Home / Kryesore / Legjenda e polifonisë himariote, Lefter Çipa, lartësohet në altarin e përjetësisë!

Legjenda e polifonisë himariote, Lefter Çipa, lartësohet në altarin e përjetësisë!

Nga Pirro FOTIADHI-

Requiem

Në vend të prologut….

Lajmi tragjik për ndarjen nga jeta të Lefter Çipës,u përhap si vetëtima dhe të gjithë ndihemi të hidhëruar për humbjen e njeriut tonë legjendar.
Me revanin e një nxitimi krejt të pazakontë për t’u larguar përgjithmonë,Lefter Çipa,në heshtje u nis për udhëtimin e madh e të pakthyeshëm,që fatalisht, një ditë do ta ndjekim edhe gjithë ne të tjerët.Ende në momente produktive,realisht me dëshirë dhe pasion, me përvojën dhe ambicien,me gadishmërinë për kontributdhënie duke ofruar dhe promovuar vlerat e jashtëzakonshme të Polifonisë,befasisht zemërrrahja «ngriu».
Duke u larguar prej përkujdesit të veçantë të bashkëshortes së tij,zj.Kyrana,të fëmijëve aq të dashur e të nderuar, të bijës së vetme, Parashqevisë, të Sandrit,Andreas,Ardianit dhe Arbenit,të cilët i rriti dhe mëkoi me thjeshtësinë e jetës dhe virtytet më fisnike njerëzore.
I talentuari,ikona Lefter Çipa,i ngjizur me ndjeshmërinë dhe frymëzimin e vetë jetës,plazmuar me magjinë e papërsëritshme të bregdetit Jonian,me lirikat e tij fantastike,me krijimet e tij plot dritë e bukuri,me pasionin e fjalëve të goditura sqimatare, mundi të depërtoj në thellësitë e shpirtit tonë, duke ndriçuar e ndezur dritën e shpresës dhe ngazëllimit, në botën e brendshme të individëve.
Një dishepull universal të cilit të gjithë pa përjashtim i detyrohemi për disa prej momenteve tona jetësore të shkujdesura dhe gëzimi.Sepse krijimet dhe vargjet e tij të ndritshme,si pjesëza të zemrës dhe shpirtit të tij të mirë dhe të brishtë, këngët e tij homeriane, të gjithë i kemi kënduar,duke i përjetuar në zenithin e mrekullisë që ato rrezatojnë.
Si krijues dhe një ndër origjinalët autorë të folklorit, Bilbili i vëndeve të mia, sivëllai homerian i Himarës, Lefter Çipa, fenomeni i jashtëzakonshëm i muzikës tonë polifonike,si një MIT bashkëkohor, diti të harmonizonte dhe kombinonte me mjeshtëri, thesaret e mençurisë me suksesin dhe popullaritetin, duke e shndërruar atë në një krijues autentik me të vërtetë madhor e të jashtëzakonshëm.
Portretizimi dhe referenca për jetën dhe veprën e një personaliteti të shkëlqyeshëm,ku dallohet lehtësisht geni i krijuesit pasionant, si polifonit legjendar Lefter Çipa, është mëse e natyrshme, një sprovë që të përball me ngërçe dhe vështirësi objektive apo subjektive. Ndonëse ai largohet nga jeta reale,emri dhe vepra e tij njihet gjithandej, duke u vlerësuar si një krijues madhor dhe potencial, me historinë e tij të ndritur të shkruar në pentagramin e polifonisë. Gjithësesi,në këto momente trishtimi,lipset të ravijëzohen detajet dhe aspektet e jetës dhe sfidave që e bashkëshoqëruan në rrugëtimin artistik.
Lefter Çipa,si një yll flakërues dhe drithronjës,në thellësinë e shpirtrave tanë, si një simbol i mahnitshëm, rishtaz do të ringrihet,për të qenë i pranishëm dhe protagonist, me atë gjuhë të ëmbël, si Kryebilbil ligjërues,i Bilbilave që bilbilojnë me mjeshtëri, magjinë potenciale të këngëve thesarë të Himarës.

