Shkruan: Xhemal AHMETI

Fatkeqësia më e madhe e kosovarëve është fakti që ata nuk ia dolën ta organizojnë dhe financojnë një Dick Marty të vetin. Një që nëpërmjet një mashtrimi kolosal, i asistuar, jo nga shërbimet ruse dhe serbe, por ato perëndimore do ta detyronte Serbinë të heq dorë nga politika e gjenocidit dhe fshehja e kufomave. Nëpërmjet mashtrimit posepo, ngase BE nuk reagon ndryshe.

«Shpesh bënë padrejtësi edhe ai që s’bënë gjë. Ai që nuk ndalon padrejtësinë kur mundet, e urdhëron atë». Ndoshta BE në raport me Serbinë do ta kishte marrë përzemër këtë maksimë dhe do t’i thoshte asaj kthej kufomat, kërko falje, njih Kosovën dhe jeto në paqe, por ja që nuk mundet. Serbia nuk përfill diktate evropiane. Kur i bëjnë presion ajo ikë në Moskë jargshëm për tu kërcënuar pas kthimit nga atje më raketa ruse dhe drone turke. Prandaj zonjat dhe zotërinjtë nga Brukseli nuk drejtojnë gishtin atje. Aksioni nuk do tu sillte zemra në twitter, like në facebook e as vota për mandatin e ardhshëm. Kush voton e preferon atë që nuk e dëgjon as presidenti mëngëpërlyera me gjak të pagjeturish i Beogradit?

PAQJA DHE LUFTA SIPAS BE
Ndryshe sillet BE me kosovarët. Këtyre iu citohet Platoni: «vetëm të vdekurit kanë parë fundin e luftës», të gjallët duhet të kuptojnë atë që thoshte Ciceroni se edhe paqja më e padrejtë qenka më mirë se lufta e drejtë. Është një kërcënim subtil, por prezent që nga shfaqja e raportit të Dick Martyt e deri sot. Kur kosovarët reagonin me mllef kundër presioneve që i ndienin të padrejta, BE i bindi tjerët që t’i disiplinojnë duke i kërcënuar me braktisje të vendit. I siguronin se sërish do gjendej në luftën e saj të drejtë për liri, por pa fuqi për ta mundur Serbinë vetë. Paqja që do të pasonte pas kësaj do të ishte sërish e padrejtë [nën sundimin e tjetrit] siç është kjo paqe sot po ashtu thellësisht e padrejtë [nën diktatin e tjerëve] ngase kushtëzohet me kërcënim, destabilizim, fundosje saherë shteti i ri të tregoj pak krenari prej sovrani.
Romantikët radikalë do thonë; «dakord më mirë le të vdesim pra të gjithë se sa të vazhdojmë kështu». Pas ca minutave do t’iu kujtohej lufta e fundit kur 98% e meshkujve të rritur u ikën. Ciceroni njihte më mirë pra masat, prandaj i ka mbijetuar citati deri sot: ato, masat, ulërijnë dhe të sjellin në gijotinë edhe po ua vodhe një pulë që s’jep ve, por ikin si prej dreqit cepave më të thella të globit kur në eter me hundë i marrin erë barotit.

FRIKA DHE MASHTRIMI SI STRATEGJI
Jo vetëm emisarët e BE-së, por edhe çdo student fillestar i politikës dhe diplomacisë e di se karriera ndërtohet më lehtë e më mirë duke sulmuar të dobëtit se sa të ngatërrohesh me ata që të thonë qepe! –«nuk pranojmë ne presionin dhe poshtërimin – as atëherë madje kur dheun ndër-këmbë e kemi plotë kufoma nga gjenocidi që bëmë dje».
Pafuqia e BE-së është e qëllimshme dhe ka të bëjë me frikën nga mos-shpalimi të jetë një organizatë e pafuqishme karshi diktatit rus dhe atij turk në «Ballkan». Ngatërrimi me Serbinë do ta sillte këtë fakt lakuriq mbi pishinat e penthouseve të Brukselit, Berlinit, Parisit dhe poentat e këtij demaskimi do t’i merrte Varshava, Budapesti, Sofja dhe plotë shtete jo-anëtare e anëtare, të cilat qëmoti manifestojnë mosvullnetin e pjesëmarrjes në një klub të tillë; frikacak, pa moral dhe i paaftë për të garantuar paqe me drejtësi.
Është kjo arsyeja themelore se pse nuk preket dot Serbia. Stafet proruse në BE, ato të cilat kanë instaluar këtë psikozë aty, janë ato që determinojnë politikat e BE; ato vijnë nga Berlini, Parisi, Roma, por frymën e kanë të sojit, që politikën nuk e bazon në drejtësi por në ideale total tjera. Prandaj është ende mundshme Serbia, kjo serbi që edhe pse është shkaktare e gjenocideve, detyroi Evropën t’ia bëjë gjyqin viktimës. Ta rrezikojë ekzistencën e shtetit të saj ende pa iu kthyer kufomat; ta gjunjëzojë atë duke ia ndaluar ushtrinë në kohën kur gjenociduesi le popullin e tij pa bukë për të blerë armë ruse dhe turke; t’ia nxjerr njerëzit para gjyqit, në të njëjtën kohë kur Serbinë e udhëheqin ministrat (pjesëmarrësit e kabinetit ku përgatitej gjenocidi) e njeriut që bëri gjenocidet në Evropën Juglindore; ajo as kur gjithë hierarkia politike vetëdeklaron se raporti i Dick Marty-it ishte një sajesë e shërbimeve të tyre dhe atyre ruse bën sikur s’dëgjoi gjë. Sillet ashtu siç thoshte Aureli: urdhëron padrejtësinë duke mos bërë asgjë. Aq hiç saqë as duart t’i lajë si Ponc Pilati s’ka nevojë.

