Home / Aktualitet / KPK konfirmon në detyrë prokurorin Albert Demirneli

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Albert Demirneli

Komisioni i pavarur i kualifikimit ka ka konfirmuar në detyrë edhe Albert Demirnelin. Prokuror pranë prokurorisë Tiranë. KPK, nuk ka gjetur shkelje në të trija kriteret.

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Albert Demirneli u përball të hënën me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tri kriteret e rivlerësimit. Procesi i vetingut po kryhet nga trupi gjykues i KPK i përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Prokurori Albert Demirneli ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe punon prej gati dy dekadash në Prokurorinë e Tiranës. Ai ka mbajtur më parë edhe pozicionin e zv.prokurorit të rrethit gjyqësor.

Relatorja Firdes Shuli tha në seancë se prokurori Demirneli, veç pasurive që ka aktualisht në pronësi, kishte deklaruar edhe pasuritë që kishte zotëruar ndër vite, të cilat i ka shitur. Prej tyre, KPK konstatoi mosdeklarimin në vitin 2003 të pjesës takuese 1/6 të një apartamenti në Burrel të privatizuar nga babai i subjektit në vitin 1993.

Në deklaratën veting, Demirneli ka pasqyruar heqjen dorë ‘de facto’ nga pjesa takuese nga ky apartament që prej vitit 1993 dhe ‘de jure’ prej vitit 2016.

Sipas relatores, subjekti ka shpjeguar se nuk e ka deklaruar në vitin 2003 pjesën takuese, pasi nuk ka pasur lidhje apo përfitim nga kjo pasuri. Ai ka deklaruar para Komisionit se ishte shkëputur nga familja që prej vitit 1983, kur kishte nisur studimet e larta dhe se nuk kishte jetuar më në apartamentin që babai e kishte privatizuar në vitin 1993.

Demirneli ka blerë në vitin 2001 një apartament me sipërfaqe 60 m2 në Rrëshen, nga Enti i Banesave, kundrejt vlerës 275 mijë lekë.  Nga hetimi ka rezultuar se ai e ka përfituar këtë banesë si i pastrehë dhe ka jetuar aty për periudhën 1996-2001.

Relatorja sqaroi se subjekti kishte deklaruar se statusin si i pastrehë e kishte fituar me vendim të Këshillit të Bashkisë Rrëshen. Nga analiza financiare ka rezultuar se Demirneli kishte pasur mundësi me burime të ligjshme për blerjen e këtij apartamenti.

Komisioni i ka kaluar barrën e provës lidhur me përfitimin e statusit si i pastrehë, ndërkohë që rezultonte bashkëpronar me pjesën takuese 1/6 në apartamentin e babait në Burrel. Shuli tha se Demirneli kishte dorëzuar vërtetime nga institucionet përkatëse, sipas të cilave nuk mund të sigurohet gjithë dokumentacioni i procedurës ë përfitimit të statusit si i pastrehë për shkaqe të pavarura prej tij.

Në fund të seancës dëgjimore, relatorja Shuli i kërkoi subjektit që të sqaronte mënyrën e përfitimit të statusit si i pastrehë. Demirneli pohoi se kur ishte transferuar në Rrëshen, kishte marrë edhe familjen dhe se ishte trajtuar me banesë pas kerkesë së tij.

“Kam shkuar disa here, por nuk ka qenë e mundur të gjenden dokumentet,” sqaroi ai.

I pyetur nga anëtarja Bekteshi lidhur me arsyet e mosdisponimit të dokumenteve për statusin e të pastrehut nga ana e institucioneve, Demirneli deklaroi se i kishin thënë se zyra e Entit të Banesave ishte djegur dhe se mund të ishin dëmtuar edhe dokumentet që i përkisnin asaj dosjeje.

Apartamenti në Rrëshen rezulton të jetë shitur në vitin 2001 për shumën 950 mijë lekë, vlerë që ka shërbyer si një nga burimet për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 53.6 m2 në lagjen “Ali Demi” Tiranë në vitin 2002, kundrejt çmimit 1.9 milionë lekë. Si burime të tjetra për blerjen e banesës në Tiranë, Demirneli ka deklaruar kursimet nga pagat dhe hua në shumën 700 mijë lekë, marrë nga tre persona të ndryshëm.

