Home / Aktualitet / Kush do të jetë Eliot Engel 2?

Kush do të jetë Eliot Engel 2?

 

Sebastian ZONJA-

Të gjithë politikanët shqiptarë po përshëndesin njëzëri kongresmenin Eliot Engel për aktivitetin e tij pro shqiptarëve gjatë shërbimit në politikën amerikane. Miku i madh i shqiptarëve nuk është më në zyrën e Kongresit amerikan.
Menjëherë, detyra që i del përpara shqiptarëve të trojeve është të bashkohen për të menduar se kush do ta zëvëndësojë kongresmenin Engel?

Së pari, vlen të theksohet se brezi i politikanëve amerikanë që kanë dijeni të imtësishme për Luftën e Ftohtë, është drejt fundit. Sot ka një fokus tjetër, Kina si fuqi hegjemone. Rusia shihet thjesht si një fuqi rajonale. Mbi këtë premisë, duhet që të fillojmë dhe të ndërtojmë strategji për të pasur lidhje me demokratët dhe republikanët e rinj. Ata që kishin dijeni të dorës së parë për Ballkanin, problemet e tij dhe Jugosllavinë etj. sa po vijnë e po largohen nga politika.

Së dyti, ka shumë shqiptarë profesionistë fushe, të pasur dhe me kontakte në SHBA. Nuk di të ketë ndonjë regjistër për ta, që të kontaktohen për festa e për vaki, si e kanë adetet, në dikasteret përkatëse këtu në Ballkan. Në Shqipëri, duket se e bëjnë nga mefshtësia, për të mos thënë diçka tjetër, dhe kur e kuptojnë se lobimi grek apo serb ka shkuar më lart, blejnë tabela lojërash “Mos u nxeh”, dhe u kalon. Ceremoni të bukura Diasporën dhe me Kosovën kemi bërë boll, por pa rezultat.

Së treti, që ndoshta është edhe më e rëndësishmja, ideja e politikanëve shqiptarë ka qenë për t’i përçarë shqiptarët në Amerikë që mund të ishin grupuar në ndonjë organizatë. Vijnë demokratët në pushtet, zgjedhin njerëzit e tyre. Vijnë socialistët, zgjedhin të vetët. Por, edhe nëse kjo çështje zgjidhet, del një problem tjetër.
Lobimi bëhet me para. Dhe më shumë se e ka ndjenjën e shqiptarizmës vetë shqiptari, s’e ka i huaji. Ndaj, po t’i shohësh kompanitë e lobimit që kontraktojnë partitë politike, janë të gjitha të huaja. Rasti më i fundit është vetë kryeministri Rama. Javë më pare, kur ndodhej në Uashington, ai u takua në Nju Jork me priftin orthodoks grek Alexander Karloutsos. Medie pranë së djathtës shqiptare aluduan se Rama po lobon që të takohet me presidentin e zgjedhur Joe Biden.
Nëse shqiptarët në Kosovë zgjodhën që të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë me anë të ndihmës së lobeve serbe, e socialistët shqiptarë zgjedhin që të shkojnë me anë të lobeve greke, Eliot Engelin na e solli thjesht fati që të ishte pro kauzës së shqiptarëve, jo puna e politikanëve. Sepse politikanë shqiptarë proshqiptarizmin e Engelit e duan duke financuar lobistë grekë e serbë. Edhe kaq sa është bërë, vlen të theksohet se e kanë bërë shqiptarët individualisht, sepse të ishte për struktura shtetërore nga mbrapa, më së shumti kanë prishur punë.

Së katërti, ka me qindra e mijëra shqiptarë që kanë mbaruar studimet në universitetet më prestigjoze amerikane. Ekspertiza e tyre është e nevojshme tani që duket se ka një ndryshim të skakierës gjeopolitike, por jo vetëm për këtë. Profesionistë fushe e intelektualë që largohen përditë e më shumë nga vendi, shto edhe çorganizimin e organizuar për t’ia vjelë sadopak ekspertizën këtyre profesionistëve që janë jashtë, tregon qartë se jemi shtet i propagandës dhe i korrupsionit masiv. Lidhjet në Skype që patëm gjatë pandemisë me bashkëatdhetarët jashtë, treguan se ata janë mjekë e infermierë, farmacistë e shkencëtarë të shkëlqyer që me kënaqësi do e ndihmonin vendin. Por që të të ndihmojnë duhet të kesh një projekt se ku kërkon të arrish. E duket se nuk e kemi një të tillë as nga akademitë, institutet, apo qeveritë.

Le të urojmë se shqiptarët do të jenë aq të mprehtë sa kanë qenë, e të veprojnë bashkërisht për të ndihmuar një demokrat e republikan sot, që pas 10 vjetësh të kemi edhe ne një zë në Kongres! Te ju i kemi sytë, se politikanët këtu i kanë kthyer ambasadat në studio fotografike, ku çdo gjë bëhet vetëm për disa foto me një zyrtar amerikan.

Check Also

I dënuar përjetë për vrasjen e Naim Zyberit brenda spitalit, çështja e Arben Grorit kalon në rigjykim

Çështja e rigjykimit të Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five + 10 =