Home / Opinion / Kur gjendja është banale, snobi bëhet fisnik

Kur gjendja është banale, snobi bëhet fisnik

Senastian Zonja

Banaliteti s’është as i mirë, as i keq, as i bukur, as i shëmtuar… është ngecje në llucë. Fjala ‘Snob’ vjen nga latinishtja – ‘sine nobilitate’ ose në italisht sot, ‘senza nobiltà’, dhe në shqip do të thotë ‘pa fisnikëri’. Siç është një fije e hollë midis marrëzisë e gjenisë, fisnikërisë e arrogancës, edhe në punët e shtetit është një fije e hollë shekullore midis autoritetit dhe autonomisë. Të qenit snob nuk është ndonjë krenari. Përkundrazi, të qenit fisnik, po. Por, snob, për shembull, është Paul McCartney. Diskografia e tij dhe tekstet e tij kanë frymëzuar breza e do të dëgjohen për dekada. Dhe sot, për shembull, snobizmi, fatkeqësisht, është reduktuar në antikonformizëm. Kur në fakt është krejt e kundërta, se snobisti sot është ai që lexon klasikët e mirë: Aristotelin, Spinozën, Hegelin, Kamynë, Somerset Maughamin, Benjamin Disraelin, Roger Scrutonin etj. Të gjithë këta së bashku ishin snobistë në llojin e tyre, por ishin qytetarët e parë në mbrojtje të interesit publik. Të majtë a të djathtë, nuk i bashkonte antikonformizmi, relativizimi i situatave, anashkalimi i ngjarjeve, por Virtyti. Kur Londra kishte probleme, Maughami fshikullonte fort me shkrime, Kamyja në Paris, po ashtu, Spinoza në Amsterdam… Qytetarët e banojnë qytetin e tyre, ashtu si të jenë në fshat, në periferi a në qendër. Dhe ta banosh qytetin është krejt e thjeshtë: t’i japësh zë problemeve që dalin dhe atyre të bartura. Kur qyteti zbrazet nga intelektualët, të rinjtë, shkencëtarët, profesionistët e fushës… snobisti ngelet ai tuhafi që mendon gjithë kohës ta ketë vilën dhe makinën më të bukur në lagjen më të shëmtuar. Dhe këto snobistë duhet t’i kuptojmë pa i mirëkuptuar, se aq di, aq bën. Qytetet më të bukur janë plot me qytetarë që shohin punën e tyre, dhe intelektualë që kujdesen për qytetarinë. Pjesa tjetër janë te shprehja – ike ti nga fshati, por jo fshati prej teje!

Check Also

Mjeku i njohur shqiptar: Uroj të mos zgjoheni një mëngjes e të thoni për jetën, atë që them unë(LETRA)

Nga Dr. Adem HARXHI- Sivjet nuk u mblodhëm të gjithë për të festuar datëlindjen e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − fourteen =