Home / Analize / Krerët e Kosovës në maksimën e Çezarit!

Krerët e Kosovës në maksimën e Çezarit!

Aleksandër Çipa

Maksima e vjetër e Çezarit “Përça e sundo” në Kosovë po vlen si e perifrazuar ” Përça e mos u pavarëso”. Është pa mëdyshje momentumi më kritik që ka njohur procesi shtetformues në Kosovë në 10 vitet e fundit.

Diferencat e qëndrimeve mes krerëve institucionalë të Republikës janë investimi më negativ historik i mundshëm. Pre e kësaj diference është pozita e diversifikuar e vendit me aleatin historik SHBA. Kjo ka ndodhur sepse krerët institucionalë, përkatësisht Presidenti Thaçi, kryeministri kaq i përkohshëm Kurti dhe kryeministri paraprirës Haradinaj, kanë krijuar keqësisht një diplomaci vetiake dhe kanë rënë pre lehtësisht e konjukturave ndarëse të diplomacisë rajonale, kontinentale dhe qasjeve të ndryshme të kaheve diplomatike në Washington.

Treshja e përmendur më sipër e drejtimit institucional të Kosovës së sotme ka krijuar premisën e plotë të jo vetëm lëndimit të ardhmërisë territoriale të Kosovës, por padashur janë investuar, sidomos me krizën aktuale politike, për sakatimin e kapaciteteve dhe energjisë pavarësuese të institucioneve të vendit. Për këtë arsye, Kosova në vitin 2020 ka si sfidë parësore një reformë politike të rifitimit të gravitetit për interesat e vendit dhe të republikës.

Fatet personale politike nuk mund të prevalojnë mbi atë të republikës, e cila mund të jetë vetëfunksionuese nëse mbron kolegjialisht trupin gjeografik të Atdheut. E vetmja strategji politike nis dhe mbaron këtu. Politika e krerëve institucionalë meriton reformim, duke patur si pikënisje dhe referencë të vetme, vetëm “trupin fizik” të Atdheut dhe fatin e pacënueshëm të tij. Çdo qasje dhe pistë tjetër e çdo politikani është jo mëkat, por specifikisht tradhëti.

Është momenti që diplomacia politike kombëtare të investohet vetëm në këtë qasje dhe tek kjo referencë themelore. Paskësaj, sentenca tjetër e Çezarit: “Jepi Çezarit atë që është e Çezarit, dhe Zotit atë çka është e Zotit”, në rastin e Kosovës së gjendjes së sotme, mund të përshtatet: Jepini Kosovës atë që i detyroheni dhe është meritë e Atdheut dhe për veten t’ju japë Atdheu atë çka do të meritoni!

Check Also

Mali i Zi në 1 Qershor hap kufirin me Shqipërinë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sqaron procedurat

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes një njoftimi i ka vënë në dijeni …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − 18 =