Rrugëtimi jetësor dhe karriera artistike….

Lefter Çipa,erdhi në jetë një ditë të ftohtë dimri, pikërisht, më 14 Shkurt të vitit 1942, figurativisht me cigare në gojë,ashtu si sivëllai i tij dhërmias,Petro Marko,si pinjoll në familjen e Andrea Çipës dhe bashkëshortes së tij,Angjeliki (Lelo) Mërkuri në Pilurin e lartësive ose ndryshe siç e quajnë «Ballkonin e Rivierës»,që shtrihet në një lartësi prej 800 metrash mbi nivelin e detit.Ndonëse ati i tij, një burrë i veçantë,gojë ëmbël,me pasion admirues ndaj dijes dhe librave, kryesisht i lidhur me historinë, por gjithësesi tepër punëtor, ishte realisht me famë,si një prej meraklinjve mjeshtër të gdhendjes së gurit në Pilur e përtej tij,ai u rrit dhe përkund me impresionet dhe ndjesitë e botës së magjishme të ninullave të këngës piluriote dhe asaj himariote.
Për Lefter Çipën, asgjë nuk ishte krejt e rastësishme.Pasioni dhe dashuria e tij e pamasë për vargun dhe polifoninë himariote,bie në sy qysh në moshë të njomë.Qysh në moshën 8-vjeçare, rrethohet nga atmosfera muzikore dhe me guxim starton t’i binte fyellit, e në vijimësi edhe cylës dyjare apo pipëzave, duke krijuar njëherazi melodi të panumërta baritore.Teksa ndeshet me shijen dhe aurën e melodive çudibërëse të polifonisë,duket se ato në vijimësi do të bëheshin përcaktuese dhe vendimtare në rrugëtimin e tij jetësor.
Ndonëse ende i ri në moshë,vetëm 16 vjeçar,duket se rastësia e përballi Lefter Çipën, me të shquarin muzikant të Vlorës, Prof. Themistokli Mone,tek i cili bie në sy talenti dhe zhdërvjelltësia e tij djaloshare.I pasionuar dhe tepër i ndjeshëm,vihet në sprovën e krijimit të një teksti të përshtatshëm,si këngë për legjendat aktuale të kohës,siç ishte trioja e famshme vlonjate,me këngëtarët e afirmuar Meliha Doda, Konstandin Thana dhe Reshat Osmani,madje duke startuar në vitin 1958 me këngët «Një flutur e vogël je» dhe «O ky Bregu i Detit», e në vijimësi në vitin 1961, me krijimet e spikatura si «Vlora jonë qytet i bukur», apo «Thëllëzat që hedhin valle».
Pikërisht aty sendërtohet dhe starton fuqia potenciale e këtij «gërmëarti» dhe «pene» brilante, zemërzjarrtit Lefter Çipa,i lindur dhe ngjizur për të ofruar magji artistike,duke u afirmuar si një krijues,si një «dashnor» pasionant i lirikës dhe simbol i shndrritshëm i polifonisë magjike të Bregdetit Jonian. që falë vullnetit dhe mjeshtërisë së tij, mundi realisht të shkruante një histori të artë.
Lefter Çipa, starton visarin e muzës dhe shpirtit ngazëllyes krijues qysh në vitin 1962, me Grupin e Pilurit,me prezantimin e këngës historike «Supet me vula ngarkuar», për të vijuar mandej me këngën lirike baritore «Lule e verdhë e bar i njomë» me interpretimin e spikatur të këngëtarëve Vasilika Lapa dhe Vangjel Gjiçali, nën shoqërimin e melodisë prej trios së istrumentistëve Margarit Kongjini, Milto Gjiçali dhe Arqile Lapa,duke promovuar një risi dhe eventualitet admirues në këtë gjini sa tërheqëse po aq edhe mbresëlënëse.
