Home / Bota / Liberalizimi i vizave për Kosovën/ Eurodeputetët i bëjnë “thirrje” Merkel: Kushtet janë përmbushur…

Liberalizimi i vizave për Kosovën/ Eurodeputetët i bëjnë “thirrje” Merkel: Kushtet janë përmbushur…

Deputetët e Parlamentit Evropian kërkojnë nga Merkeli që gjatë kryesimit gjerman me BE-në të liberalizohen vizat për Kosovën pasi të gjitha kushtet janë përmbushur dhe nuk mund të ketë kushte shtesë. Ata rikujtojnë se Kosova është vendi i fundit që ende nuk ka liberalizim dhe se me këtë kredibiliteti i BE-së po dëmtohet.

Kërkesave që gjatë Presidencës Gjermane të BE-së të liberalizohen vizat për Kosovën i janë bashkuar edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian dhe atë nga Grupet kryesore politike përmes një letre të cilën ua kanë dërguar kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.Ata kërkojnë që Gjermania, e cila merr kryesimin e BE-së nga 1 korriku, të vërë në rend dite liberalizimin e vizave për Kosovën, shtetin e vetëm nga rajoni i cili ende nuk ka liberalizim vizash.

“Në këtë moment Kosova është një prej shteteve të rralla evropiane qytetarët e së cilit nuk udhëtojnë lirshëm në vendet e Schengenit pa viza. Megjithatë kjo më nuk varet nga Kosova. Ky proces për të arritur liberalizimin e vizave supozohej se do të varej nga kriteret objektive të cilat, siç është thënë nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht para dy vitesh. Prej atëherë ky shtet po pret vendimin final nga Këshilli për të liberalizuar vizat për qytetarët. Katër Presidencat e mëparshme nuk janë marrë me këtë çështje. Por ne shpresojmë se lidhjet tuaja historike dhe përkushtimi ndaj fqinjësisë dhe Ballkanit Perëndimor do të përdoret për të zgjidhur këtë problem, i cili do të ketë një ndikim domethënës në jetën e qytetarëve t Kosovës”, thuhet në këtë letër.

Këta deputetë shprehen se ende ekzistojnë probleme në Kosovë, por ato nuk duhet të jenë pengesë për liberalizim vizash.

“Ne po e humbim kredibilitetit tonë pasi një shtet i tretë po e bën atë që ne kemi kërkuar nga ta por nuk po përfitojnë atë që ua kemi premtuar. Si mund të kërkojmë ndonjë reformë tjetër nga një shtet në fqinjësinë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurt se do të përfitojnë çfarëdo nga puna e tyre. Integrimi Evropian nuk është domosdo opsioni i vetëm i shteteve në rajon. Ku do t’i çojë rruga e tyre nëse jo në BE”, thuhet në këtë letër të këtyre deputetëve të Parlamentit Evropian.

“Ne e dimë se lëvizja e lirë është një prej përfitimeve më të prekshme të integrimit evropian, dhe besojmë se qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e hyrjes në zonën e Schengenit pa pengesa. Jo pse ata kanë ndonjë të drejtë të veçantë, por për shkak se institucionet e tyre shtetërore e kanë bërë atë që ne e kemi kërkuar nga ta. Ky është rasti juaj për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe ta sillni Kosovën më afër BE-së”, kanë shkruar ata.

Shumë diplomatë besojnë se Gjermania ka fuqinë që të sigurojë liberalizimin e vizave nëse mbështetja e shprehur e këtij shteti është e sinqertë. Presidenca Gjermane mund të punojë për të bindur shtetet tjera, sidomos Francën dhe Holandën të cilat deri me tash ishin kundër, që të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca Finlandeze e pastaj ajo Kroate e BE-së kanë bërë përpjekje që ta avancojnë këtë vendim për Kosovën, por kanë hasur në pengesa. Madje u kanë thënë që të “mos provojnë ta vënë në rend dite”.

Sjellja e Gjermanisë ka qenë paksa e përmbajtur edhe pse ky shtet nga niveli i lartë, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave. Por ky qëndrim i shprehur në Berlin nuk është reflektuar në sjelljen e Gjermanisë në grupet punuese të Këshillit në Bruksel. Tash kur Gjermania po e merr nga Kroacia kryesimin e BE-së po hapet mundësia që ky vendim të merret. Prandaj edhe kjo letër e deputetëve me ndikim nga Parlamenti Evropian është në një kohë të duhur në mënyrë që çështja e liberalizimit të vizave të mos vihet në harresë kur BE-ja ka prioritete tjera ndërsa edhe në Kosovë zhvillimet tjera po e vënë këtë temë në rend të dytë./KOHA

Check Also

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë/ BE e gatshme të ndez frymën e bashkëpunimit mes palëve

Gjermania dhe Franca dëshirojnë të rigjallërojnë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Samiti mbahet të premten. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − twelve =