Home / Koment / Ligji i Gjuhës dhe shpërbërja e kombit

Ligji i Gjuhës dhe shpërbërja e kombit

Nga Grid Rroji

Ligji i pakicave i cili u kalua para disa vitesh ishte vetëm një akt i proçesit të çshqiptarizimit sistematik të Shqipërisë londineze. Ligji për gjuhët e pakicave që kaloi këto ditë është hapi i mëtutjeshëm i cili logjikisht ishte i paevitueshëm. Paria kërkon të zbrazë vendin nga shqiptarët dhe t’i zëvendësojë me një mish mash skllevërish që t’i sundojë nën një hapësirê kozmopolito bizantine.

Ky proçes u krye në heshtje nga Paria, u pranua pa u ndier nga e ashtuquajtura opozitë brenda apo jashtë parlamentare, dhe nuk ju dha rëndësi nga media dhe e ashtuquajtura shoqëri civile. Por mbi të gjitha, heshtja më shurdhuese vinte nga opinioni publik.

Të vetmit që ngritëm zërin duke dhënë një analizë sistemike, faktike, strategjiko-politike të projektit çshqiptarizues të Parisë në bashkëpunim me armiqtë e shqiptarëve dhe Sindikatën Ndërkombëtare të Krimit ishim unë dhe kolegët e Bleta Shqiptare.

Kishte disa që bërtisnin kuturu jo Sorosi, jo mjedisi, jo Teatri, jo Iluminati, jo Reforma në Drejtësi, jo do kapet ky e ai për dy muaj etj.por megjithëse nuk dua ti gjykoj nga qëllimet, ishin duke humbur pyllin ngaqë e kishin mendjen tek pemët. Disa prej pemëve edhe ishin imagjinare dhe i shërbejnë Parisë për me ju mbajtë peng të konspiracioneve mbarëbotërore. Asnjë nga profesorët e shumtë të Tiranës nuk foli as makar për të n’a mbështetur.

E pra, ne “të marrët”, “alarmistët”, “të painformuarit” dhe “të huaj në vendin tonë” paskëshim patur të drejtë, dhe jo pak por pikë për pikë.

Sot dalin pa pikë turpi ca sejmenë të Parisë dhe sigurisht që jo vetëm nuk referojnë burimin e informacionit analitik por u mbushën mejhanet shoqërore e mediatike me gjysmagjelërinë e shtjelluar prej tyre.

Ne e kemi analizuar me kohë situatën shoqërore dhe grimcimin e grupimeve të ndryshme brenda vendit. Kemi folur me dhjetëra herë për përpjekjet sistematike të Parisë dhe veglave të saj për të krijuar dasi politike bazuar në ndarjet fetare, krahinore e sektare. Kemi thënë me kohë se çelësat ekonomikë e për rrjedhojë edhe politikë janë në dorë të një tryeze kobrash të cilat kanë interes t’ju ndajnë e jo të ndërtojnë shtetkombin e shqiptarëve. Ju kemi thënë se Paria i ka ndarë kantonet dhe po punon t’i konsolidojë ato politikisht por edhe me dhunë. Kemi folur për ndikimin e sindikatës ndërkombëtare të krimit, si dhe veglat e shumta që gjallojnë e fitojnë miliona në politikën shqiptare e që punojnë për të huajt.

Kemi shkruar artikuj, statuse e libra të tërë, madje ju kemi ofruar edhe një Manifest Politik i cili mbetet rruga e vetme e duhur për shpētim. Por asokohe na keni thënë se jemi larg e nuk dimë, ndërsa edhe tani që po ju zë zullumi i paaftësisë për të reagur brenda, jeni gati t’a mohoni ose t’a zvogëloni realitetin.

Reagimi që vjen tani është i vonuar dhe i mefshtë, por është i duhur.

Ligji për gjuhën e minoriteteve është shkelmi që i jepet stolit ku mbahen me gjithmonë e më tepër vështirësi këmbët e shqiptarëve. Lakun e keni në fyt, dhe ose do reagoni duke bërë gjënë e duhur ose do shpërbëhemi gradualisht si komb.

Për këtë mos kini asnjë dyshim. Nëse gagarin si rosak, ecën si rosak, duket si rosak, me siguri është rosak-thonë amerikanët.

Bashkë me ligjin për pakicat, është ndërtuar infrastruktura ligjore dhe e pronësisë për copëtimin me ligj të tokave shqiptare dhe për t’a kthyer atë vend edhe ligjërisht tashmë në tokë të hapur. Kjo do çojë detyrimisht në përshkallëzimin e konfliktit dhe shpërbërjen identitare.
Kombet ose shpërbëhen duke u bërë pjesë e kombeve të tjera dhe shteteve përkatëse, ose riorganizohen me identitet të ri.
Paria kërkon kantonizimin sepse kjo u lejon autonominë e nevojshme për të mbetur skllavopronarë të rajoneve përkatëse.

As armiku më i betuar i shqiptarëve nuk do e kishte ëndërruar këtë rrugë, mirëpo sot po e realizon Paria me votën tuaj.

Ose ngrihuni kundër Parisë sot, ose heshtni përgjithmonë sepse skllavi nga njeriu i lirë dallohet pikërisht tek aftësia për t’ju kundërvënë të keqes.

Por kam frikë se do gjeni ndonjë citat të gabuar tek këto radhë dhe do e justifikoni eunukërinë tuaj me ndonjë papërpikmëri timen.

Do t’a mbyll këtë shkrim me një thënie të një psikoanalisti kanadez:”kurrë nuk mund të jesh i lirë po nuk rrezikove të ofendosh ata që të mbajnë të varur mendërisht”.

Check Also

Dita e dytë në Hagë/ Thaçi përfundon intervistimin për sot, por nesër…

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për të dytën ditë ndodhet në Dhomat Speciale të Hagës. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 5 =