Home / Kryesore / Lufta e Bashkimit Europian “me veten” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Lufta e Bashkimit Europian “me veten” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Kur Kina dhe Bashkimi Europian konkretizuan vazhdën e zgjatur të negociatave për planin e ri të përbashkët për tregtinë dhe investimet reciproke, diçka u duk sikur ndryshoi në skakierën e fuqive të mëdha botërore. Deri atëherë Bashkimi Europian ishte parë pandashmërisht me Shtetet e Bashkuara në qasjen ndaj fuqive të tjera të mëdha, por marrëveshja me Kinën pasqyroi një qasje të ndryshme të vendeve europiane. Nën petkun e të ashtuquajturës “autonomi strategjike”, liderët europianë u duk sikur reflektuan një qëndrim të ri. Por sot, disa muaj pas asaj marrëveshjeje, pavarësisht atyre që u cilësuan si benefite të bashkëpunimit me Kinën, BE e gjen veten përsëri të stepur.

Duhet theksuar se ndërthurja e ekonomisëe së Bashkimit Europian me ekonominë e Kinës është mjaft e madhe. Në shkurt të vitit 2021 u raportua nga mediat se Kina u bë partneri më i madh tregtar i unionit për sa u përket të mirave materiale të tregtuara, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara. Duke përfshirë të gjitha fushat, Kina është tashmë partneri tregtar i dytë më i madh për BE-në. Në të njëjtën kohë, ajo është edhe burimi më i madh i importeve, duke arritur mesatarisht tregtinë e një shume marramendëse prej 1 miliardë eurosh në ditë.

Megjithatë, vëzhgues të shumtë shohin se si marrëdhënia e këtyre dy aktorëve të rëndësishëm nuk është vetëm ekonomike dhe tregtare. Në vitet e kaluara, raporti mes SHBA-së dhe Europës pati një dinamikë krejt të ndryshme nga ajo që ne ishim mësuar të vërenim. Një lloj tërheqjeje e SHBA-së nga bashkëpunimi në disa fusha, rezultoi me pikëpyetje të shtuara për sa u përket sfidave globale që kërkojnë një qasje multilaterale.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Nga këndvështrimi i BE-së, duket sikur është e pamundur të mendohet përballimi i sfidave të mëdha ndërkombëtare pa mundësuar ose kërkuar përfshirjen e Kinës si një fuqi globale. Ndër më të rëndësishmet në këto sfida ku, Bashkimi Europian është mbështetur tek marrëdhënia me Kinën, është padyshim ndryshimi klimaterik dhe ngrohja globale. Pavarësisht se jo rrallë kanë qënë konkurrentë në zhvillimin e teknologjisë së gjelbër, të dyja palët kanë shfaqur një shqetësim të përbashkët të reflektuar edhe në politika të ngjashme, si për shembull ajo për kufizimin dhe eliminimin e emetimeve të karbonit. Ndërsa këto sfida intensifikohen, gjasat janë që koordinimi mes Bashkimit Europian dhe Kinës të shikohet si e nevojshme dhe efektive për përballimin e tyre.

Bashkimi Europian dhe Kina kanë dhënë gjithashtu prova që mund të bashkëpunojnë edhe për ҫështje të ndryshme të gjeopolitikës dhe sigurisë botërore. Një shembull që spikat është marrëveshja me Iranin për ndalimin e zhvillimit të armëve bërthamore. Bashkimi Europian dhe Kina ishin jo vetëm dy prej fuqive që negociuan dhe dolën garant për marrëveshjen me Iranin, por ato vazhduan ta mbështesnin dhe të bënin përpjekje për ta ruajtur atë edhe pas daljes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe kazuseve të përbashkëta, rishtazi janë ngritur disa pikëpyetje për faktin se sa do të intensifikohet realisht bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Europian në të ardhmen. Kjo në radhë të parë për faktin se Presidenti amerikan Joe Biden ka drejtuar thirrje të ripërsëritura drejt kryeqyteteve europiane për ripërtëritjen e marrëdhënieve transatlantike dhe për të rikthyer koordinimin e politikave të tyre, duke përfshirë edhe qasjen ndaj Kinës. Në këtë kuadër presidenti amerikan u shpreh edhe për shumëfishim të fondeve dhe investimeve për infrastrukturën europiane në kuadër të Aleancës Euroatlantike. Ndërkohë që Brukseli kërkon të forcojë marrëdhëniet tregtare me Kinën, Bashkimi Europian vazhdon të renditet në shumë ҫështje përkrah Shteteve të Bashkuara.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Duket sikur dëshira e Brukselit dhe Pekinit është që të sheshojnë divergjencat e ndryshme përmes dialogut dhe të frenojnë në këtë mënyrë përshkallëzimin e mospajtimit, për të mundësuar realisht vazhdimësinë e marrëdhënieve të afërta ekonomike ndërmjet tyre. Megjithëse është theksuar nga të dyja palët se sanksionet reciproke të Bashkimit Europian dhe Kinës ndaj zyrtarëve të palës tjetër nuk do të prekin tregtinë dhe ekonominë, ato mbartin riskun që të shkaktojnë njëfarë tensioni në marrëdhëniet bilaterale.

Duke u ndeshur me këtë klimë paqartësie, Bashkimi Europian përballet me sfidën e qartësimit të rregullave për këtë bashkëveprim të rëndësishëm ekonomik, por edhe për sfidat e përbashkëta në arenën globale.

Shumë komentues në Perëndim kanë paralajmëruar për një Luftë të Ftohtë ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, një zhvillim që do të kishte një kosto shumë të madhe për të gjithë sistemin ndërkombëtar. Në këtë sens, Bashkimi Europian mund të luajë një rol të rëndësishëm në shmangjen e përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Dialogu i shtuar është i domosdoshëm për të përballuar një sërë problematikash globale, për të ulur tensionet ndërmjet vendeve, por edhe, me rëndësi parësore, për të garantuar prosperitetin e qytetarëve. Pikërisht për këtë fakt, Bashkimi Europian duket sikur është në një luftë me veten për të shmangur një situatë në të cilën do i duhet të zgjedhë ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Foto nga VCG

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × five =