Edhe pse Komisioni konstaton se subjekti e ka deklaruar rregullisht huanë, shlyerjet dhe detyrimet, evidenton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e huadhënësve dhe kjo vlerë nuk është përfshirë në analizën financiare, duke rezultuar me një balancë negative në vlerën 725 mijë lekë.

Relatorja Shuli tha se për dy prej huadhënësve që jetojnë jashtë shtetit, subjekti ka dhënë shpjegime, ndërsa ka dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e të tretit, që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Ajo shtoi se Demirneli ka kërkuar që në analizën finanicare të përfshihej mundësia e kurismeve në vlerën 1 milionë e 250 mijë lekë. “Nëse përfshihet kjo vlerë, atëherë analiza financiare del pozitive,” pohoi Shuli.

Lidhur me konstatimin e KPK-së për huanë, prokurori Demirneli deklaroi në seancë se sipas ligjit të atëhershëm për deklarimin e pasurisë, nuk ka qenë si kërkesë marrja e dokumentacionit për huanë.

Ai shpjegoi se dy huadhënësit që jetonin jashtë shtetit, ishin pajisur me dokumente pas vitit 2000. Demirneli pohoi se kishte sjellë dokumente për të ardhurat e një prej huadhënësve që jetonte në Itali. “Tani ata janë bërë shtetas të huaj, njëri në Itali dhe tjetri në Angli,” pohoi Demirneli.

“Për këtë marrëdhënie huaje kam kryer deklarim të saktë dhe i kam shlyer detyrimet ndaj të tre subjekteve. Komisioni t’i marrë në konsideratë këto fakte,”kërkoi ai.

Apartamentin e blerë në vitin 2002 në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, prokurori Demirneli e ka shitur në 7 tetor 2009 kundrejt vlerës 4 milionë lekë. Komisioni ka gjetur se ekzistojnë dy kontrata shitje-blerje për këtë apartament, një e vitit 2009 dhe një e vitit 2001, me të njëjtin çmim dhe të njëjtën palë blerëse.

Shuli pohoi se Demirneli kishte sqaruar se kontrata e dytë ishte kryer për shkak se blerësi nuk kishte kryer procedurat për regjistrimin e kësaj pasurie në emrin e tij.

“Shpjegimet e subjektit kanë rezultuar tërësisht të vërteta,” tha relatorja Shuli dhe sqaroi se shitja ishte realizuar në vitin 2009, kur edhe ishte përfituar shuma 4 milionë lekë.

Dy ditë pas shitjes së apartamentit në lagjen “Ali Demi”, subjekti ka blerë një apartament tjetër në kryeqytet, me sipërfaqe 107 m2 për çmimin 42 mijë e 800 euro, banesë ku edhe banon aktualisht familja e tij.

Si burime krijimi për këtë pasuri, Demirneli ka deklaruar vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit të mëparshëm dhe të ardhurat nga pagat. Komisioni ka vlerësuar si të ligjshme një pjesë të të ardhurave nga paga e bashkëshortes pranë një shoqërie sigurimesh në vlerën 240 mijë lekë. Ndërkohë, nuk janë përfshirë në analizën financiare të ardhurat e deklaruara të përfituara si shpërblim nga komisionet.

Nga analiza financiare e kryer prej Komisionit për mundësinë e krijimit të kësaj pasurie ka rezultuar një balancë negative në vlerën 1 milion e 135 mijë lekë. Shuli tha se subjekti ka shpjeguar se janë paguar detyrimet për të ardhurat si shpërblim nga komisionet dhe ka kërkuar përfshirjen e tyre në analizën financiare. Sipas saj, nëse këto të ardhura do të përfshihen në analizë, atëherë balanca negative mbetet 599 mijë lekë.

Prokurori Demirneli ritheksoi gjatë seancës dëgjimore faktin se kishte vendosur në dispozicion dokumentacionin për pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga komisionet, të kryera nga ana e shoqërisë së sigurimeve ku kishte punuar bashkëshortja.