Promotorja dhe sfida e jashtëzakonshme e këngës plot freski «Tundu bejkë e bardhë,tundu», me interpretimin e magjishëm dhe zërat perfektë e tepër melodioz, me marrëse Vasilika Lapa, Vangjel Gjiçali,si kthyes Qirjako Bala, Sofo Gërdhuqi; dhe hedhëse Eleni Mërkuri,ndërsa si prerësa me Stavro Mërkuri, Margarit Kongjini, dhe si fyelltarë Milto Gjiçali, Arqile Lapa, Margarit Kongjini,madje personalisht edhe të iniciuesit Lefter Çipës e gjithë ansamblit virtuoz miks, të përgatitur prej tij,me një profesionalizëm dhe mjeshtëri të rrallë.Κënga e cila jo vetëm tërhoqi vëmëndjen si një befasi artistike,por njëherazi u Laurua me Çmimin e Parë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës, e cila në thelb përbën përpos të tjerash, një preambul ogurmirë në shpalosjen e talentit shumëdimensional, në aradhën e perlave të krijimtarisë së Lefter Çipës.Duke u dëshmuar njëherazi si një penëartë autentik dhe i papërsëritshëm,duke ofruar margaritarë të çmuar në trashëgiminë tonë me përmasa meritore dhe dimensione të jashtëzakonshme.
Penëarti i perlave përtejepokale Lefter Çipa, «Princi i Polifonisë» siç me të drejtë e kanë cilësuar, si një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme në promovimin e këngës polifonike në trevën e Bregut, me praninë e tij artistike,me pasion e përkushtim,me vullnet e këmbëngulje, kontribuoi denjësisht jo vetëm në mishërimin e një kumti novator dhe ndjesive emocionale në këngën polifonike piluriote dhe atë himariote,por paralelisht edhe në përgatitjen dhe perfeksionimin artistik të grupeve popullore të këtyre viseve,duke promovuar njëherazi talente dhe korifej virtuozë emërmëdhenj të këngës si: Dhimitër Varfi, Vasiliki Lapa, Ermioni Mërkuri, Qirjako Bala,Vangjel Gjiçali, Katina Mërkuri, Sofo Gërdhuqi, Stavro Mërkuri, Margarit Kongjini,Athina Muço apo Katina Bejleri etj.
Lefter Çipa, ky magjistar i vërtetë i vargut dhe një margaritar i çmuar i shpirtit,përmes opusit të tij krijues në një hapësirë dimensionale të gjerë,duke sprovuar lirikat e dashurisë,po ashtu edhe heroizmin epik e shpërthyes,me mjeshtëri dhe origjinalitet,u dha një bukuri vezulluese e rrezatuese, notave hyjnore të melodive befasuese,sa unikale po aq edhe me tendenca prirjeje të një koloriti të pasur imazhesh dhe tingujsh.
Lefter Çipa si një margaritar i rrallë,me një impresion dhe mjeshtëri, në thesarin e ligjërimeve të këngës pilurjote e asaj himariote në përgjithësi, mundësoi të gërshetonte bukur, epikën me lirikën, heroizmin me dashurinë, aktualitetin dhe mitet,duke sfiduar madje edhe faktorin kohë,duke e imponuar të përulej përpara magjisë së tij hyjnore të artit autentik lefterçipjan.Sepse ai jetonte dhe frymonte eskluzivisht për artin,për këngën,për vargun,për meloditë e hyjnive që do jehojnë Përjetësisht si thesare të pashlyeshme të Akrokerauneve.
