Home / Kryesore / Lefteri i vargut të ndritshëm dhe i këngës kumbuese

Lefteri i vargut të ndritshëm dhe i këngës kumbuese

Nga Idajet JAHAJ-
– -në vazhdim të homazhit-

Jehona e vlerave të veprës së Lefter Çipës do të vazhdojë gjatë. E shumëfishuar kjo edhe nga ikja nga jeta e këtij burri të shquar të poezisë e të këngës. Ai shkroi, poetizoi e strukturoi melodi aty, në arealin e vendlindjes së tij, në Pilur e në Bregdet. Gjithë jetën. Dhe rrojti afro një shekull. Dhe për të tillë krijues kujtohet vargu i një poeti të madh, i cili thoshte:

Një monument të lartë i ngrita vetes sime,
Të lartë, më të lartë se shtylla e Aleksandrit !…

Vërtet Lefter Çipa i ngriti vetes së tij një monument të lartë. Monumentin e poezisë e të këngës pilurjote e të Bregdetit. Që i ri spikati me vargjet popullore, por fine nga pikëpamja e saktësisë e ndriçimit figurativ. Dy fushat e mëdha tematike të tij ishin ajo baritore dhe ajo atdhetare. Në të dyja solli konotacione të reja poetike, meditime e mesazhe të thella, frymëzuese. Në qendër të lirikës baritore ishte vasha e fshatit që yllëson pranë bariut, në malet e bukura që hijeshojnë mbi bregdet. Tingujt e këngës, që muzikuan kurdoherë vargjet, i shtuan shumë ngjyrat dehëse të poezisë së tij të veçantë midis rapsodëve të Jugut.

Pamja kartolinë e brigjeve të Bregut “mal përpjetë e poshtë valë”, ishte suaza e tretë e përshkrimeve të muzës së tij. Ai i këndoi jetës në male, zejit të hershëm të banorëve autoktonë. I këndoi natës e ditës, mëngjeseve e punës, kurbetit e këngës labe, farfurisë natyrore. Këngët e tij për këto fusha patën jehonë të madhe, sidomos në vitet 70- 80-të të shekullit të kaluar. Ato u bënë hitet e asaj dekade dhe jehuan anembanë vendit. Dhe aktualiteti i tyre vazhdon edhe sot me notat e tyre të ëmbla, të mbështetura në melosin popullor.

Shkroi për epopetë çlirimtare, luftën e lirisë, për heronj e dëshmorë, për figura të tjera të shquara. “O burrë i Bregut të bukur”- skalit një aliteracion të rrallë për të rrallin Petro Marko. Kënga- vaj për Naim Frashërin ishte një mahni sentimentale për hyjnorin poet. Po kështu poezia e fuqishme për dëshmorët “Njëzetë e tetë mijë yje” u bë një himn madhështor lirik që buçiti në dekada me forcën e përshkrimit e të mesazhit. “Balta…pika gjaku do pikojë”- poeti jep sentenca të papërsëritshme, maksima filozofike-poetike.

Kështu, në sa e sa vjersha të tjera ai i ka kënduar Shqipërisë, me një zjarr prej Rilindasi. Kudo ndrit lirizmi i tij, veçanërisht në motivin atdhetar. Vjershat e tij për mëmëdheun rreshtohen ndër krijimet historike më të denja të poetëve shqiptarë.

“Rrugë e malit, moj e bardhë”- mediton ëmbël në një varg tjetër. Sa e sa maksima të tilla ka dhënë Lefteri në mijëra vargjet e tij. Vepra e tij do një studim të shumanshëm, të shkoqitur, të hollë, në një libër më vete.
Ai lindi aty, në Pilurin e tij të dashur, jetoi aty dhe për më se gjashtë dekada ngriti kështjellën e tij të artit. Një kështjellë lirike, me ngjyrat e ylberit. Dhe pikërisht ky ylber, me harqet magjike, si dhe forca mendore e vargjeve të tij, i pikturuan atij pavdekësinë.

Ai u ngrit e mbeti një nga figurat më të shquara e të dashura të artit poetik popullor. Në bregdet do të shkëlqejë përgjithmonë krahas të tillë neoneve historikë si: Neço Muka i këngës, Nase Beni i vargjeve atdhetare të zjarrta, i Petro Markos së madh, etj.

Check Also

Kryevepra shqiptare që kërshëron botën

Nga Zhaklina Dhimojani Blätter- Panorama botërore e kryeveprave muzikore përbëhet në thelb nga fenomenet dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + 16 =