Home / Aktualitet / Koronavirusi/ Flet shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj: Ja çfarë presim në vjeshtë

Koronavirusi/ Flet shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj: Ja çfarë presim në vjeshtë

Për shefin e Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, shifrat e raportuara në muajin gusht nuk ishin të larta siç priteshin me popullimin e plazheve. Megjithëse muajt korrik-gusht shënuan shifra të larta vdekjesh, shefi i urgjencës Skënder Brataj e cilëson normale situatën në këtë periudhë vere.

I pyetur nga gazeta “Shqip”, Brataj tha se në kushtet e popullimit të plazheve, shifrat e infektimit do t’i kapërcenin 1000 raste, por u vërtetua parashikimi i tij që temperaturat e larta dhe ventilimi në plazhe nuk përhapën virusin Covid-19.
“Duhet ta dini se plazhet nuk qenë burim infeksioni dhe këtë e treguan shifrat e raportuara. Pasojat e tyre po i shohim në shtator ku virulenca ka rënë dhe numri i thirrjeve në numrin jeshil 127 nga 2500 në ditë ka zbritur në 1500 në këtë periudhë. Temperaturat e larta nuk favorizuan përhapjen e virusit pasi njerëzit qëndruan jashtë”, shprehet Brataj.

Po çfarë do të ndodhë në vjeshtë? Brataj thotë se tetori është muaji kur presim të shohim ndikimin e hapjes së shkollave. Sipas tij, me ardhjen e vjeshtës dhe nisjen e shkollave pritet të shihet një ndryshim i situatës së virusit.

“Pasojat e shtatorit pritet t’i shohim në tetor. Aktualisht ka rënë numri i thirrjeve për ndihmë nga Urgjenca ku shifra nuk i kalon 1500 në ditë. Ne po përgatitemi për vjeshtën për të shtuar në terren 3 ekipe të urgjencës. Javën e ardhshme mendohet të jenë gati. Ambulancat janë pajisur me medikamente, pajisjet e duhura dhe po trajnojmë stafin”, tha për “Shqip”, shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj.

Në lidhje me hapjen e spitaleve Covid 3 dhe 4 duket se situata e qetë e shënuar në dy spitalet Covid ka ngadalësuar nisjen nga puna të tyre.

Burimet konfirmuan për “Shqip” se pajisja me mjete dhe staf ka përfunduar dhe dy spitalet janë gati të nisin punën sapo ministria e Shëndetësisë të vendosë hapjen e tyre.

Ekspertët e shëndetit publik e kanë vërejtur me skepticizëm hapjen e shkollave duke parashikuar rritje të infeksioneve të koronavirusit si pasojë e transmetimit të tyre nga fëmijët. Por ka dhe zëra kundër siç është mjeku Ilir Alimehmeti i cili referuar studimeve shkencore thotë se të dhënat epidemiologjike sugjerojnë se fëmijët e ekspozuar kanë më pak gjasa të infektohen në krahasim me të rriturit.

“Në një rishikim gjithëpërfshirës të efektit të moshës mbi transmetimin e SARS-CoV-2 në shtëpi, shkollë dhe komunitet, Goldstein et al. dolën në përfundimin se evidenca tregon që fëmijët deri në 10 vjeç preken shumë më pak se të rriturit nga infeksioni”, shkruan Alimehmeti në një status në profilin e tij në Facebook./Shqip

Check Also

Merr flakë në ecje e sipër një automjet, shpëton mrekullisht shoferi

Një automjet ka marrë flakë në aksin rrugor Levan-Ura e Mifolit. Automjeti tip “Reno” me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

ten + 4 =