Fatmirësisht,u prezantuam dhe u njohëm me madhështinë dhe elegancën e perlave lefterçipiane qysh në moshë të njomë,atëhere kur edhe mitet flirtonin enkas me shpirtin e trazuar t tij,duke përcjellë tek ne, adhurimin e përkorë të vargjeve të dlira e mbresëlënëse të muzës së tij pasionante.
Simbioza e jashtëzakonshme e opusit të krijimtarisë së tij të pashlyeshme,të Bilbilit të Viseve të Akrokerauneve,perlat e bukurisë, joshja me mistikën,përsiatja hyjnore e vendndodhjes gjeografike, hymnizimi me mjeshtëri i heroizmit ndër shekuj, konfigurohen në gamën e afro 1250 këngëve të interpretuara me një nivel të lartë dhe mjeshtëri artistike, pikëspari prej grupit Polifonik legjendar të Pilurit,ku kontributdhënia e tij si udhëheqës artistik e lartësoi në majat e larta të suksesit,duke veçuar këngët respektive si «Naim Shqipëria», «Tundu bejkë e bardhë»,«Vijnë djemtë nëpër vapë», «Nga kjo baltë e kësaj toke», «Për Kosovën prapë do ngrihem», «O shokë vdeksha nga kënga», «Shqipëri pse të qan syri», «Zoga kaçake në male», «Këngë kurbeti», «Vito Pëllumbesha», «Hënëz e qiellit të gjerë», «Moj unaza gur jeshile», «Në sokak të ngushtë», «Këngët e atdheut tim», «Shqipëri flakë dyfeku». «Kënga tret lotin», «Lundroj në lundrën e këngës», «Kënga e manushaqes», «Zonjë e bukurisë»,etj.Mandej edhe me një larmi motivesh të papërshkrueshme, interpretimet prej grupeve polifonike të Himarës, Dhërmiut,Vunoit,të Lapardhasë, Bënçës, Vlorës Gjirokastrës, si edhe Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në koncerte të panumërta jashtë kufijve të vendit.
Perandori i Polifonisë Himariote, Lefter Çipa, lidhur me të gjitha segmentet që përbëjnë traditën e tij kulturore,me shembullin e spikatur si pasues i denjë i Neço Mukës (H)mariotit,i Koço Çakallit, Pano Kokaveshit, Nase Benit,Gaqo Trolës e një sërë të tjerëve më pak të njohur,dëshmoi dhe la gjurmë të forta e të pashlyeshme,me vargëzimin dhe meloditë e këngëve ashtu sikundër edhe në aspektin e vjershërimit popullor.Jo rastësisht, përmes një frymëzimi të vërtetë vetiak, me individualitetin e tij të përkorë, ai inicioi dhe krijoi modele të përkryera të këngëve polifonike himariote ashtu sikundër edhe të këngëve qytetare vlonjate,me ngjyrime tonale brilante dhe timbrika interpretimi admiruese.
Me jashtëzakonishmërinë e vetë karakteristike, Bilbili i vendeve të mia,frymëzuesi befasues,Lefter Çipa, me spontanitetin e çliruar prej kornizave frenuese, me imagjinatën zbukuruese kreative, do të jetë ndër mote mes nesh,përmes ligjërimeve të tija Hyjnore,përmes vargjeve dhe melodive thesare, me ndjesinë e ritmit dhe melodive të dashura, përherë si fisnik,i freskët dhe i gjallëruar, si një gurrë krijuese e pashtershme.
