço e z. Brahim, që të çojmë të fala nga zemra. Shkuan dy mote e nuk kam haber nga miku im i Luftës së Vlorës, z. Asim Mero, që jeshmë në ballinat e luftës me z. Veli (Hashorva), në Bestrovë, Llakatund, Sherishtë e Qafat e Ullinjve. Nuk e di si e ka plagën, kur u lavos në ballinën e Bestrovës, lehtë. Për këtë më ka pyetur edhe doktor Ali Mihali, në spitalin e Kotës. Veç artikullave për fletoren “Drita” ne çonim edhe për gazetën “Kuvendi” dhe zhurnalet e Evropës…”.

Lufta e Vlorës ka brenda saj një zhvillim të rëndësishëm për kohën. Ajo ishte një luftë e drejtë, një luftë që u mbështet në vullnetarizmin e masave popullore, të cilat edhe pse të rrënuara ekonomikisht u vendosën përballë një pushtuesi, që ishte një nga fuqitë e mëdha ekonomike të kohës. Ishte një luftë që kishte të bënte me aktin themelor të një populli, aspiratën për independencë të njërit nga popujt më të vjetër të Ballkanit, i cili i kishte dhënë shumëçka Evropës Perëndimore në ditët e saja më të vështira. Duke pasur në themel këtë fuqi madhore, d.m.th të drejtën e pakontestueshme, Lufta e Vlorës nuk u shua për asnjë çast. Sulmet e njëpasnjëshme nga çdo anë dhe në pikat e dobëta të kundërshtarit, i kishin dëshmuar ushtrisë pushtuese italiane, se shqiptarët të bashkuar si në jo pak herë si kjo nuk mund të zmbrapseshin pa ia arritur qëllimit, largimin e ushtrisë italiane nga vendi.

Kur forcat kryengritëse po merrnin fitore të njëpasnjëshme, Italia ishte detyruar të fillonte bisedimet me qeverinë e Tiranës. Më 4 korrik 1920 baroni Alioti fillon bisedimet në Tiranë, i cili u përpoq të zëvendësonte humbjet me anë të bisedimeve. Ai kërkoi që të ndalohej lufta, ndërsa trupat italiane të qëndronin në ishullin e Sazanit, dhe aty të ndërtonin një bazë ushtarake, e cila të shërbente si strategji për sigurinë dhe paqen në Ballkan, por kërkonte dhe lehtësira tregtare dhe ekonomike në Shqipëri. Qeveria e Tiranës nuk e pranoi kërkesën e Aliotit, madje njerëzit) populli) u indinjuan me kërkesat e pushtuesit. Më 9 korrik në Tiranë u mbajt një miting i madh, ku krahas indinjatës kundër pushtuesit, demonstruesit thirrnin: “Rroftë Vlora jonë!”

Alioti këmbënguli deri në shantazhim që t’i bindte shqiptarët për çfarë ai kërkonte në emër të qeverisë së Romës. Kështu niset të shkojë në Vlorë (në Drashovicë), që të bisedonte dhe të bindte Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” për kërkesat italiane, por dhe kjo orvatje dështoi. Luftëtarët e kryengritës qëndronin në pozicionet e luftës. Kështu, më 17 korrik, me anë të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, i kërkojnë italianëve përmes qeverisë së Tiranës (20 korrik) pranimin e kërkesave ose jo të shqiptarëve. Hezitimi i italianëve, bën që më 23 korrik luftëtarët të ndërmarrin një sulm tjetër të fuqishëm , ku arritën të hyjnë deri në lagjet e jashtme të qytetit. Baroni Alioti u kthye në Itali i dështuar. Qeveria italiane solli një tjetër të dërguar të saj, kontin Manozni, i cili duhej të përfundonte në Tiranë traktatin në bazë të kërkesave të palës shqiptare, dhe pse qeveria italiane e kishte të vështirë ta pranonte këtë humbje. Madje Benito Musolini shkruante kështu në korrik të vitit 1920, për atë që po ndodhte në Vlorë dhe Shqipëri: “Kaparetoja“ shqiptare është shumë më e rëndë se të tjerat, që u zhvilluan midis Izoncos e Piaves. Atëherë humbëm pozitë materiale, njerëz dhe dy krahina, por nuk humbëm vullnetin për të rifituar. Këtë herë disfata jonë është e rendit moral dhe tanimë diplomatikisht e kemi vulosur si një fakt të pranuar dhe të kryer. Pak mijëra shqiptarë, pa artileri na hodhën me furi në Vlorë dhe, për të shmangur hedhjen në det, hapëm bisedime pa ndonjë rezultat”.

Më 2 gusht 1920 bisedimet mes qeverisë së Tiranës dhe përfaqësuesit të qeverisë së Romës përfunduan me një protokoll, ku rëndësi të madhe nga 8 pikat ishin ajo se, qeveria italiane do të tërhiqte trupat e saj nga Vlora dhe nga pjesë të tjera të Shqipërisë, me përjashtim të Ishullit të Sazanit. Në protokoll kishte detaje të shumta, të cilat ishin të mirë-studiuara nga qeveria e Tiranës, të cilat i reflektonte protokolli taksitivisht. Nënshkrimi i protokollit u prit me entuziazëm nga populli shqiptar dhe Vlora, e cila kishte dhënë djemtë dhe burrat, gratë dhe të moshuarit në këtë luftë të përgjakshme dhe të pabarabartë. Pavarësia e Shqipërisë kishte rifituar dimensionet dhe peshën e saj.

