Home / Aktualitet / Kuvendi i Shqipërisë shkarkon presidentin Ilir Meta (Si u ndanë votat pro dhe kundër)

Kuvendi i Shqipërisë shkarkon presidentin Ilir Meta (Si u ndanë votat pro dhe kundër)

Kuvendi miratoi sot me 105 vota pro shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të vendit. Kundra shkarkimit votuian 7 deputetë, ndërkohë që 3 të tjerë abstenuan.

Pas disa orë diskutimesh, deputetët nën komandën e Kryeministrit Edi Rama, çuan deri në fund projektin e tyre për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit, ndërsa formalisht në seancë u lexua një raport ku paraqiteshin shkeljet Kushtetuese që sipas tyre Kreu i Shtetit ka konsumuar.

Në votimin për shkarkimin e Presidentit morën pjesë 115 deputetë, ndërsa më herët raporti i Komisionit Hetimor parlamentar, ku renditeshin shkeljet ligjore dhe Kushtetuese, u miratua nga 104 deputetë, 7 kundra, 2 abstenime dhe 1 fletë rezultoi e pavlefshme.

Tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet lidhur me vendimin e Kuvendit, që prej më shumë se dy vitesh funksionoi me rreth 120 deputetë nga 140 që parashikon Kushtetuta, shumica e të cilëve ishin të bindur ndaj Kryeministrit, pavarësisht se formalisht luanin rolin e një opozite parlamentare, që fare mirë quhet e emëruar nga Rilindja.

Ky është rasti i parë që Parlamenti shqiptar ndërmerr një nisëm për shkarkimin e Presidentit, duke mos lejuar që ai të përfundojë mandatin e tij në Krye të Shtetit.

Edhe pas zgjedhjeve të 1997, kohë kur President i vendit ishte Sali Berisha, Kuvendi nuk arriti të ndërmerrte hapat për shkarkimin e tij nga mandati i dytë Presidencial, pasi ai u dorëhoq në atë kohë, menjëherë pas zgjedhjeve, dhe postin e Kreut të Shtetit e mori Rexhep Mejdani.

Hetimi parlamentar për Ilir Metën u nxit nga Kryeministri Edi Rama dhe jo rastësisht në Komisionin Hetimor Parlamentar u vendosën deputetë që nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re që nis në shtator, pasi ose nuk u vendosën në listat e kandidatëve, ose nuk arritën të marrin mandatin. Presidenti Ilir Meta në deklarimet e tij publike ka thënë se nuk e njeh hetimin parlamentar, madje nuk ka marrë pjesë as në seancën kur u thirr nga Komisioni për të dhënë shpjegime.

Check Also

Gjata: Betejën e kemi me Ramën dhe modelin e tij, në PD do të hyjë fryma e re

Partia Demokratike do të zhvillojë në 17 korrik, mbledhjen e kuvendit Kombëtar, ku do të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 14 =