Home / Kryesore / Letër tim biri, Ditë izolimi….

Letër tim biri, Ditë izolimi….

Nga Edit HODAJ –
( …dhe historia e Stelios vazhdon, por me një tjetër emër, Kristi; me të njëjtin Atdhe, Greqinë, por me tjetër Mëmëdhe, Shqipërinë; në një tjetër kohë, 20 vjet më vonë e në një tjetër vend…)
Sot u mbushën plot 9 ditë që jam e mbyllur brenda katër mureve, fatmirësisht me salltanetin e të qënit mbyllur në komoditetin e një apartamenti e jo të një qelie.
Orët zvarriten, nuk ecin. Përpiqem të thyej monotoninë e tyre me biseda miqsh ( rroftë interneti..!), lundrim në Google e Facebook, lexim romani e poezish, por asnjë prej tyre nuk më ” rrufit” të tërën.
Dhe e di arsyen, biri im?
Sepse jam larg teje!
Trurin tim e kanë zaptuar mendimet e mia për ty.
Jo nëse ke të ushqehesh, e di që ke; jo nëse mund të gatuash, e di që mundesh, as për faktin në se jeton në mes të rrëmujës së një shtëpie pa dorë gruaje prej 9 ditësh, e di që ke aftësinë t’a “nikoqirepsësh” atë mjedis; jo, për asnjë nga këto nuk shqetësohem.
Më rri mendja tek vetmia jote, bir!
Ke tre vjet që jeton në Shqipëri, në Atdheun e nënës tënde (..Atdheu yt, siç e quaje edhe ti…!), por shumica dërrmuese e të njohurve, miqve, shokëve dhe të afërmve nuk ngjanin me figurën që pate krijuar për shqiptarët, sipas përshkrimeve që unë, nëna jote të kisha bërë ndër vite.
Ke tre vjet që jeton në Shqipëri, por të mjaftuan për të parë se si mirënjohja paguhet me shfrytëzim, respekti me mashtrim, mirësjellja merret për dobësi, të qënit njerëzor të kalon automatikisht në rradhët e ” budallenjve” e të qënit krenar shton armatën e njerëzve që të urrejnë…e të gjitha këto sepse thjesht nuk je si ata!
Deri këtu, e vogël e keqja!
Por zhgënjimi yt madhor, ai që të bëri të mblidhesh brenda guackës tënde, ai që të bëri të zgjedhësh vetminë për shoqëri, ishte çasti kur u ndjeve i zhgënjyer nga shokët e tu të klasës, nga bashkëmoshatarët e tu, nxënës në Kolegjin greko-shqiptar, qëllimi i të cilit është edukimi i fëmijëve dhe njohja e tyre edhe me kulturën greke përveç asaj shqiptare (…histori më vete fakti se sa i suksesshëm është në misionin e tij…).
Dhe pikërisht në këtë mjedis ti ndjeve mbi vete peshën e të trajtuarit ndryshe, pikërisht sepse ti ishe ndryshe, biri im. Ti për ta ishe ” greku”, kaq mjaftonte, e le të ishe ti sa grek po edhe aq shqiptar!
Të bënë të ndihesh i huaj në Atdheun tënd, biri im!
Nëse në sytë e Stelios, djaloshit të brishtë australiano- grek, pashë dilemën, në sytë e tu pashë brengën, zemra ime!
Kush e ka fajin, biri im, që ti sot, 18- vjeçar, ndjen dhembje për shqiptarët e përbuzur në Greqi dhe në të njëjtën kohë, ndjen po të njëjtën dhembje për grekët që përbuzen në Shqipëri? Yt atë që lindi grek, a unë që u linda shqiptare ??
Ndoshta të dy! Jo pse u martuam një grek e një shqiptare, me njëri tjetrin e gjetëm gjuhën, por sepse nuk menduam që trashëgimtarët e martesave të këtij lloji, në këto vende të ngarkuara akoma me mentalitete ballkanike, bëhen pre e urrejtjes së ” atdhetarëve” nacionalistë!
Vetëm së fundmi pashë qetësi në sytë e tu!
Javën e fundit të marsit, ditët e qëndrimit tonë në Dropull, në udhëtimin 5 ditor që vendosëm të bëjmë si për të ikur ” nga rrëmuja e nga rrëmeti” shkaktuar nga pandemia.
Për herë të parë të pashë aq të qetë, aq të çliruar. U mahnite nga njerëzit që takove, sa të vërtetë ishin në thjeshtësinë e tyre, sa të ngrohtë e njerëzorë t’u dukën ata të panjohur!
Mbaj mend frazën tënde: ” Këtu ndihesh rehat se njerëzit nuk janë ” fake” ( shprehja jote e preferuar për njerëzit e shtirur, të cilën e kisha dëgjuar së tepërmi në këto tre vjet…) !
Por ajo që më bëri të rrënqethem, ishte fraza jote atë mëngjes tek lokali ” Ndrico” në Dervician, ndërsa po pije çokollatën e nxehtë..:
– Mama, këtu ndihem mirë, këtu do jetoja me kënaqësi! Në Greqi ka shumë rrëmujë ndërsa në Shqipëri ka shumë falsitet!
Më shokove, biri im!
Në Dropull gjete veten, e le të mos jetë Dropulli as Atdheu i nënës tënde e as Atdheu i babait tënd!
Por ajo që më tronditi gjithë filozofinë, ishte fakti se Dropulli për ty nuk qe as Shqipëri e as Greqi!
Kishe të drejtë biri im! Dropulli nuk është as Shqipëri e as Greqi, Dropulli është Epir!
Jo Epir në kontekstin e sotëm gjeografik, në kontekstin e Epirit shtet, atëherë kur mbret ishte i famshmi Pirro, dhe as Shqipëria dhe as Greqia nuk ishin krijuar ende si shtete!
Por njëkohësisht, Dropulli është edhe Shqipëri edhe Greqi, sepse përfaqëson vlerat më të mira të të dy Atdheve të tu, biri im!
Dropulli, kjo trevë e mbetur peng mes dy shtetesh, ngjan me ty, bir, i mbetur peng mes dy Atdhesh!
Keni të njëjtën dhembje në zemër, të njëjtën dilemë në sy e të njëjtën madhështi në shpirt!
Ti dhe Dropulli, i shtrenjti im, përfaqësoni atë çka është më e mira në Shqipëri e çka është më e mira në Greqi!
Uroj dhe pres që një ditë të dilni nga dhembja e dilemat e të shpalosni madhështinë e shpirtit dhe vlerave që u janë topitur!
E di që e keni fuqinë për t’a bërë, thjesht duhet të dilni nga shock-u që ju ka ngërthyer!
Pres, biri im, pres…
Me dashuri dhe krenari,
mamaja jote
Edit Hodaj
Athinë, më 3. 05. 2021
( ..ditë karantine…)

Check Also

Me letra fallco, si po trafikon krimi i organizuar shqiptarët drejt Anglisë

Krimi i organizuar shqiptar dhe ai gjeorgjian po shfrytëzon territorin e Irlandës si tranzit për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × 4 =