Home / Kulture / LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”

LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”

LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho.

“Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit. Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”. Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë.
Në kujtim të asaj dite të paharruar, Rinush Idrizi, mik i familjes tonë, shkroi këtë poezi:

Eh ç’dhimbje ndjen poeti sonte,
Kur vetë liqeri hesht dhe s’fle,
Kur vdekja nëmur përvëlonte
Vështrimin e shpirtit që s’u zbeh.
Eh ç’dridhje lotësh mbi qerpikë,
Kullojnë e bien si t’ish vesë,
Ku erë e gjolit fryn e s’ik
Si shpirt i nxirë e i pashpresë.
Sa kohë poeti liqerin thithi,
Si gji mëme në foshnjëri,
Në shpirtin e tij llauz-trazuar
Vdekja e gruas i dha pleqëri.
Dhe qau, qau dënesë-vrarë,
Me lot të shuar vetmi-flakur,
Po ja tek këmbët e tij zvarrë-zvarrë
Pëshpëritja e valës plakë ka ardhur.
Poeti hedh mbi të vështrimin,
Dhe dorën zgjat ta prekë atë,
Dy vajzat vijnë dhe mallëngjimin
Në shpirt ja sjellin ai s’bën zë.
Dhe ja kështu mes dehje yjesh.
Mes erërash netësh dhimbjesh rri,
Mes puthjesh bijash, humbur dhimbjesh
Poeti gërryen shpirtin e tij.

Publikuar nga: BETI NJUMA dhe Biblioteka e Librave të Harruar

Check Also

Violinisti i njohur Aurel Qirjo përfaqëson Shqipërinë në “Orkestrën e Tokës”!

Nesёr mё datё 3 dhjetor 2020, interpretohet dhe publikohet pёr herё tё parё kompozimi “Together …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − eight =