Home / Aktualitet / Konturet e ndërveprimit ekonomik të Kinës me Botën

Konturet e ndërveprimit ekonomik të Kinës me Botën

Aleksander ÇIPA-
Zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Amerikë kanë tejkaluar interesin e brendshëm të amerikanëve dhe po ndiqen me kërshëri të madhe anë e mbanë botës. Kjo për faktin se rezultati i betejës zgjedhore ndërmjet Presidentit Donald Trump dhe ish-zëvëndës Presidentit Joe Biden pritet të jetë përcaktues për një sërë zhvillimesh thelbësore në arenën ndërkombëtare.

Megjithatë, teksa të gjithë janë përqëndruar në zgjedhjet amerikane, një tjetër zhvillim i rëndësishëm i këtyre ditëve ka kaluar disi nën radar. Plenumi i pestë, takimi më i rëndësishëm politik i lidershipit të Partisë Komuniste Kineze, u mbajt javën e fundit të tetorit dhe përcaktoi planin pesëvjeçar 2021-2025. Teksa kompeticioni ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës pritet të vazhdojë në vitet në vijim, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve amerikane, plani i katërmbëdhjetë vlen të shikohet me kujdes.

Ndërkohë që formula mbetet përsëri ajo e një plani pesëvjeçar, plani i katërmbëdhjetë duket të ketë një sërë ndryshimesh me atë paraardhësin. Pikësynimi do të jetë përsëri rritja ekonomike, por kësaj radhe nuk ka një shifër konkrete si objektiv. Si dhe më parë, Kina shfaqet me plan afatgjatë dhe synon rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për banor. Në këtë plan, Kina ka bërë të qartë synimin për të arritur drejt vendeve të zhvilluara.

Por risia në planin kinez është ajo e qarkullimit të dyfishtë – një koncept që u promovua fillimisht nga Presidenti Xi Jinping në maj të këtij viti. Qarkullimi i dyfishtë reflekton dëshirën e Kinës për ta bazuar rritjen ekonomike në një cikël të brendshëm prodhimi. Nëse deri më sot rritja e Kinës ka qënë rezultat i strategjisë së eksportimit, qarkullimi i dyfishtë i pranëvë elementin e konsumit për të zhvilluar këkesën e brendshme dhe vetë-mjaftueshmërinë ekonomike.

Ky element shfaqet në këtë mënyrë jo vetëm si një filozofi dhe politikë ekonomike, por edhe me një komponent të fuqishëm gjeopolitik. Në fakt, në Shtetet e Bashkuara, si demokratët edhe republikanët kanë theksuar se, pavarësisht formës, mbështesin një politikë “shkëputjeje” ekonomike në raport me Kinën. Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, politika amerikane ndaj Kinës pritet të ndryshojë në formë, por jo në substancë. Pikërisht për këtë arsye, plani pesëvjeçar 2021-2025 synon të përcaktojë një kundërpërgjigje ndaj politikës amerikane. Në këtë rast, kjo vjen pikërisht nëpërmjet rritjes së konsumit të brendshëm dhe pavarësisë ekonomike. Pa harruar dhe elementin e zhvillimit rajonal, që mbetet pjesë integrale e qasjes ekonomike të Kinës.

Komunikata e plenumit të pestë nuk ishte ezauruese dhe sigurisht pritet që detajet dhe specifikat e planit 2021-2025 të zbardhen në ditët në vijim. Por, komunikata e bënte të qartë se theksi i mëtejshëm do të vihej padyshim te zhvillimi i teknologjisë. Nxitja e inovacionit si dhe një investim më i madh në proceset e kërkimit dhe zhvillimit shkencor kanë qënë nisma të përfshira në planin e trembëdhjetë (2016-2020), por pritet që të jenë shumë më qëndrore në planin e ri. Në të njëjtën kohë, investimet në infrastrukturë, edukim dhe në zhvillimin e gjelbër do të jenë motorë të fuqishëm për të çuar përpara objektivat e përcaktuara. Zhvillimi i gjelbër dhe ulja e emetimeve të karbonit pritet të marrin një vëmendje të veçantë. Në fakt, vlen të rikujtohet se Presidenti Xi shprehu gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara synimin për të ulur emetimet neto të karbonit në zero brenda vitit 2060.

Gjasat janë që zhvillimi i gjelbër të shërbejë si një fushë kompeticioni për Kinën dhe fuqitë e tjera të mëdha ekonomike si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Përpjekjet për të transformuar ekonomitë e këtyre vendeve drejt zhvillimit të gjelbër do krijojnë balanca të reja në tregtinë dhe zhvillimin ekonomik botëror. Përtej krijimit të vendeve të punës, rendja drejt zhvillimit të gjelbër ka gjasa të përcaktojnë se kush do të dominojë këtë fushë ekonomike që do të mbizotërojë në shekullin XXI.

Sikurse të gjithë vendet e tjerë, edhe Kina përballet me problematika të karakterit social si pabarazia në standardin e jetesës, nivelet e ndryshme të zhvillimit të zonave rurale krahasuar me zonat urbane, etj. Këto tema do të jenë gjithashtu një pjesë integrale e planit 2021-2025.

Pra, sikurse është e dukshme, plani i katërmbëdhjetë i Kinës përbën jo vetëm një ide për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe përcakton në mënyrë të tërthortë konturet e ndërveprimit ekonomik të Kinës me rajonin dhe globin. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, synimi i Kinës për zhvillim të qëndrueshëm në planin afatshkurtër dhe afatmesëm ka impakt të madh për të gjithë ekonominë botërore, duke përfshirë edhe Europën dhe Ballkanin. Prandaj, të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm.

Check Also

Transportonin emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës, ‘Muzgu 4’ çon në pranga dy të rinj në Gjirokastër

GJIROKASTER Dy të rinj u vunë në pranga mëngjesin e sotëm në Gjirokastër, nën dyshimet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − seven =