AUTORACISTËT
Hë që mos i harrojmë: BE thotë se bazë të këtij veprimi kundër viktimës dhe mosveprimi dorasit nuk kanë vetëm raportin e Dick Marty-t por edhe mbështetjen nga brenda. Patjetër: nga rezervat e 98% frikacakëve që postulatin e Ciceronit e kanë ajet, psalm, paragraf manifesti apo sutta-nipāta natyrisht se ca përqindje prej tyre janë veshur me pardesynë e euroturbos, subkalifit, dijetarit me diplomë Ali Bungut apo diplomatit të pabrektë ballkanik, të atillë që besojnë se çdo e keqe buron nga padija e të vetëve, nga ata të cilët  nuk e meritojnë lirinë; nuk dinë ta menaxhojnë atë vetë, prandaj më mirë në liri i poshtëruar se në një luftë kundër Serbisë së fortë [dikur bërtisnin: «shuni se Jugosllavia na mbyt»]; më mirë mos kritikojmë BE-në, Amerikën e Trumpit se na lënë qyqe vetë. Edhe të lënë. Veçanërisht kur i kanë referencë dhe bashkëbisedues me rajonin njerëzit e karakterit që listuam më lartë: nga 30 vite ekzil kur nuk kam ndeshur një njeri apo instancë me autoritet të ndonjë race, kombi, kulture që preferon fyesit dhe mohuesit e të vetëve, të llojit që edhe po iu pre dikujt koka për fajin e dikujt tjetër do të brohorisnin «urraaa», jo për dorasin apo viktimën, por për kokë-prerësin ngase nga ai presin honorarin, vetërealizimin, dukjen, mbijetimin. Shqiptarët që janë racistë ndaj shqiptarëve kam takuam plotë.

KOHA PËR LAHUTËN?
Patjetër se kosovarët, respektivisht qeveritë, politikat dhe partitë kanë bërë plotë gabime. Njërin nga gabimet më të mëdha që bënë është që nuk profesionalizuan politikën, intelligjencinë dhe diplomacinë, madje edhe duke çprivilegjuar veten (nuk e bënë ngase për kuadro i kishin këta euroturbot dhe erdoganistët), ata nuk krijuan elitat dhe resurset që do t’i kundërviheshin aparatit të sofistikuar dhe subtil të Vuçiçit, i cili jo vetëm politikën e Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës mundi, por edhe BE-në dhe SHBA-të i bëri instrument të vetin për ta kthyer rrotën e historisë andej kah donë vetë. Ia doli me ndihmën e Rusisë, Turqisë dhe kategori të caktuara shqiptare t’i poshtërojë shtetet e NATO-s duke i nxjerrë de facto me dorën e vetë para gjyqit, nën akuzën të kenë asistuar një «organizatë kriminele» (ngase udhëhiqej nga ata, apo?!). T’ia heqim kapelën Vuçiçit dhe shërbimeve ruse e turke. Për këtë arsye thotë Vuçiç se Merkel është me Kosovën por na respekton ne, ngase ka kuptuar se edhe BE-në e përdori si mekanizëm të vetin?
Ka mundësi. Gjatë në debati me një mikun tim, diplomat amerikan, më pyeti se:  „a nuk ishin këto shtete të BE-së që nuk i lenin kosovarët të përdorin politikë bllokuese dhe të kërkojnë pajtimin në vend të gjykimit, faljes dhe dëmshpërblimet? Si duket duhet të bëhemi gati sërish për ta kënduar me zë Fishtën:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís
Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? [1]

Çka nuk qëndron për sot në këtë diagnozë kaq të përiktë formëvargjesh?

[1] Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933).