Profili i tij krijues,me një simbolikë krejt të veçantë kreative, mishëronte ëmbëlsinë e njeriut të përkushtuar guximshmërisht, që ofron bujarisht mirësinë në formën e vargut dhe këngëve. Bashkëudhëtar dhe me qasje vleftësimi të motiveve popullore, horizontet artistike të Lefter Çipës, shpalosen me entuziazmin e ndritur, si pjesëmarrës dhe protagonist në të 7 Festivalet Folklorike Kombëtare të zhvilluara,si në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë,e madje duke spikatur dhe u Lauruar në secilin prej tyre në veçanti.
Jeta dhe veprimtaria e tij krijuese e heshtur,përtej miklimeve apo lëvdatave të pavenda,e prirur me nuanca vlerëpromovuese,duke shndërruar detajet e zakonshme në të jashtëzakonshme,duke kontribuar sistematikisht qysh prej vitit 1964,si një bashkëpunëtor aktiv dhe energjik i Institutit të Folklorit e më pas vitit (1979),të Institutit të Kulturës Popullore,duke lenë qindra faqe me materiale të qëmtuara dhe grumbulluara prej tij si autor misionar,në arkivat e shkruara të Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë.
Duke Hymnizuar polifoninë brilante të Bregdetit Jonian,Lefter Çipa vlerësoi dhe ngriti në piedestal aromën e vendlindjes së tij, Pilurin e ashpërsisë së bukurive malore si edhe njëherazi Lulen e Vilajetit, Himarën.Pikërisht me pasionin krijues të papërsëritshëm,prej vargjeve dhe melodive të tij, sendërtohet gjeneza dhe rrënjët e tij ekzistenciale,duke u shndërruar në një Mit i Vërtetë, në një Legjendë të gjallë frymëzuese,me një kreativitetit artistik universal.
Si një krijues i pasionuar dhe vizionar,me një frymëzim krejt të pazakontë, ai mundi të shndërronte ëndrrën në një vizion dhe harmoninë universale në sinonim të guximit,të dinamizmit gjallërues dhe forcës për promovimin e kulturës e njëherazi të progresit njerëzor dhe shoqëror.
Para se të nisej për në Universin e Përtjetësisë,Patriarku Legjendar Lefter Çipa,dëshironte të përfundonte studimin brilant lidhur me ISOPOLIFONINË,por që fati e donte t’ia linte dorëshkrimin të pambaruar historisë….
E përpiu bora e Përjetësisë,duke e përkundur në bardhësitë unikale të ninullave të saj të heshtura dhe gurgulluese….
Artisti ynë mrekullues me ideale fisnike Lefter Çipa, duke udhëtuar heshturazi në hapësirën qiellore të Akrokerauneve,rrugëve drejt mitit,si një Princ elegant i kurorëzuar me lavdinë dhe mjegullën e vizionit të shpirtit poetik dhe vargjeve magjike,vulosi çeljen e një dritareje shprese,për të hedhur vështrimin në Përjetësi. Duke statuar udhëtimin e gjatë drejt dritës dhe Universit Hyjnor dhe duke na lënë në memorie aureolën e shkëlqimit të tij vezullues. Ashtu siç nënvizon poeti grek Giannis Ritsos : «Ne vijmë nga larg dhe shkojmë shumë larg».