“Theksoj se nga viti 2002 e në vazhdim, kam blerë vetëm një makinë dhe kam deklaruar si burim edhe kursimet në vite. Konstatohet lehtësisht se lloogaria ime është pakësuar në vitin 2008 dhe kërkoj që kjo vlerë të përfshihet në analizën financiare,” deklaroi prokurori Demirneli.

“Në 34 vite si prokuror kam vetëm një apartament dhe një autoveturë. Kam pasur burime të mjaftueshme,” theksoi ai.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori Demirneli ka pasur mundësi për blerjen një autoveture tip Benz në vitin 2003 dhe krijimin e likujditeteve ndër vite.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport pozitiv për prokurorin Demirneli. KPK ka kryer hetim të pavarur prej nga ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka udhëtuar jashtë shtetit së bashku me shtetasin N.P., i cili përdorte automjetin e një shtetasi tjetër të proceduar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për pjesëmarrje në krim të organizuar. Komisioni konstaton se N.P. ka udhëtuar shpesh me automjetin e të proceduarit për krim të organizuar.

Nga verifikimet ka rezultuar se Demirneli ka udhëtuar vetëm një herë me këtë mjet që drejtohet nga N.P. Shuli tha se subjeki i rivlerësimit ka deklaruar se në dijeninë e tij, makina kishte qenë e N.P. dhe se nuk e njihte shtetasin S.Sh. të proceduar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Pasi Komisioni i ka kaluar barrën e provës për të vërtetuar pronësinë e N.P. mbi mjetin, subjekti ka dorëzuar një prokurorë të posaçme që i jepte atij të drejtën për të përdorur këtë makinë.

I pyetur nga Shuli, prokurori Demirneli deklaroi se nuk kishte pasur dijeni lidhur prokurorën dhe se me atë automjet kishte udhëtuar vetëm një herë.

Në seancë u evidentuan edhe verifikimet e kryera në kuadër të informacioneve të publikuara në media. Sipas Komisionit, në një media online ishte publikuar një foto e prokurorit Demirneli  me një aovkat dhe pretendohej se ai kishte qenë përfaqësues ligjor i personave të proceduar nga subjekti i rivlerësimit. Demirneli ka sqaruar se kishte qëndruar me personin që gjendej në foto pasi ishin shokë që prej fakultetit dhe ka deklaruar se nuk kishte pasur dijeni që ai të kishte lidhje me dosjen që po hetonte.

Relatorja Shuli tha se nga hetimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se avokatët e personave të proceduar ishin të tjerë dhe jo ai që paraqitej në foto.

Ndërkohë, Komisioni ka konstatuar se prokurori Albert Demirneli ka mbajtur më parë edhe mbiemrin Neli. Shuli tha se subjekti kishte deklaruar se para viteve ’90, familja e tij kishte mbajtur edhe mbiemrin Neli. Nga verifikimet e kryera nuk ka rezultuar asnjë problem lidhur me këtë gjetje.

Në seancë nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin. Gjithashtu, nga verifikimi i 8 denoncimeve nga publiku, nuk janë gjetur shkaqe që mund të cënonin aspektin profesional të subjektit.

Në fjalën e tij, prokurori Demirneli u shpreh se për shkak të detyrës që ai kryente, do të kishte edhe njerëz të pakënaqur. “Nuk e di pse janë nisur të njollosin figurën time. Edhe ju keni konstatuar se nuk qëndrojnë,” pohoi Demirneli lidhur me denoncimet në media dhe ato nga publiku.

Duke iu referuar fotos me një avokat, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs e këshilloi prokurorin Demirneli që të tregonte më shumë kujdes me personat që qëndronte.

Në përfundim të seancës, prokurori Albert Demirneli e vlerësoi korrekt hetimin administrativ të kryer nga Komisioni dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.

Check Also

Qarkullonte me dhjetra doza kokaine në makinë, arrestohet 30-vjeçari

30-vjeçari Endrit Murrani është vënë në prangat e Policisë pasi u kap me një sasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 1 =