Nga Bernard ZOTAJ –
Kuvendi u mblodh mbi bazën e traditave
Bashkëkohësi dhe historiani i Skënderbeut, humanisti shqiptar Marin Barleti, në veprën “Historia e Skënderbeut” përshkruan emrat e sundimtarëve shqiptarë që morën pjesë në punimet e kuvendit. Midis tyre ishte nismëtari dhe organizuesi i Kuvendit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si përfaqësues i principatës së Kastriotëve, Gjergj Araniti, Andrea Topia me dy djemtë, Komini dhe Muzaka me të nipin Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Tedor Korona Muzaka me të tjerë nga familja e Muzakajve, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani së bashku me disa feudalë më të vegjël pranë principatës së tij, etj. Pjesëmarrësit në kuvend u mblodhën nga trevat ku flitej gjuha shqipe. Përjashtim bënte vetëm Stefan Cernojeviçi, sundimtar i Zetës (Malit të Zi), që kishte zotërimet e veta pranë liqenit të Shkodrës me një popullsi të madhe shqiptare, por dhe lidhje familjare me Skënderbeun, se ishte martuar me njërën nga motrat e tij. Në Kuvendin e Lezhës mori pjesë dhe përfaqësuesi i Venedikut me cilësinë e vëzhguesit. Republika e Raguzës refuzoi të merrte pjesë për të mos ndërlikuar marrëdhëniet e saj me Sulltanin e Perandorisë Osmane.
Besëlidhja e feudalëve shqiptarë
Mbas diskutimeve të shumta, Kuvendi i Lezhës mori vendime të rëndësishme, të cilat përcaktuan natyrën politike të këtij kuvendi. Me gjithë divergjencat e diktuara nga interesat e ngushta, feudalët e mbledhur në kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Ideja e bashkimit të gjitha forcave politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit në një front të përbashkët u konkretizua në mjaft vendime të tij. Më i rëndësishmi midis tyre ishte vendimi për krijimin e një besëlidhjeje të feudalëve shqiptarë, e që mori emrin “Lidhja e princave shqiptarë” (Lidhja e Lezhës). Skënderbeut si organizator dhe udhëheqës i kryengritjes çlirimtare kundër regjimit të timareve, si dhe për shkak të pozitës së rëndësishme që kishte principata e Kastriotëve u zgjodh njëzëri kryetar i saj.
Vendimi për krijimin e ushtrisë
Pjesëmarrja në lidhje për çdo feudal garantonte të drejtën e mbrojtjes nga pushtuesi, si dhe detyrimin për të kontribuar në krijimin e ushtrisë dhe të mjeteve financiare të përbashkëta. Me këto detyrime lidhen dy vendime të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës: vendimi për krijimin e një ushtrie të “Lidhjes së princave shqiptarë” si dhe sigurimin e mjeteve financiare për shpenzimet e luftës me forca të përbashkëta. Kuvendi i Lezhës vendosi të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga Skënderbeu në principatën e Kastriotëve si dhe nga feudalë t e tjerë në zotërimet e tyre. Secili anëtar i lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve me të cilët do të kontribuonte në krijimin e ushtrisë së përbashkët. Skënderbeu u zgjodh komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve do të emëroheshin nga vetë bujarët. Për të përballuar shpenzimet e luftës, Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të posaçëm në të holla, i cili do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit, të cilat u përkisnin Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu, i cili jepte për çështjen e luftës çlirimtare kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe të holla. Skënderbeu u ngarkua nga Kuvendi i Lezhës me detyra të shumta drejtuese dhe komanduese. Në këtë mënyrë ai merrte përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e luftës. Nga pikëpamja strategjike “Lidhja e princave shqiptarë” përbënte aleancën politikë-ushtarake (besëlidhje) më të fuqishme midis bujarëve shqiptarë me njëri-tjetrin për mbrojtjen e zotërimeve të tyre feudale me forca të përbashkëta. Në zotërimet e tyre, bujarët shqiptarë pjesëmarrës ishin zotë të pavarur dhe mbajtës të çdo pushteti.
Skënderbeu komandanti ushtarak
Me gjithë rolin udhëheqës dhe komandues të Skënderbeut në “Lidhjen e princave shqiptarë”, pozita e tij drejtuese në vitet e para të ekzistencës së saj, nuk ishte ajo e një monarku, por e një drejtuesi ushtarak. Udhëheqja e tij përmblidhet vetëm në organizimin e mbrojtjes së vendit, pa cënuar privilegjet e feudalëve të veçantë dhe pushtetin e tyre brenda zotërimeve të veta. Skënderbeu kishte të drejtë në raport me anëtarët e tjerë të lidhjes të thërriste kuvendin e princave shqiptarë sa herë ta shihte të nevojshme për interesat e mbrojtjes së vendit. Anëtarët e lidhjes ruanin të drejtën e largimit prej saj, kur ta shihte të nevojshme. Skënderbeu si kryetar i lidhjes dhe lidhja nuk kishin të drejt ta pengonin ose të merrnin masa kundër tij.
Në Lidhje bujarët feudalë ruajtën të drejtën të hynin në marrëdhënie ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Në vitet e mëvonshme një pjesë e mirë e princave shqiptarë përfunduan traktate ndërkombëtare me shtetet italianë, pavarësisht nga Skënderbeu dhe Lidhja. Gjergj Araniti lidhi traktat të veçantë me Alfonsin e Napolit (1451), dhe një tjetër me Venedikun. Kështu kanë vepruar edhe bujarët e tjerë. Lufta e përbashkët kundër Perandorisë Osmane dhe Venedikut bëri që subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në vendimet të dalë në tërësi “Lidhja e princave shqiptarë” dhe jo ndonjë bujar i veçantë. Gjatë luftës me Venedikun më 1448 Skënderbeu, pas vdekjes së Lekë Zaharisë, e kërkoi qytetin e Danjës në emër të Lidhjes. Fitorja u arrit me forca të përbashkëta të feudalëve shqiptarë. Kurse Traktati i Paqes (4 tetor 1448) u përfundua duke qenë palë “Lidhje e princave shqiptarë”, e përfaqësuar nga Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini e Republika e Venedikut. Në historinë e Lidhjes së Lezhës ky është rasti i parë kur del në bllok njëkohësisht para dy armiqve të rrezikshëm, Perandorisë Osmane dhe Venedikut. Lidhja lufton dhe fiton për mbrojtjen e vendit dhe të tërësisë së tij territoriale, vepron me personalitet të plotë politik në marrëdhëniet ndërkombëtare.