Home / Stili i jetes / Kujdes! Këto 5 sjellje mund të shkatërrojnë lidhjen tuaj

Kujdes! Këto 5 sjellje mund të shkatërrojnë lidhjen tuaj

1. XHELOZIA

Është e padurueshme kur partneri ynë hedh vështrimin te dikush tjetër. Sa më e dhimbshme dhe intensive të jetë shprehja e xhelozisë, aq më e thellë perceptohet të jetë dashuria. Në dashurinë e vërtetë janë dy pjesë që luhen njëkohësisht midis subjektit “Unë e dua” dhe objektit tjetër “Ai/ajo më dashuron”. Ndërsa në dashuritë e udhëhequra nga xhelozia vetëm dimensioni “objekt i dashurisë” është në gjendje aktive. Ndodh kështu, sepse personi që dashuron, duke xhelozuar jeton si objekt dashurie i tjetrit. Dashuria e udhëhequr nga xhelozia nuk mund të durojë që shikimet e partnerit përkatës të vërtiten në subjekte të tjera. Ai/ajo beson se di të dashurojë dhe për këtë arsye ai/ajo vuan nëse mendon se nuk ka aftësi të dashurojë e të jetë i/e dashuruar në të njëjtën kohë.

Xhelozia e tepruar sjell për pasojë injorimin e tjetrit. Edhe pse mendohet se personi që xhelozon vuan për tjetrin, në fakt ai vuan për veten. Janë njerëz që nuk pushojnë së foluri për vetveten,  për dhimbjet që pretendojnë se partneri u shkakton në çdo çast dhe për vështirësitë që ai/ajo dëshiron të kapërcejë për të ndërtuar një qenie të pavarur. Në një marrëdhënie dyshe të bazuar në skena të tepruara xhelozie, partneri xheloz e dashuron partnerin në mënyrën e vet, sepse kjo marrëdhënie i jep qëndrueshmërinë vetjake që i mungon. Xhelozia ndikon në rritjen e dëshirës erotike, duke i nxitur marrëdhënies fantazinë dhe, pse jo, përfshirjen e një personi të tretë si rivalin e përjetshëm virtual të marrëdhënies që bazohet në ndjenja të shfrenuara xhelozie.

2. POSESIVITETI

Dëshira për mbizotërim është një nga komponentët e dashurisë, por nëse është shumë e ekzagjeruar dhe e përhershme, nuk bëhet fjalë për dashuri, por për frikë. Frika e humbjes së partnerit sjell si rezultat kontrollin e imtësishëm të jetës së tij. Kjo vjen nga thellësia e psikikës njerëzore. “Për aq kohë sa tjetri më përket mua, nuk mund ta lë të më largohet”. Partneri që shfaq sjellje posesive, nuk kërkon bashkimin dhe të qenit çdo sekondë të ditës me njëri-tjetrin. Ai nuk mund të kërkojë bashkimin me personin që dashuron kur ai e konsideron atë pjesë të vetvetes, si një organ trupor. Posesiviteti përkufizohet si një ndjenjë më arkaike se vetë ndjenja e xhelozisë, e cila është në gjendje të prekë dhe kufijtë truporë e deri në përfaqësimet mendore. Kur partneri posesiv kupton se ka humbur kontrollin mbi tjetrin, ai ndihet i kërcënuar me jetën. Ndjen se partneri e ka dhunuar dhe se ai është shkaku i zbrazëtisë së tij jetike.

3. MBROJTJA E EKZAGJERUAR

“Shqetësohem shumë për ty… Dua të të mbroj… Të dua shumë… Dua të ta bëj jetën më të bukur…!” Teksa lexon këto fraza, mendimi i parë që vërtitet në mendjet tona është se asgjë më altruiste se dashuria e shprehur me këto fjalë nuk do ta personifikonte dashurinë e vërtetë dhe vetësakrifikimin për tjetrin. E megjithatë, e pandërgjegjshmja njerëzore e bazuar në një mbrojtje të theksuar ndaj tjetrit, në realitet kërkon përmbushjen e kënaqësive personale. Edhe pse është e vështirë për ta pranuar, një dashuri e tillë u adresohet imazheve tona të brendshme prindërore në kontekstin e: “Ja se si duhet të më kishit trajtuar mua kur isha fëmijë, prindër të këqij!”. Ndërsa në marrëdhënien intime, si pasojë e së kaluarës, partnerit tuaj i shpreheni: “Është radha jote të kujdesesh për mua tani”, ose: “Mos u largo nga unë! Të rrimë së bashku, sepse askush përveç meje nuk do të të trajtojë si unë!”. Në rastet e mësipërme kuptohet qartë që bëhet fjalë për sjellje që kanë për qëllim shërimin e plagëve të së kaluarës gjatë fëmijërisë, si psh: braktisje, keqtrajtime fizike apo psikologjike. Edhe pse arsyet janë të fshehura dhe shfaqen me sjellje mbrojtëse në mënyrë të pandërgjegjshme, sigurisht që nuk bëhet fjalë për të kapërcyer apo për të harruar dhimbjet e së shkuarës. Është pikërisht mungesa e dashurisë dhe boshllëqet e asaj periudhe jetësore që e nxisin individin të ndërtojë një marrëdhënie në çift me baza të theksuara mbrojtjeje.

4. NDJESHMËRIA E LARTË

Marrëdhëniet e dashurisë karakterizohen nga mbizotërimi i periudhave pasionante. Ndjenjat dhe emocionet që lindin nga dashuritë e mëdha dhe të vërteta janë tronditëse. Një partner me ndjeshmëri të lartë emocionale kryesisht është i udhëhequr nga nevoja sesa nga dëshira për tjetrin, e cila shoqërohet me ndjenjën e mungesës për partnerin përkatës. Kjo formë e dashurisë rrezikon të konsumohet shumë shpejt dhe rreziku më i madh i çifteve që karakterizohen nga ndjeshmëria e lartë emocionale janë fjalët, të cilat shpeshherë janë burim konflikti. Këto çifte i druhen ekspozimit të vetes dhe për këtë arsye ata priren të jenë shumë të ndjeshme në rastin kur duhet të jenë në një intimitet të vërtetë me dikë tjetër. Ndjeshmëria e lartë mund të maskojë boshllëkun, pengesat dhe keqkuptimet në një marrëdhënie.

5. VARËSIA

“Mos më braktis”… “Më jep kohë të bëhem hija jote”… “Dua të jem përjetë i yti”… Shumë tekste këngësh dashurie janë të njohura për shprehje, të cilat vlerësojnë varësinë afektive. Të jesh i varur do të thotë të jesh i gatshëm për të pranuar gjithçka, në mënyrë që të shmangësh përballjen me zbrazëtinë e padurueshme që përjetoni kur partneri largohet. Varësia në dashuri flet për dashurinë, por për një dashuri të zhgënjyer, të njëanshme dhe të mashtruar. Në moshën adulte varësia reflekton dashuri. Varësia përkthehet si dëshirë dhe nevojë për të riparuar plagët e thella të krijuara nga dashuria e parë e jetës, siç është figura e nënës. Por ky rikuperim i plagëve të së shkuarës me varësinë që formojmë ndaj partnerit në të tashmen është i destinuar të dështojë, sepse shkrirja e përhershme dhe e plotë me të është e pamundur.

/revistapsikologji

Check Also

6 arsye pse duhet të agjëroni, edhe nëse s’jeni besimtarë muslimanë

Orët e para të së premtes shënuan nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët muslimanë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 + 14 =