Tërheqja e trupave italiane filloi sipas protokollit, ashtu si dhe forcat luftarake kryengritëse, të cilët e respektuan duke zbrazur zonën neutrale. U muar në dorëzim administrata që më parë e kishte ushtria italiane, ndërsa më 3 shtator u festua madhërishëm çlirimi i Vlorës. Lufta e Vlorës shënonte jo vetëm një fitore të rëndësishme në kuadër të Luftës së Parë Botërore dhe pse ajo kishte përfunduar që në vitin 1918, por ajo ishte një luftë që i dha një dimension tjetër luftërave të shqiptarëve në Ballkan dhe në Evropë, i dha një mësim të madh monopoleve ekonomike evropiane, të cilat po përgatisnin luftën tjerët botërore, duke pasur në strategjinë e tyre monopolet ekonomike në Evropë dhe në botë.

Fitorja e Luftës së Vlorës i dha një dimension tjetër luftërave çlirimtare në botë. Ajo motivoi dhe mblodhi rreth vetes konsiderata të shumta nga shtresa të tjera solidare në botë. Gazeta “Arvaniti” e kishte dënuar sulmin që Italia kishte bërë ndaj një vendi dhe populli të vogël si Shqipëria, ndërkohë, emigrantë shqiptarë nga Amerika dhe vende të tjera kërkuan të vinin si vullnetarë në Vlorë. Lufta e Vlorës gjeti mbështetje në protestat që shtresat e ndryshme italiane, protestuan kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ashtu siç protestuan studentët shqiptarë në Evropë , drejtuar presidentit të Konferencës së Paqes në Paris. Me vullnetarët e lirisë në Vlorë u bashkuan atdhetarë të ardhur nga Italia, Franca, Amerika, Rumania, Bullgaria, Turqia të shoqëruara me kërkesat për të drejtat e kombit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Ngjarjet e Shqipërisë i përcolli gati gjithë shtypi italian i kohës, ku krahas dënimit të pushtimit që Italia i kishte bërë Shqipërisë, kërkohej zgjidhja e situatës, pasi shqiptarët nuk e duronin më një nënshtrim të tillë, kështu që atje kurrë, asnjë pushtues nuk mund të ndjehet i qetë, para një populli të pakënaqur.

Qëndrime pro popullit shqiptar dhe Vlorës pati në Parlamentin Italian. Fitoret e luftëtarëve të Vlorës e tronditën qeverinë italiane të kohës, ku në jo pak raste gazetat përparimtare të këtij vendi hodhën thirrjet: “Nuk duam udhëtime ushtarake në Shqipëri!”, “Ne kërkojmë largimin e trupave italiane nga Shqipëria dhe njohjen e të drejtës së popullit shqiptar!”. Mbështetje të madhe lufta e popullit shqiptar mori nga shtypi në Belgjikë, Francë, Amerikë, Zvicër, Jugosllavi, Greqi, Rumani, Bullgari, Spanjë, Gjermani, Egjypt e deri në Japoni. Gazeta franceze “Democratie Nouvelle” në qershor 1920, e quante popullin shqiptar të panënshtruar, ndërsa gazeta tjetër francezë “La Tribune republikanie” më 24 qershor 1920, shkruan se ngjarjet në Vlorë e kanë nxjerrë këtë kohë popullin shqiptarë në rendin e ditës për preokupimet evropiane. Lufta e Vlorës në jo pak vende evropiane shkaktoi ballafaqime të forta mes qeverive, opozitave dhe sindikatave si në Itali.[1]

Lufta e Vlorës ishte një luftë për çlirim kombëtar nga pushtuesi, si rezultat i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila kishte shkaqet e saja të thella lidhur me territoret ndërkombëtare për t’i zotëruar ushtarakisht dhe ekonomikisht nga fuqitë e mëdha ekonomike dhe ushtarake të kohës. Ajo u zhvillua në kushtet kur fuqitë evropiane kishin organizuar Konferencën e Versajës, me qëllimin për të krijuar gjeografinë e re, qoftë dhe territoriale të Evropës dhe botës, ku Ballkani dhe çështja shqiptare ishin ndër më delikatet, për shkakun interesave evropiane nga njëra anë dhe të nacional – shovinizmit ballkanik, i njohur për qëllimet e tij që në Kongresin e Berlinit në vitin 1878.

Lufta e Vlorës ishte njëra nga luftërat më të rëndësishme, një gur themeli pas Shpalljes së Pavarësisë, pasi ajo në kushtet e një pushtimi të ri, fitoi një dimension dhe solidaritet kombëtar me mbështetje të gjerë evropiane. Ajo dëshmoi se luftërat e drejta nuk mund t’i ndalojë asnjë lloj fuqie ku shquajnë faktori moral – politik i lartë, uniteti i mendimit dhe veprimit, ku dolën në pah vetitë luftarake të një populli, i cili kishte mbijetuar në shekuj vetëm me luftërat mbrojtëse, pa nënvlerësuar terrenin në të cilin ajo u zhvillua dhe vullnetarizmin e madh nga të gjithë shqiptarët kudo në botë. Lufta e Vlorës konsolidoi Pavarësinë. Ajo mori mbështetje të madhe ndërkombëtare dhe gjeti pasqyrim të gjerë në shtypin e vendit dhe të huaj, si dhe në kancelaritë e Fuqive të Mëdha, për shkakun e të drejtës që ajo kishte me vete.

Check Also

Cikloni në Greqi, 3 viktima dhe dëme të mëdha

Cikloni Ianos që ka përfshirë Greqinë prej dy ditësh ka marrë deri më tani 3 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × 5 =