Në vend të epilogut…

Kohërat e shekujt mund të zvetënojnë gjithçka,mund të përhumbë titujt gjakkaltër apo emrat e lakuar të hierarkive pushtetare.Por kurrësesi nuk mund të harrojnë apo anashkalojnë protagonizmin e muzikalitetit proverbial dhe jehonën e perlave demoniake, aromë freskie dhe kaltërsie Joniane,me qesëndinë dhe qasjen pasionante të Bilbit thesar, penëndriturit Lefter Çipa.Jehona e melodive të famshme, erëmirë dhe gjithë sharm,me ndjesi e lirizëm,do të shpërndahet madhërishëm në horizontet e Përjetësisë.Dhe ai si përherë vital dhe energjik, me vendin e tij në Altarin e këngëve të Përjetësisë, do të vrapoj të ngrihet dhe qenë i kudondodhur dhe i pranishëm mes nesh, për Hyjninë e tij universale,këngën e Shpirtit.
Vezulluesi krijues,dishepulli Lefter Çipa, balta e bekuar e Pilurit,që të strehon në gjirin e saj, duhet medoemos të këndojë,për një krijesë monumentale që gjithë jetën vargëzoi melodi dhe thesare shpirti virtuoze.Duke e përcjellë ashtu siç ai do të kishte preferuar, pa superlativa,pa thirrma,pa hymne,por nën tingujt baritore të cyla dyjares.
Në këto momente hidhërimi,me një ngarkesë emocionale krejt të pazakontë,nuk është aspak e lehtë të artikulosh kumte lamtumire, për një personalitet poliedrik dhe Vigan si Lefter Çipa.Sepse edhe vetë fjalët lotojnë e vështirësohen enkas të artikulohen.Si bashkëkohës,si një mik i hershëm i këtij gjigandi të rrallë,që magjepsi shpirtrat tanë me vargjet e arrira dhe meloditë e shndrritshme,me dhimbje në shpirt,imponohem të kumtoj Lamtumirën e ndarjes fizike.
Njëherazi ndihem fatlum,për një personalitet të spikatur shumëdimensional,për një talent të jashtëzakonshëm dhe vetmohimin e tij,për një krijues modest e punëmadh,me të cilin vite të hershme, e pohoj se kam ndarë vizione,problematika,shqetësime por edhe gëzimin e sukseseve,e që munda të përjetoja epokën proverbiale të një krijimtarie sa mistike po ashtu edhe thesar të Bardit Hyjnor, Protagonistit Lefter Çipa-Himariotit.
Sepse prezenca e këtij pasionanti të harlisur për afro 7 dekada,e virtuozit vargëtar, me historinë e suksesshme sqimatare të krijimeve të tij fantastike,po aq jetike dhe reale, ishte realisht një Ikonë simbol i jetës tonë kulturore.Dhe e tillë do të mbetet, gjithë thesari i vyer i veprës së tij të pashlyeshme,si një mesazh kushtrimtar në transmetimin e këtyre vlerave në Altarin e përjetësisë universale.
Gjithësesi, është i njohur fakti se artistët legjendarë as shuhen dhe as vdesin kurrë. Përkundrazi,gjenialiteti rrezatues, madhështia e talentit të pashtershëm të Bardit Lefter Çipa-Himariotit,kapërcen kufijtë e vetë kohës që ai jetoi. Sepse gjurmët vezulluese të vargut dhe melodive lefterçipjane në këtë botë,janë realisht të pranishme, joshëse dhe të pashlyeshme,si një burim frymëzimi i përjetshëm.
Si bashkëkohës,si bashkëpatriotë, si artdashës,me mirënjohje të jashtëzakonshme,Misionarit dritëshpresë,Lefter Çipa,i shprehim falenderime të pafunda.Për modestinë dhe dinjitetin me të cilin ai i shërbeu kësaj pjese të Kulturës, që për ne ka një vlerë të veçantë,si pjesëz e psikosintezës dhe temperamentit tonë. Për jehonën e pareshtur të vargjeve dhe melodive që ai me pasion këndoi për Pilurin e rrënjëve dhe zemrës,si edhe «Lulen e Vilajetit», Himarën e tij të shtrenjtë.Për nderin dhe krenarinë që na ofroi me artin dhe krijimet e tij çudibërëse dhe të mahnitshme.
Lefter Çipa i përkiste plejadës së lavdishme të atyre krijuesve dhe interpretuesve me potencial madhor.Kësisoj kurrsesi nuk mund të jetë asfare rastësi,që ai hyri për të mbetur në zemrat e njerëzve të zakonshëm si një ligjërues i perlave shumë të rëndësishme popullore,si një pjesë e vyer e trashëgimisë sonë kombëtare.Duke u shndërruar si një pikë referimi për të sotmen por edhe për gjeneratat e artistëve më të rinj, e duke hyrë në zemrat tona si një burim drite.
Gjithësesi,ne të gjithë bashkëkohësit,miqtë e tu,gjithë ata që të adhuruan si askusht tjetër, do t’ju kujtojmë gjithmonë me veneracion dhe mirënjohje të pakufishme,me shumë dashuri dhe respekt.

Dishepulli i magjive Homeriane, Lefter Çipa,të ndrittë Shpirti në Altarin e Parajsës së Përjetësisë !

Athinë,18.02.2021

Check Also

Virusi është bërë më agresiv, Pipero: Ja çfarë po konstatojmë tek pacientët

Mjeku  infeksionist Pëllumb Pipero mendon kjo situatë vjen pasi shumë persona po ekspozohen më gjatë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 19 =